Një mësues u jep njohuri të robotikës nxënësve në një shkollë fillore në kontenë Xingye të Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Jugore
Vita, një nxënës nga Shangai, ka 220 mijë ndjekës në një platformë të njohur të ndarjes së videove në internet. 9-vjeçari prodhon video për mësimin e programimit kompjuterik dhe seria e videove të tij është parë mbi 4 milionë herë në Kinë.
Vita është një prej pjesëtarëve të brezit të ri kinez që ka njohuri për inteligjencën artificiale. Në këtë epokë ku teknologjia përparon me një shpejtësi të paparë, programimi kompjuterik është bërë një aftësi e rëndësishme si anglishtja.
Nxënësit përshtatin robotë gjatë një konkursi në kontenë Longhui të qytetit Shaoyang në provincën Hunan të Kinës Qendrore.
Vita nisi të mësonte programimin në moshën pesëvjeçare, kur ai mezi përdorte lirisht shkopinjtë e ngrënies. Në moshën gjashtë vjeç, kur ende shkonte në kopsht, ai dizenjoi një aplikacion për numërimin mbrapsht me ndihmën e të atit. Tani, ai mund të “kodojë” vetë lojëra të thjeshta kompjuterike.
Vita e mëson programimin kompjuterik në shkollë, ndërsa në shtëpi e ndihmon edhe babai për thellimin e njohurive përkatëse.
Disa shkolla fillore në qytete të mëdha ose provinca lindore, si Pekin dhe Jiangsu, po ofrojnë kurse për teknologjinë e informacionit.
“Guantong Education” ka dhënë pajisje për mësimin e inteligjencë artificiale për mbi 1000 shkolla në provincën Jiangsu. “Megjithatë, shumë prindër që mendojnë se koha dhe thellësia e mësimit në shkollë janë të kufizuara, blejnë kurse të tjera në internet për fëmijët, madje i çojnë ata në kurse passhkollore ose institucione të arsimimit të hershëm”, tha menaxheri i kompanisë Liu Chang.
Përveç kësaj, ka mjaft aplikacione programimi në “dyqanet e aplikacioneve” të smartfonave për fëmijë. Mësuesit në distancë i njohin fëmijët me përdorimin e moduleve grafike për të arritur efektet e animacionit.
“Modulet grafike i ndihmojnë fëmijët të provojnë në mënyrë intuitive mënyrën e funksionimit të një kompjuteri,” tha Du Zide, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Kompjuterit të Kinës.
Nxënësit përshtatin robotë gjatë një konkursi në kontenë Longhui të qytetit Shaoyang në provincën Hunan të Kinës Qendrore.
Rreth 91.7% e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të Kinës shfaqin dëshirën për të mësuar teknologjinë e inteligjencës artificiale, tregon një raport mbi mësimin e inteligjencës artificiale i publikuar në vitin 2018 nga Shoqata e Instruktorëve të Shkencës për Fëmijë e Kinës.
Në vitin 2017, Këshilli i Shtetit i Kinës (qeveria qendrore) publikoi një plan zhvillimi për brezin e ri të inteligjencës artificiale për promovimin gradual të mësimdhënies së programimit, duke ofruar kurse që kanë të bëjnë me këtë teknologji në shkollat filloree të mesme dhe duke nxitur edhe përhapjen e programeve ose lojërave elektronike të mësimdhënies në këtë drejtim.
Sistemet e programimit kompjuterik kanë luajtur një rol të rëndësishëm në modernizimin e botës. Enët e gatimit të orizit, altoparlantët, e madje edhe semaforët, janë bërë më “të zgjuar” me ndihmën e inteligjencës artificiale. Mund të themi se zhvillimi e inteligjencës artificiale ka ndryshuar perceptimin e brezit të ri për botën.
Kina nuk është i vetmi vend me rritje të interesit të brezit të ri për inteligjencën artificiale. Në Britani, programimi kompjuterik është një lëndë e detyrueshme për fëmijët mbi pesë vjeç, ndërsa Franca e ka përfshirë programimin si një kurs me zgjedhje në arsimin fillor.
“Shpresojmë se programimi mund të përmirësojë aftësinë e fëmijëve në të menduarin abstrakt, përzgjedhjen e informacioneve, komunikimin dhe të menduarin hapësinor. Nuk synojmë t’i bëjmë ata programues profesionistë”, tha Zhou Cenyao, nënë e dy fëmijëve nga Pekini.
Të vegjlit po përdorin programe kompjuterike për testimin robotik në një qendër fëmijësh në distriktin Yuquan të qytetit Hohhot në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme.
Megjithatë, disa shqetësohen se përhapja e programimit ndër fëmijët kinezë ka të bëjë me ndjenjën e konkurrimit e dëshirën e prindërve.
Sipas Zhao Yu, një mësues i teknologjisë së informacionit në një shkollë fillore në Pekin, marrja prej fëmijëve e njohurive teknologjike nuk duhet të vijë nga etja e prindërve për të garantuar arsimimin më cilësor të fëmijëve.
Disa shkolla fillore dhe të mesme e kanë përfshirë aftësinë e programimit në standardet e vlerësimit të nxënësve. “Në arsimin e detyrueshëm dhe arsimin parashkollor, duhet të përfshihen inteligjenca artificiale apo programimi kompjuterik për të kultivuar interesat e fëmijëve, e jo për konkurrimin mes moshatarëve”, thotë Zhao. Sipas tij, mësuesit në shkollë të mesme duhet t’i orientojnë nxënësit t’u kushtojnë vëmendje problemeve etike të shkaktuara nga zhvillimi i inteligjencës artificiale.
Inteligjenca artificiale është një degë e ndërlikuar që kërkon njohuri shumëdisiplinore, si matematika, fizika, informatika, gjuhësia, shkenca e sjelljes, shkenca njohëse dhe shkenca e informacionit.
Kështu që “Tomorrow Advancing Life”, një sipërmarrje që merret me arsimin dhe teknologjinë, sugjeron që prindërit duhet t’i lejojnë fëmijët të ndjekin kurse të inteligjencës artificiale pasi të mbushin shtatë vjeç.
Nëse fëmijët nuk kanë njohuri të mjaftueshme paraprake, besimi dhe interesi i tyre do të humbin, thotë mësues Zhao, dhe shton: “Ka metoda të tjera për të forcuar të menduarin logjik të fëmjëve para klasës së tretë të shkollës fillore. Lojërat e tabelës, tangrami dhe loja me bashkim pjesësh figure janë zgjedhje të mira.”(Zhang Yan/Artan)