Vera po troket dhe Shqipëria si vend mesdhetar ka nisur tashmë përgatitjet, madje banorët e qyteteve bregdetare Durrës, Vlorë, Sarandë e Velipojë kanë nisur plazhin.

Bregdeti shqiptar (Express)

Bregdeti shqiptar (Express)

Vera e kaluar u shënjua nga kufizime të mëdha dhe shqiptarët për shkak të pandemisë Covid 19 i kaluan pushimet brenda vendit.

“Unë rri në Shqipëri”, motoja e fushatës turistike e vitit të pare të pandemisë, do të vijojë edhe përgjatë 2021-shit.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ndërsa theksoi se këtë vit sezoni turistik do të jetë në kushte më të lehtësuara nga pikëpamja e pandemisë, duke nënvizuar se vaksinimi po ecën me ritme të jashtëzakonshme.

“Promovimi i destinacioneve tona është një mundësi për ta njohur dhe eksploruar më tej Shqipërinë, për ndihmuar industrinë tonë dhe komunitetet tona”, – u shpreh Klosi.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi

Ministri Klosi ftoi të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj fushate me fotot dhe videot nga destinacionet që vizitojnë. Ai vetë ka publikuar një video me disa nga destinacionet më të bukura të Shqipërisë, duke i ftuar shqiptarët që t’i bashkohen nismës “Unë rri në Shqipëri”, për të vizituar vendet e bukura, që ofron atdheu.

“Në këtë vend udhëtimi në çdo hapësirë do të bëjë të mbash frymën, duke ndjekur rrugë e shtigje, do të takosh dhe do të jesh i përqafuar nga ndjesia e pakrahasueshme e mikpritjes shqiptare. Në këtë vend mesdhetar i gjithë udhëtimi do të shënojë eksperienca unike, lumenj, liqene, bregdet të ndërthurur midis rërës dhe gurëve. Eksploro parajsën e të dashuruarve pas natyrës. Lagunat me biodiversitetin e tyre mahnitës, vëzhgo me sytë e tu zogj të rrallë. Kapërce nga alpet drejt e në Mesdhe. Udhëto në kohë përmes gjurmëve që shekujt kanë lënë. Vende antike, ndërtesa historike, qytetërime të lashta nënë diellin e mbi 300 ditëve në vit. Më shumë se 3 mijë vjet civilizim të gdhendur në stilin origjinal i kanë dhënë statusin qyteteve pjesë e trashëgimisë botërore. Udhëto mes pyjeve të dendura dhe llojeve të rralla të tyre ku çdo cep vlen të fiksohet. Dhe kudo të ndalosh do të shijosh traditat e ndryshme të gatimit, tavolinat me mozaikë shijesh. Nga shijimi i natyrës, tek qytetet plot jetë e gjallëri. Në këtë vend mesdhetar do të zbulosh sekretin e fundit të Europës. Krijo kohën, gjithçka tjetër e gjen në Shqipëri”, thuhet në videon e publikuar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Klosi.

Turizmi në Shqipëri (Bota sot)

Turizmi në Shqipëri (Bota sot)

Qeveria shqiptare ka vendosur të shtojë një fond prej 100 milionë lekësh në programin “Zhvillimi i turizmit”, për të promovuar vendin. Këshilli i Ministrave, të mërkurën e kaluar, me propozim të Ministrisë së Turizmit ka vendosur të shtojë një fond prej 100 milionë lekësh në programin “Zhvillimi i turizmit”, program i cili ka si synim promovimin e Shqipërisë si një vend “COVID FREE”.

Në vendimin e publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave bëhet me dije se ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021. Vendimi vjen në prag të sezonit turistik dhe është do të shpenzohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, dhe synimi është promovimi në tregjet ndërkombëtare post COVID-19 dhe prezantimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës COVID-free.

Kryeministri Edi Rama duke vlerësuar punën e bërë në vend për vaksinimin e popullatës është shprehur se “Është vërtetë krenari ta shikosh Shqipërinë në pjesën e sipërme të klasifikimit të vendeve europiane për ritmin e vaksinimit, ashtu sikundër është vërtetë kënaqësi të shikosh që Shqipëria së bashku me Finlandën janë dy vende që konsiderohen me riskun më të ulët sot, në Europë, për këtë moment, sepse besoj që fjalët e mikut tonë, Ambasadorit të Bashkimit Europian, duhen pasur parasysh. Kjo luftë nuk ka mbaruar dhe ne duhet të vazhdojmë të bëjmë tonën”.

Pamje nga Vlora (ATSh)

Pamje nga Vlora (ATSh)

Në vitin 2020, në Shqipëri kanë hyrë rreth 3.8 milionë njerëz më pak se një vit më parë ose 58.5%.Kriza e pandemisë dhe kufizimi i lëvizjes goditi menjëherë sektorin e turizmit. Sipas kryetarit të Shoqatës së Tur-Operatorëve të Shqipërisë, Besnik Vathi “Ky sektor ka humbur pothuajse 60-70% të punonjësve”.

Kriza e pandemisë ka mbyllur ose pezulluar përkohësisht rreth 70% të bizneseve që janë të lidhur me turizmin.

Turizmi kontribuon me 1.12 miliardë dollarë në vit direkt në GDP e vendit, rreth 8.5%. Ndërsa ndikimi indirekt në prodhimin e vendit është sa 25% e GDP-së, 3.47 mld dollarë.

Indirekt prej sektorit të turizmit varen 290 mijë të punësuar, rreth 25% të të gjithë të punësuarve në vend.

Eda Merepeza