Ndryshe nga se jemi mësuar me udhëheqës perëndimorë, stili dhe natyra e komunikimit me njerëzit e presidentit kinez është krejt e ndryshme. Mediat përcjellin në vijimësi lajme për vizitat e Xi Jinping në zona nga më të thellat e Kinës, biseda me njerëz të thjeshtë, por edhe auditore të mëdha. Kjo ndodh në çdo periudhë të vitit dhe nuk ka lidhje me asnjë fushatë elektorale. Është një stil pune i zakonshëm, i përditshëm dhe një mënyrë krejt e ndryshme komunikimi që Presidenti kinez ka në platformën e tij. Sigurisht që është interesante dhe krejt e veçantë, por mbi të gjitha e natyrshme dhe dëshmi e një thjeshtësie të brendshme që është kultivuar në vite.
Takimet e Xi janë sa të thjeshta, njerëzore e komunikuese, aq edhe të rëndësishme për tezat që shtrohen. Ato janë në mjedise pune, institucione, pranë qendrave të banuara, qendra tregtare, në zona rurale apo urbane, kudo ku komunikimi i shtruar e bashkëbisedimi me njerëzit e zakonshëm është i domosdoshëm. Janë komunikime të hapura, ku jepen dhe merren mendime të cilat kërkojnë pastaj një reflektim në punën e përditëshme, nga njerëzit e thjeshtë, deri në strukturat më të larta vendimarrëse qeverisëse.
Problemet e rëndësishme marrin rrugë aty ku nisin, ku është thelbi dhe ku fillon zgjidhja e tyre. Disa ditë më parë Presidenti Xi Jinping ishte tek liqeni Qinghai (Qinghai), i cili është liqeni më i madh me ujë të kripur. Meqenëse ky liqen ka një rëndësi të veçantë në drejtim të mbrojtjes ekologjike, vizita ishte e programuar pikërisht aty, pasi mbrojtja dhe ruajtja e parametrave bëhet e mundur nga banorët lokalë, nga ata që jetojnë pranë tij dhe janë të lidhur ngushtësisht me gjithçka çfarë ofron liqeni. Duket diçka krejt e thjeshtë në dukje, por në thelb mesazhi që përcillet është tejet i rëndësishëm, pasi motivon për një angazhim edhe më të fuqishëm jo vetëm ata që e kanë të lidhur jetën e tyre më këtë zonë, por shumë më gjerë se kaq. Mbrojtja e biodiversitetit dhe mjedisit përbën për Kinën një angazhim specifik dhe të vënë në qendër të objektivave themelore të zhvillimit perspektiv të vendit. Në samitim e Kombeve të Bashkuara për biodiversitetin Presidenti kinez deklaroi se “Ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë të lartë për të gjithë qytetërimin njerëzor dhe duhet të respektojmë natyrën. Si pjesmarrëse, kontribuese dhe udhëheqëse në ndërtimin e qytetërimit ekologjik botëror, Kina praktikon me vendosmëri multilaterizmin dhe përpiqet të nxitë ndërtimin e një sistemi global të qeverisjes mjedisore të drejtë, të arsyeshëm dhe me përfitime të ndërsjella”.
Këtë angazhim të tij ai e ka gjetur më të dobishëm t’ia përcjellë atyre që janë në frontin e parë të kësaj mbrojtjeje direkt, por edhe të marrë nga ata sugjerimet dhe se çfarë duhet për ta realizuar një gjë të tillë. Përtej burokracive klasike të administratës, rruga për të komunikuar direkt me njerëzit, sjell të vërtetën e nevojëshme që i duhet një udhëheqjeje për të realizuar adresimin e atyre problemeve, në këtë rast konkret atyre që lidhen me mjedisin dhe mbrojtjen e biodiversitetit.
Ky problem shumë i ndjeshëm për të cilin Kina ka marrë angazhime serioze, sigurisht që është trajtuar në një plan edhe më të gjëre, por unë e solla si shembull të rëndësisë që ka një punë kapilare nga qendra në bazë dhe se çfarë vlere merr komunikimi i udhëheqësit me popullin për t’i nxitur drejt realizimesh dhe objektivash të rëndësishme. Duke u vendosur në themel të punës së një drejtuesi, ata i japin njerëzve besim, një energji të re, por edhe mesazhin e marrin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Temën e mjedisit, si kryefjalë të ditës, presidenti e ka gjykuar si të domosdoshme ta trajtojë në takimet jo vetëm të ditëve të fundit në provincën Qinghai, por edhe në provincat e tjera që ka vizituar më parë.
Në muajin mars, teksa vizitonte provincën Fujian (Fuxhian), në bashkëbisedimin nga afër me banorët e specialistët e pylltarisë së zonës, Presidenti Xi u trasmetonte një mesazh kuptimplotë të pranishmëve lidhur me vlerat dhe pasurinë e paçmuar që kanë malet me një gjelbërim mahnitës dhe ujërat e kristalta për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Në qytetin Sanming mbulimi me pyje ka arritur në më shumë se 80 %.
Kjo rrugë dhe ky investim për mjedisin, është prova se si Kina ecën e sigurt në realizimin e atyre objektivave ambicioze që ka në fushën e mjedisit. Xi e shikonte nga afër këtë realitet të transformuar, që i jep një oksigjen jetëdhënës kësaj province. Që kur ishte guvernator i saj në vitin 2002, Xi këmbëngulte në zhvillimin e mjedisit. Ai me shumë dëshirë e mall rikthehet në Fujian (Fuxhian), aty ku e lidhin shumë kujtime të punës e të jetës me banorët e kësaj zone. Në qytetin Wuyishan (Ujishan) ai mori impresione të thella nga “parku inteligjent” deri tek kopshti ekologjik i çajit dhe ai historik e kulturor. Mali Wuyishan (Ujishan) në vitin 1999 u përfshi në listën e pasurive natyrore kulturore të UNESCO-s, që përbën një ndër katër trashëgëmitë natyrore kulturore të Kinës. Ajo punë e nisur për vite të tëra dhe ku Presidenti u investua me shumë pasion për ta arritur, tashmë është kthyer në një ndër krenaritë e Kinës. Gjurmët e investimit vizionar të Presidentit janë pikërisht edhe tek kjo trashëgimi, për të cilën në ditët e marsit të këtij viti, kur Xi ishte për vizitë atje, banorët me shumë lumturi e vërtetësi ia trasmetonin mirënjohjen dhe krenarinë për një realitet të ri, që ishte jo vetëm një destinacion kulturor, historik e turistik, por edhe një e mirë mjedisore e përbashkët.
Një punë prej 17 vitesh e gjysmë më këtë provincë nga ana e presidentit, ka vënë themelet e provincës ekologjike, burim i një jetese në një mjedis miqësor e dobiprurës për banorët. Në Fujian(Fuxhian) kanë hedhur rrënjë e janë zhvilluar konceptet e avancuara të qytetërimit ekologjik të Xi Jinping-ut (Shi Xhinping-ut).
Me këto koncepte të qarta ai po punon edhe tani për ndërtimin e qytetërimit ekologjik, pasi siç ka theksuar në Samitin e Liderëve për Klimën në Pekin në prill të këtij viti “ Ndryshimi i klimës ka sjellë sfida serioze ndaj ekzistencës dhe zhvillimit të njerëzimit. Nëna Natyrë siguron gjithçka që njerëzimi të mbijetojë dhe lulezojë. Ajo na ushqen dhe ne duhet ta trajtojmë Natyrën me respekt ta mbrojmë dhe të ndjekim ligjet e saj. Shkatërrimi sistematik i natyrës do na lerë ne qëniet njerëzore si një lum pa burim dhe një pemë pa rrënjë”.
Kërkesën për të investuar në zhvillimin ekologjik, Presidenti e ka theksuar edhe gjatë vizitës së tij në Fuzhou (Fuxhou). Kryeqendra e provincës Fujian(Fuxhian) në Kinën Juglindore përbën një dashuri të vjetër e të çmuar për Xi Jinping, i cili pa mëdyshje do të theksonte se ka kaluar në Fuzhou(Fuxhou) “ kohën më të mirë “ të tij. Gjatë kohës që ai ka punuar këtu në poste të ndryshme, u shqua si një politikan serioz, korrekt, i ndershëm dhe me vizion dhe reputacioni erdhi gjithnjë në rritje. Sa herë që ai rikthehet shikon se projektet që ka nisur kanë ecur shumë përpara dhe kanë ndihmuar në transformimin pozitiv të zonës. Duke punuar në perspektivë afatgjatë për mjedisin dhe investimet e huaja, Fuzhou (Fuxhou) tani është një pikë reference për të gjithë në hapat e fuqishëm që ka ndërmarrë.
Jeta e ndryshuar e provincës Fujian (Fuxhian), por edhe e gjithë Kinës, arritjet madhore sidomos në sfidën më të madhe të zhdukjes së varfërisë, janë produkt që kanë ardhur nga vizioni dhe politikbërja e guximshme e novatore e Presidentit Xi. “Unë kam thënë që në rrugën e zhdukjes së varfërisë, nuk duhet të lemë mënjanë asnjë individ dhe asnjë kombësi. Kinezët, Partia Komuniste e Kinës dhe liderët e PKK-së e mbajnë fjalën” ka theksuar në mënyrë të vendosur Xi Jinping. Dhe suksesi në këtë fushë është arritur dhe dëshmuar se ajo nismë e disa dekadave më parë është bërë realitet.
Përpjekjet për të rritur standardin e jetesës mbeten prioritare në optikën e punës e të veprimtarisë së Presidentit dhe në çdo takim që ai bën në provinca të ndryshme, ai nuk kërkon shifra, por kërkon mendimin e njerëzve të zakonshëm, ato që vijnë direkt nga mendjet e zemrat e tyre. Këtë e ka vlerësuar gjithnjë si një nga pasuritë më të çmuara të punës së tij.
Vizitat e Presidentit kohët e fundit kanë patur në optikë mjedisin, të pashkëputur nga temat e tjera të mëdha, që lidhen pazgjidhshmërisht me rritjen e standardeve të jetesës. Dhe burimin e forcës së punës e të vizionit për të investuar në këtë drejtim, ai e gjen ndërsa ulet e bisedon mes njerëzve, aty ku frymëzohet për punë e vepra të mëdha.
Gëzim Podgorica