Shumë studentë shqiptarë, ashtu si bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën gjatë periudhës së studimeve punojnë. Pjesa më e madhe e tyre punojnë me kohë të pjesshme në sektorin e shërbimeve, si kamarierë në bare dhe restorante, por dhe si shitës, apo në sektorin e teknologjisë. Një pjesë tjetër studentësh, që dallohen për rezultate të larta në jetën akademike kanë një mundësi tjetër punësimi, me kushte më të mira dhe shpërblim financiar më të lartë. Këta janë studentët e ekselencës për të cilët ofrohet një mundësi mjaft e mire punësimi.
Studentët shqiptarë me rezultate të larta, të quajtur ekselentë, qysh prej vitit 2017 kanë një mundësi të mire punësimi në administratën publike. Platforma punëtëmbarë.al është një platformë e dedikuar punësimit të studentëve më të mire në administrate. Bëhet fjalë për studentët e ekselencës, të diplomuar brenda dhe jashtë vendit.
Të rinjtë që aplikojnë në këtë platformë duhet të kenë mbaruar ciklin e pare të studimeve bachelor ose master profesional e shkencor me mesatare 9-10, në secilin prej cikleve të studimit. Falë kësaj mundësie studentët ekselentë përfitojnë një përvojë kualifikuese, e cila i ndihmon ata në zhvillimin e aftësive profesionale, duke u përballur me administratën publike në një tjetër nivel e duke kuptuar më mire vazhdimësinë e rrugëtimit të karrierës së tyre.
4 vjet pas lançimit të kësaj platforme Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, nëpërmjet një postimi të publikuar në rrjetet e saj sociale, bën të ditur se deri tani janë punësuar 710 studentë ekselentë në kuadër të “Paktit për Universitetin”.
Sipas saj bëhet fjalë për studentë me mesatare mbi 9 që janë punësuar në sektorë të ndryshëm të administrates publike. Kreu i arsimit bëri të ditur se ky proces nuk do të ndalet dhe deri tani 372 prej tyre janë punësuar në shërbimin civil me kontratë pa afat.
Këto ditë ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, me anë të një videoje në rrjetin social “Facebook” ka prezantuar një studente ekselente, e cila së fundmi është bërë pjesë e administratës publike, përkatësisht në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në sektorin e Përgatitjes së Fizibilitetit të Projekteve në Sport.
Vetë studentja Ina ka rrëfyer këtë eksperiencë për mediet:
“Quhem Ina Duhanxhiu. Kam përfunduar studimet “Bachelor” në degën gjuhë shqipe-letërsi dhe studimet “Master” pranë Fakultetit të Histori- Filologjisë në profilin gjuhësi e sotme me mesataren 10. Pasi mbarova studimet “Master” aplikova në platformën punëtëmbarë në thirrjen e vitit 2020. Brenda një kohe të shkurtër, falë një procesi transparent nga ana e platformës arrita të bëhem pjesë e administrates publike përkatësisht në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Sektorin e Përgatitjes së Fizibilitetit të Përgatitjes së Projekteve në Sport. Edhe pse fillimisht isha skeptike tani mund të them me bindje se çdo student mund të bëhet lehtësisht pjesë e tregut të punës vetëm falë rezultateve në studime. Për rrjedhojë ftoj të gjithë studentët që të aplikojnë në thirrjet në vijim si mundësia më e mire për të nisur kështu karrierën e tyre profesionale”
Platforma “Punë të mbarë” është një mundësi mjaft e mirë për studentët e ekselencës të diplomuar brenda dhe jashtë vendit. Ata përfitojnë përvojë kualifikuese, zhvillojnë aftësitë profesionale, si dhe njohin nga afër administratën publike. Kjo platformë që stimulon meriokracinë, lehtëson edhe kalimin e studentëve nga universiteti në tregun e punës
Eda Merepeza