Marjana Koçeku është studente ekselente dhe një aktiviste e shkëlqyer e të drejtave të njeriut. E ka ndërtuar jetën dhe do ta ndërtojë dhe karrierën e saj në bazat e forta të edukimit dhe dijes. E kush më mirë se rinia mund ta bëjë ndryshimin dhe të ndërtojë një të ardhme më të mire!

Në një intervistë për CMG Marjana na tregon për arritjet e saj në fusha të ndryshme si dhe qëllimet që ajo ka për të realizuar ëndrrat e saj.

Marjana Koçeku

Marjana Koçeku

CMG: Për çfarë studioni Marjana?

Marjana Koçeku: Unë kam pasur fatin të studioj për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin “Marin Barleti” këtu në Tiranë dhe së shpejti diplomohem në programin Bachelor. Kam studiuar gjithashtu për një periudhë kohore në Xhenova të Italisë, po në të njëjtën degë.

CMG: Pse pikërisht zgjodhët universitetin “Marin Barleti” për studimet tuaja?

Marjana Koçeku: Në fakt unë vij nga një gjimnaz mjaft prestigjoz, të një kualiteti shumë të lartë, “Atë Pjetër Meshkalla” në Shkodër, që drejtohej nga të huajt. Pra dilja nga një gjimnaz në një nivel dhe format tjetër, me një disiplinë të jashtëzakonshme dhe një organizim të detajuar të pjesës akademike, dhe unë synoja për një universitet të tillë ku unë e gjeta veten te universiteti “Marin Barleti” më mirë sesa te universitetet e tjera, për shkak të njerëzve dhe stafit akademik, të cilët i përkisnin një kalibri shumë të lartë. Unë vazhdoj të jem krenare që jam një barletase dhe nuk pendohem aspak për zgjedhjen time.

Marjana Koçeku

Marjana Koçeku


CMG: Nga arritjet dhe sukseset tuaja gjatë studimeve jeni vlerësuar me çmime të ndryshme. Si ndjeheni me këto vlerësime?

Marjana Koçeku: Jam vlerësuar dhe Universiteti Marin Barleti ka dhënë maksimumin për mua si studente kur më ka pikasur, ashtu siç kam dhënë dhe unë maksimumin tim për këtë universitet që t’ja rris emrin dhe ta promovoj sa më shumë. Ka qenë marrëdhënie reciproke dhe këtë e them me bindje. Në vitin e dytë bachelor unë jam vlerësuar në rang kombëtar nga kryetari i Parlamentit me certifikatën e ekselencës, pra arritje në mësimnxënie, një krenari shumë e madhe për mua dhe le të themi si një nga pikat ku unë e kam nisur drejt asaj karriere dhe realizimi të ëndrrave të mia. Vlerësim ky shumë i madh që më ka ardhur si shpërblim për mundin ndër vite dhe kontributin që unë kam dhënë për të qenë kjo që jam sot. Gjithashtu dhe studimet e mia në Itali i kam finalizuar me rezultate maksimale.

CMG: Vazhdoni akoma studimet por njëkohësisht merrni pjesë dhe në trajnime dhe seminare të ndryshme. Si i alternoni të gjitha këto?

Marjana Koçeku në intervistë për CMG

Marjana Koçeku në intervistë për CMG

Marjana Koçeku: Në fakt unë gjithmonë e kam alternuar dhe nuk kam qenë kurrë personi që jam fokusuar në një diçka të vetme dhe kam lënë të tjerat. Më ka pëlqyer që gjithmonë të bëj shumë gjëra njëkohësisht, jo vetëm të një profili por dhe profile të tjera dhe kështu e kam nisur që e vogël. Unë që në moshën 11 vjeçe jam angazhuar në shoqërinë civile në Shkodër, pasi unë jam nga Shkodra.

Me shoqatën ndërkombëtare “Volvision” unë kam iniciuar një program radiofonik bashkë me moshatarët e mi në paralelizëm me moshatarët tanë në Amerikë. Ky ishte një program mbi promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe unë pasi pashë se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm kishin të rinjtë shqiptarë për të influencuar dhe për të krijuar iniciativa të ndryshme në të mirë të komunitetit, vendosa që të bëhesha një qytetare më aktive. Kështu e zgjerova aktivizimin tim edhe këtu në Tiranë me organizata të tjera, duke u fokusuar tek të drejtat e grave dhe fuqizimi i tyre, sidomos në zonat rurale. Studimet e mia sigurisht që i kam fokus primar ku unë momentalisht po vazhdoj studimet siç e thashë në vitin e fundit bachelor dhe së shpejti do diplomohem.

Unë synoj të ndjek programin master në Shqipëri, por duke e alternuar me programe ndërkombëtare. Masteri do të jetë në pjesën e integrimit europian dhe politikave administratë publike europiane, që unë të informohem sa më shumë rreth këtyre politikave, që të bëhem një ogur i mirë për Shqipërinë dhe kësaj të ardhmeje. Pastaj unë synoj që gjithmonë ta kem një këmbë në botën akademike dhe të vazhdoj me doktoraturë dhe programe të tjera.

Marjana Koçeku në intervistë për CMG

Marjana Koçeku në intervistë për CMG


CMG: Këto trajnime dhe seminare që ju ndiqni nëpër botë a ju ndihmojnë në fushën që ju po studioni?

Marjana Koçeku: Aktivizimi, shoqëria civile dhe angazhimi me organizata ka qenë gjithmonë bonus për mua dhe që unë kam gjet veten. Siç e përmenda edhe më para unë e kam nisur shumë herët në Tiranë e Shkodër dhe e kam zgjeruar në rajon dhe Europë ku kam marrë pjesë në shumë trajnime dhe konferenca ndërkombëtare edhe si përfaqësuese e rinisë shqiptare. Unë kam marrë pjesë dhe në aktivitete të tjera në Itali dhe pas disa ditësh do të nisem në Poloni në një trajnim 10 ditor ku do të trajnohem nga ekspertë ndërkombëtarë për advokimin në të drejtat e grave.

CMG: Të udhëtosh në vende të ndryshme dhe sidomos për punë është gjë e bukur. Ju keni udhëtuar në shumë vende, por ndërkohë keni udhëtuar edhe gjatë kohës së pandemisë ku e gjithë bota ishte me kufizime. Si arrite të udhëtosh në një periudhë pandemie globale?

Marjana Koçeku: Unë gjithmonë e kam parë jetën dhe gjërat si “Jing dhe Jang”, pra çdo e mirë ka një të keqe dhe çdo e keqe ka një të mirë. Kur u nisa për studime në Itali, unë u nisa direkt atë ditë që u mbyllën shkollat dhe universitetet, por nuk u mërzita aspak pasi e dija që diçka e mirë do të vinte pastaj. Pas një periudhe të shkurtër në karantinë dhe kur u hapën kufijtë unë pata atë mundësinë e mirë se duke qenë se gjendesha fizikisht në Bashkimin Europian, isha e lirë të kaloja kufijtë, ndryshe prej shqiptarëve që ndodheshin në Shqipëri. Kam pasur fatin e mirë të udhëtoj në Itali, të vizitoj pjesët historike, kulturore dhe natyrore të Italisë, po ashtu dhe në Francë, Gjermani dhe Zvicër ku kam kaluar goxha kohë.

Marjana Koçeku

Marjana Koçeku


CMG: Çdo arritje apo sukses ka dhe vështirësitë e veta. Ju personalisht keni pasur vështirësi në rrugëtimin tuaj për të arritur këtu ku jeni sot?

Marjana Koçeku: Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë. Unë e përmend shpesh që kam pasur fatin për hir të rrethanave apo dhe të atij vullkanit tim të brendshëm që të çaj përpara. Origjina ime është nga disa zona të thella malore të Alpeve shqiptare dhe unë kam lindur në Shkodër, por familja ime ka jetuar andej. Është një vend ku moshataret e mia martohen që në moshën 15 vjeçe dhe sot janë nëna, ndërsa unë kam fatin të jem një vajzë e lirë që udhëtoj nëpër botë dhe nuk i detyrohem kujt asgjë, ndërkohë që ato janë duke ushqyer me gji foshnjat e tyre.

Unë vij nga disa zona ku djemtë braktisin shkollën për të punuar dhe fituar të ardhura për familjet e tyre. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë dhe pasi u zhvendosa në Tiranë kam pasur gjithmonë këmbënguljen që të bëj sa më shumë gjëra, të gjej sa më shumë mundësi dhe ndryshe nga të tjerët që mundohen të na imponojnë ato ngjyrat bardhë e zi të të parit realitetin, unë jam munduar gjithmonë që ta shoh me ngjyra, dhe e kam parë realisht me ngjyra. Nuk është çështje naiviteti, është më shumë çështje e shpresës së brendshme dhe e pozitivitetit që mban njeriu.

Marjana Koçeku

Marjana Koçeku

Unë do të thoja që kush mundohet gjithmonë ja del, mbase është një thënie klishe por është deri diku dhe një pohim absolut pasi njerëzit, të paktën ata që kam njohur dhe kanë dhënë kontribut për gjithë botën, kur janë munduar dhe nuk i kanë lënë ëndrrat e tyre të kalben, gjithmonë ja kanë dalë.

Nuk ka qenë e thjeshtë dhe unë jam hasur shpeshherë me vështirësi financiare dhe akoma nuk e kam arritur një stabilitet timin, pasi jam akoma 20 vjeç dhe nuk kam një karrierë të stabilizuar, por nuk do të dorëzohem kurrë sepse fuqia e ëndrrave dhe objektivave të mia për jetën janë shumë më të mëdha sesa forca e dështimit prej frikës, që munden të më tërheqin mbrapa.

CMG: Së fundi një mesazh për të gjithë dëgjuesit dhe të rinjtë, që duan të arrijnë ëndrrat e tyre.

Marjana Koçeku: Unë dua të përcjell një mesazh të veçantë për rininë si e re që jam. Gjithmonë investoni tek vetja juaj nëpërmjet dijes, pasi ajo është arma më e fuqishme për të ndryshuar jetën tuaj për mirë, të ardhmen e vendit dhe për të finalizuar ëndrrat që ju keni.

Intervistoi: Gazmend Agaj