175 vende, nga 129 të nevojshme votëbesuan të premten e kaluar Shqipërinë si vend anëtar i përkohshëm i KS të OKB. 190 vende morën pjesë në votim ku 175 prej tyre miratuan Shqipërinë si kandidaturë konsensuale e grupit të vendeve të Europës Lindore.
[Ministrja Xhaçka në Nju Jork /Balkanweb]
“Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së.”, u shpreh drejtuesi i sesionit të OKB-së.
Zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, konsiderohet një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare për vendin tonë.
Pas marrjes së vendimit ka reaguar menjëherë Kryeministri Edi Rama, që duke publikuar rezultatin thotë se është një lajm i bukur që vendi ynë u zgjodh anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB.
Nga selia e OKB-së Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka komentoi për Televizionin Klan momentin e rëndësishëm
“Një lajm vërtet i gëzueshëm. Jam vërtet e lumtur që mund të ndaj me ju sot një lajm kaq historik Pas votes në Asamblenë e Përgjithëshme Shqipëria ka fituar të drejtën për të qenë një nga anëtaret e Këshillit të Sigurimit për një mandate dyvjeçar për vitet 2022-2023. Kjo do të thotë që nga 1 janari 2022 vendi ynë do të jetë anëtar i forumit më të lartë të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”, u shpreh kryediplomatja shqiptare.
[Foto nga VCG]
Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarët aktualë: Estoni, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizi dhe Vietnam. Mandati i anëtarëve të rinj fillon më 1 janar 2022 dhe do të shërbejnë deri në 31 dhjetor 2023.
OKB në deklaratën e saj zyrtare thekson se “Shqipëria është zotuar që do të sjellë në Këshillin e Sigurimit perspektivën e një vendi të vogël, me një politike të jashtme të përgjegjshme dhe multiraterale. Fushata e Shqipërisë është përqendruar rreth 5 përparësive kyçe: të drejtat e grave, paqja dhe siguria, të drejtat e njeriut, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe ngrohja globale”
Shqipëria për herë të parë do të shërbejë në Këshillin e Sigurimit të OKB, në një periudhë kyçe, ku retorika dominohet nga kriza aktuale në Izrael, konflikti në Ukrainë, Siri, Korea e Veriut, Irani, çështjet e varfërisë, pabarazisë, ngrohja globale, racizmi, etj
Sipas ministres Xhaçka përveç prestigjit, kjo detyrë do të ketë edhe më shumë përgjegjësi për Shqipërinë.
“Patjetër që vendet e vogla zakonisht janë dëshmitare të historisë pa pasur mundësinë ta influencojnë. Ky është momenti ynë për ta influencuar në tryezën më të rëndësishme vendimmarrëse globale, për të sjellë shembujt më të mirë të zgjidhjes të problemeve globale, edhe nga Shqipëria, apo nga rajoni jonë. Nuk është thjeshtë çështje prestigji, patjetër që kjo është dëshmi e pjekurisë të shërbimit tonë diplomatik, të një pune të jashtëzakonshme përgjatë këtyre viteve për të lobuar këtë mundësi. Është një mundësi e jashtëzakonshme për Shqipërinë në dy vitet e ardhshme”, thotë ministrja Xhaçka.
[Foto nga VCG]
Një arritje e madhe për Shqipërinë në KS të OKB-së. Rezultatet e votimit në Asamblenë e Përgjithshme treguan se Shqipëria gëzon një reputacion pozitiv nga familja e madhe e kombeve. Presidenca e OSBE-së nga Shqipëria vitin e shkuar është një kontribut që i dha të drejtën Shqipërisë të jetë një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Shqipëria u pranua anëtare e OKB në 14 dhjetor 1955 dhe pas 66 vitesh anëtarësie, u votua për herë të parë për të qenë anëtare në Këshillin e Sigurimit. Ky Këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme kurse 10 vendet e tjera anëtare janë me një mandat dy vjeçar. Që të kandidonte Shqipërisë iu desh fillimisht të marrë pëlqimin nga 23 shtetet e grupit të vendeve europiane lindore. Zgjedhja e një përfaqësuesi nga ky grup bëhet një herë në dy vjet, në vitin tek. Pas vitit 1991 ky grup është zgjeruar me 15 anëtarë, për shkak të shteteve të reja të krijuara nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Çekosllovakisë dhe Jugosllavisë. 11 vende të grupit janë anëtare të Bashkimit Europian, katër janë kandidatë, mes tyre Shqipëria.
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve. (Eda Merepeza)