Maji nisi në Shqipëri me temperatura verore dhe pavarësisht kushteve pandemike, të shumtë janë ata që mendojnë për verën dhe pushimet. Madje në qytetet bregdetare fundjava, që përkoi me festën e 1 majit dhe pashkën ortodokse, shënoi plazhistët e pare. Kur termometri shënon 29 gradë Celsius, pavarësisht datës, deti të thërret. Jo rastësisht para pak ditësh në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit ka mbërritur çarteri i parë nga Ukraina me 200 turistë. ALER Travel ka çelur zyrtarisht sezonin veror 2021 në Shqipëri.
Tatyana Bajraktari, presidente e Aler Travel në pritje të turistëve të pare të huaj u shpreh për mediat shqiptare se, “presim që këtë sezon të kemi 20 avionë në javë, deri me 25 tetor. Avionët do të jenë nga Ukraina dhe Rusia”.
Sipas saj ardhja e avionëve të parë ka nisur më herët se vitet e kaluara dhe pritet të vazhdojë deri në fund të muajit tetor. Ndërkohë mësojet se turistët nga Rusia dhe Ukraina kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë sezonit dimëror, duke qenë ndër të parët vende që aplikojnë turizmin gjithëvjetor në Shqipëri. Gjatë vitit 2020 edhe pse kishte kufizime të mëdha për shkak të pandemisë, nga këto vende erdhën rreth 30 mijë turistë në Shqipëri, ndërsa këtë vit numri i tyre pritet të dyfishohet.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka deklaruar se, “këtë vit presim të kemi një sezon turistik më të mirë se viti i kaluar. Vaksinimi i punonjësve të sektorit të turizmit na ndihmon që të kemi një sezon të plotë duke arritur shifrat e vitit 2019”.
Vaksinimi i punonjësve të sektorit të turizmit dhe hotelerisë pritet të ndihmojë për një sezon të plotë duke arritur shifrat e vitit 2019.
Durrësi, qyteti më i madh bregdetar i Shqipërisë ofron një infrastrukturë të larmishme e të gjerë akomodimi për turistët e huaj. Vaksinimi i punonjësve të hoteleri-turizmit në Durrës pritet që të lehtësojë mbarëvajtjen e sezonit veror.
Tashmë 450 punonjës në këtë sektor në Durrës po vaksinohen. Pritet që vaksinimi të ndihmojë në sigurinë e turistëve dhe në rritjen e kërkesës.
Këtë vit gjatë sezonit turistik nuk do të ketë masa të rrepta për pandeminë. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako shpreson se këtë verë do të ketë turizëm në kushte normale. Edhe këtë verë 20% e bregdetit do të jetë në dispozicion të qytetarëve. Sipas Bashkisë së Durrësit, po merren të gjitha masat për sezonin turistik me pastrimin e plazheve, ndërsa do të bëhet edhe promovimi i të gjitha aseteve kulturore të qytetit.
“Kjo për Durrësin është një ndihmë e madhe, nëqoftëse arrijmë të vaksinojmë sektorin e hotelerisë. Nuk besoj se do të kemi masa sit ë vjetshmet. Do tentojmë që deri në qershor t’i jemi kthyer normalitetit, sa i takon turizmit dhe funksioneve të Durrësit në aspektin turistik. Pjesa tjetër do t’i dedikohet me prioritet hotelerisë në mënyrë që t’u japim shërbime plazhi turistëve që do të vizitojnë këtë qytet. Presim që në e-Albania të fillojnë aplikimet që t’i vemë në dispozicion gjithë mbështetjen bizneseve” tha kryetarja e Bashkisë së Durrësit.
Vaksinimi po vazhdon dhe në qytete të tjera turistike si në Vlorë, Shkodër dhe Gjirokastër.
Në zonat bregdetare fillimisht po vaksinohen punonjësit e hoteleve. Kjo garanton sigurinë për turistët që do të prenotojnë hotelet shqiptare, të cilat falë vaksinimit të personelit të tyre do të jenë “covid-free”.
Për këtë ka njoftuar dhe kryeministri Rama sipas të cilit:
“Qeveria është gati që të vaksinojë të gjitë personelin e strukturave hoteliere, të bregdetit si fillim. Janë ato që do të kenë dhe masën më të madhe të turizmit që do të presim. Japim garanci për turistët që do të vijnë dhe të gjejnë hotele covid-free. Të gjithë të aplikojnë në Ministrinë e Turizmit.”, tha Rama.
Sektori i turizmit në Shqipëri ka 93 mijë punonjës dhe tashmë vaksinimi i nisur jep shpresë për “çlirimin” e bregdetit dhe qyteteve turistike nga “prania” e Covid 19.
Për të garantuar një sezon turistik “covid free” një rol të rëndësishëm luan dhe transporti. Një lajm të mire për këtë ka dhënë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, sipas së cilës tashmë ka nisur vaksinimi i një grupi të rëndësishëm të transportit, siç jajnë punonjësit e transportit ajror. Kujtojmë se më herët ka nisur edhe vaksinimi i operatorëve turistikë ndërkohë që pritet të nisë edhe vaksinimi i punonjësve të transportit publik.
Gjatë një inspektimi në një nga qendrat e vaksinimit të personelit të hoteleri-turizmit në Berat, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se “ky vakssinim do të lehtësojë sezonin turistik dhe Shqipëria do të kthehet në vendin e parë në Ballkan, sa i përket një turizmi pa kufizime për të pritur turistët e huaj”
Edhe në Sarandë, operatorët turistikë dhe punonjësit e kësaj industrie kanë nisur vaksinimin. Imunizimi i personave që do të shërbejnë në turizëm pritet të sjell më shume siguri tek turistët gjatë sezonit veror. Operatorët turistik kanë pritshmëri, për një sezon të mbarë, duke shpresuar që muaji qershor të rikthejë normalitetin në turizëm.
Eda Merepeza