Glindxhet Madhi është i riu nga Tirana, i cili punon pranë Bashkisë Tiranë duke ofruar ndihmë për të rinjtë të cilët duan të jenë pjesë e integrimit inovativ qytetar. I angazhuar prej disa vitesh në këtë profesion ai ka një eksperiencë të gjatë brenda dhe jashtë vendit.

G. Madhi

G. Madhi

Ai ka kryer studimet brenda vendit në degën “Marrëdhënie ndërkombëtare”, si dhe ka kryer shkëmbim studentor në Hungari.

Një 25 vjeçar që beson dhe shpreson tek fryma e rinisë dhe inovacionit .

Si përfaqësues i “Forumit të rinisë në Tiranë” ai flet për të gjitha shkallët e suksesit, por edhe sfidat njëkohësisht.


CMG: Glindxhet si nis një ditë pune e juaja?

Glindxhet Madhi: Një ditë e qetë sot, por kam pasur një takim të shkurtër me dy të rinj të cilët kanë ide inovative që presin t’i venë në jetë. Biseda të lira se çfarë mundësish ka Tirana dhe se cilat janë idetë e tyre janë rutinë e imja tashmë.

CMG: Cilat janë idetë më të spikatura?

Glindxhet Madhi: Në takimet e shumta dhe të përditshme dëgjojmë ide të ndryshme çdo ditë. Ndërsa do thoja se kjo fazë dhe kjo kohë ashtu si në të gjithë botën i ka drejtuar të rinjtë në teknologji.

Kjo periudhë i ka drejtuar drejt hartimit të aplikacioneve të ndryshme, siç mund të jenë aplikacionet e shërbimit duke krijuar kështu sipërmarrje të vogla. Dua të theksoj se së fundmi shërbimi online ka qenë në fokus nga të rinjtë e Tiranës, por që kryesisht lidhen me teknologjinë dhe kjo jo pa qëllim.

CMG: Si lind ura e komunikimit mes bizneseve dhe të rinjve?

G. Madhi gjatë një mbledhjeje në Bashki

G. Madhi gjatë një mbledhjeje në Bashki

Glindxhet Madhi: Tirana ka idetë më të shumta duke qenë që ka më shumë banorë. Sfida jonë nis si të kanalizojmë burimin e informimit dhe të konsulencës. Pra, në Bashkinë e Tiranës ne kemi dy drejtori atë të rinisë dhe të promovimit të qytetit, të cilat bëjnë konsulencën e bizneseve që iniciohen nga të rinjtë në këtë rast. Një gjë vlen për t’u theksuar që puna e përbashkët patjetër që mbetet për t’u përmirësuar .

Asnjë i ri nuk do të mbetet pa e vënë në funksion idenë e tij, ndaj ne jemi duke punuar fort me të gjithë aktorët bashkëpunues.

CMG: “Tumo Tirana” qendër teknologjie, si lindi këtu në Tiranë?

Glindxhet Madhi: Në fakt, “Tumo” është një brand ndërkombëtar, i cili vlen për t’u përshirë nëse je një fëmijë deri në moshën 18-vjeçare.

Këtu mësohen hapat e para të teknologjisë dhe niset kështu nga fëmijët sepse shërben si një “Inkubator” për rininë. Pra, nëse aty ka talente i spikasin dhe sugjerojnë për vijimësi. Duhet të them që ata janë e ardhmja dhe e them me bindje që dallon që tani dhe për ne është fat që e kemi. “Tumos” do t’i bashkohen biznese edhe ndërkombëtare, të cilat kërkojnë të rinj të talentuar.

CMG: Të jesh një i ri që punon me të rinjtë, a është një sfidë më vete?

Glindxhet Madhi: Mund të them me bindje që është mësim i vazhdueshëm dhe i përditshëm. Unë nuk mund të them që : “Unë jam më i miri dhe ndaj e bëj këtë punë”. Jo! Unë bëj aq sa mundem dhe marr më të mirën e të gjithë kontakteve që unë kam dhe frymën me ata të cilët unë punoj. E shoh këtë punë çdo ditë si hapësirë për të mësuar diçka të re dhe një mision të ri.

CMG: Nga viti në vit ju keni ndryshuar. Cila ka qenë puna juaj e parë?

Glindxhet Madhi:Nuk e kam nisur nga këtu normalisht. Fillimisht unë kam punuar me ditëlindje si fotograf, DJ, animator por gjithmonë në fundjavë kur kisha mbaruar shkollën. Dua ta them këtë sepse kjo punë ka qenë një mësim shumë i madh për mua, sepse vlerësohesha me rrogën dhe kjo më ka ndihmuar të bëj dallimin me të qënit i punësuar dhe i papunë që në atë moshë. Me kalimin e kohës etapa të ndryshme pasuan dhe sigurisht shkolla zuri një pjesë të madhe të kohës.

G. Madhi në një veprimtari

G. Madhi në një veprimtari

Gjithashtu edhe Erasmusi, por edhe një intership në Ambasadën Shqiptare të Hungarisë mbeten dy kthesa shumë të rëndësishme në jetën time.

CMG:Cfarë do të thotë për ju arritje?

Glindxhet Madhi: Nuk mund të them që kam një përgjigje plotësisht direkte, por mendoj se “të vendosësh disa objektiva në jetë”.

Kjo mund të quhet për mua arritje e më pas për t’u munduar për t’ia dalë. E bukura është që edhe nëse në fund nuk ja del, rëndësi ka që rrugës të keni përmirësuar veten. Për mua kjo quhet arritje.

CMG: Humbje, dështime dhe shumë sfida të tjera na rrëzojnë nga muri ku jemi ngjitur me sakrifica. I riktheheni sfidave për të parë çfarë keni mësuar?

Glindxhet Madhi: Unë mendoj dhe veproj, por shpesh veprimi është i vetmi që të ndihmon ty. Vetëm kur ju i përjetoni eksperiencat atëherë mund të thuash që kemi mësuar. Rrëzimi mund të jetë edhe thjesht emocional, por kur ti merr kohë me veten dhe aty kupton edhe pluset edhe minuset, atëherë ky është një mësim shumë i vlefshëm.

Momentet e dobësisë janë eksperienca dhe kur je i pjekur mjaftueshëm gjatë rrugës nuk i përsërit më.

CMG: Cilat janë arsyet që të mbajnë fort të lidhur me Shqipërinë?

Glindxhet Madhi: Nuk kam menduar ndonjëherë që të iki nga këtu dhe nëse do kisha arsye do ta zgjidhja vetëm nëse do bëhej fjalë për një arsimim të mëtejshëm. Gjithçka tjetër mua më lidh me këtë vend.

CMG: Mesazhi juaj?

Glindxhet Madhi: Mos u dorëzoni kurrë! Të gjithë bashkë do kemi momente të vështira, por edhe të mira. Mos prisni që dikush, nëse ke një ëndërr do vijë të ta japë gati. Duhet të punojmë vetë. Ky është mesazhi im.

Intervistoi M. Latifi