50-vjeçari Luo Yingdi ka spërkatur për më shumë se një muaj me pesticide arat e grurit. Me ndihmën e pajisjeve të reja, ai mund të spërkatë 67 hektarë tokë në ditë.
“Kam gjashtë spërkatës dhe dy dronë. Shtatë të punësuar nga kompania ime e shërbimeve bujqësore mund të kryejnë të gjitha punët,” thotë Luo nga konteja Yingshang e Kinës Lindore, që merret me bujqësi prej 21 vjetësh. Përveç përkujdesit për tokën e tij prej 53 hektarësh, ai ofron edhe shërbimet e spërkatjes për fermerët e tjerë.
Foto: Pajisjet spërkatin me pesticide arat e grurit në lokalitetin Wanggang në kontenë Yingshang të provincës Anhui të Kinës Lindore, 6 mars 2021.
Sanatadita pranverore ose "chunfen" në gjuhën kineze është faza e katërt diellore sipas kalendarit bujqësor kinez dhe sivjet bie më 20 mars. Pas sanataditës së pranverës, dita zgjatet, moti fillon të ngrohet dhe bimët rriten më shpejt. Pikërisht rreth kësaj periudhe, është sezoni i mbjelljeve në Kinë dhe në mbarë vendin është vala e punës në bujqësi.
Rritje e nivelit të bujqësisë
Për të përsosur përdorimin e makinerive të mëdha bujqësore dhe dronëve, studiuesit kinezë kanë zhvilluar disa produkte të teknologjisë së lartë për të ndihmuar bujqit të përvetësojnë njohuri bujqësore, të shfrytëzojnë platformat e menaxhimit të zgjuar dhe të kontrollojnë dëmtuesit dhe sëmundjet e bimëve.
“Kam mësuar tani si të përdor më mirë plehrat kimike dhe pesticidet nëpërmjet ndjekjes së një transmetimi të drejtpërdrejtë në internet për teknologjinë bujqësore. Jam i bindur se sivjet do të siguroj korrje edhe më të mira,” thotë Jiang Deying nga konteja Baoqing e provincës Heilongjiang.
Në fermën Hongwei të kësaj province, përdorimi i një platforme elektronike të mbështetur te një sistem monitorimi mund ta shtojë 5 % rendimentin e orizit dhe të ulë me 7 % përdorimin e plehrave kimike.
Në kontenë Changfeng të provincës Anhui, një grup studiuesish kërkojnë çdo centimetër të arës së grurit, me një pajisje elektronike në formë shkopi për të gjetur dëmtues.
Foto: Një bujk përdor dron për të hedhur pesticide në lokalitetin Huagang të kontesë Feixi të qytetit Hefei në provincën Anhui, 23 shkurt 2021 (foto nga "Xinhua")
Identifikimi dhe kontrolli i hershëm i dëmtuesve dhe i sëmundjeve të bimëve ka rëndësi kyçe për të garantuar rritjen e drithërave. Për këtë arsye shkencëtarët kanë prodhuar këtë mjet për t'i ndihmuar bujqit të zbulojnë më saktësisht dhe më herët këto qenie të rrezikshme.
Një kamerë është instaluar në majë të pajisjes për të parë gjendjen e rritjes së dëmtuesve dhe të bimëve. Ka edhe sensorë që regjistrojnë temperaturën dhe lagështirën e tokës. Të gjitha të dhënat ngarkohen dhe përpunohen në një sistem për të vlerësuar dëmet e mundshme, duke ofruar edhe metoda zgjidhjeje për pronarët e tokave.
“Ne kemi studiuar një program kompjuterik për njohjen e dëmtuesve për të analizuar fotografitë që bën pajisja në tokë dhe u tregojmë bujqve çfarë krimbash duhet të trajtojnë”, shpjegon Du Jianming, studiues nga Instituti i Makinave Inteligjente pranë Akademisë së Shkencave të Kinës.
Pas grumbullimit nëntëvjeçar të të dhënave, mbi një milionë foto të dëmtuesve dhe sëmundjeve të bimëve janë rezervuar. Kjo pajisje mund të përdoret për toka të mbjella me lloje të ndryshme drithërash, si grurë, oriz, misër dhe sojë, me një saktësi njohjeje më shumë se 85%. Deri tani ajo është shfrytëzuar në më shumë se dhjetë provinca të vendit.
Garantimi i sigurisë ushqimore
Për të gjetur variete që përshtaten më mirë me kushtet natyrore të provincës Heilongjiang, një grup i drejtuar nga Nie Shoujun, nga Akademia e Shkencave Bujqësore e kësaj province, ka kryer një sërë eksperimentesh. Pas përpjekjeve shumëvjeçare, një numër larish të cilësisë së lartë kundër sëmundjeve dhe me rendiment të lartë janë kultivuar prej duarve të tyre.
Me përhapjen e COVID-19 në botë, shumë vende kanë kufizuar eksportet e drithërave, duke vënë në rrezik zinxhirin global të furnizimit ushqimor. Numri i njerëzve që vuajnë prej urisë është në rritje e sipër.
Vitin e kaluar, pavarësisht ndikimeve të epidemisë, të përmbytjeve dhe të thatësirave, Kina siguroi një korrje të bollshme të drithërave prej 669.5 milionë tonësh. Vendi përsëri shfaqi aftësinë e vet për të ushqyer popullin dhe për të përballuar kërcënimet ndaj prodhimit të drithërave.
Një anëtar i kooperativës së bujqësisë ekologjike duke kontrolluar traktorin në fshatin Jiaoyi në qytetin Taishan të provincës Guangdong të Kinës Jugore, 12 mars 2021 (foto nga "Xinhua")
Sivjet ka nisur zbatimi i Planit të 14-të Pesëvjeçar të Kinës (2021-2025). Ministria e Çështjeve Bujqësore dhe Rurale e Kinës u kërkoi të gjitha rajoneve në nivel province të ruajnë ose të shtojnë sipërfaqen e mbjellë me drithëra, për të garantuar që gjatë kësaj periudhe vëllimi i përgjithshëm i prodhimit të drithërave të vendit t'i kalojë 650 milionë tonët në vit.
Kina ka siguruar korrje të bollshme për 17 vjet radhazi. Në gjashtë vjetët e fundit vëllimi vjetor i prodhimit kombëtar të drithërave në Kinë ka qenë mbi 650 milionë tonë. Arritje të tilla jo vetëm përmbushin nevojat e brendshme dhe ulin importin e drithërave, por edhe i mundësojnë Kinës të shtojë eksportin e grurit dhe orizit, duke dhënë kontribut për pakësimin e rrezikeve globale ndaj sigurisë ushqimore, me uljen e popullsisë që vuan prej urie.(Zhang Yan/Artan)