Fluksi i udhëtimeve gjatë Festës së Pranverës (Viti i Ri Kinez) vlerësohet si “migrimi më i madh periodik në botë”. Gjatë kulmit të transportit që zgjat një muaj, miliona banorë që punojnë në qytete kthehen në vendlindje për bashkimin familjar, ndërkohë që shumë të tjerë bëjnë turizëm ndërrajonal ose jashtë vendit. Sipas të dhënave statistikore, në fillim të vitit 2019, gati 3 miliardë udhëtime u bënë në kuadrin e festës më të rëndësishme tradicionale në Kinë.
Mirëpo, që nga fillimi i këtij viti, në disa provinca të vendit u raportuan raste të reja të përhapjes vendore të koronavirusit të tipit të ri. Për shembull, nga 2 deri më 14 janar, në provincën Hebei të Kinës Veriore u konfirmuan 523 raste infektimi me burim të brendshëm dhe gati 200 raste asimptomatike. Kështu që puna e vënies nën kontroll të përhapjes po përballet me sfida serioze, sepse, nga një anë, temperaturat e ulëta në dimër favorizojnë gjallërimin e virusit dhe, nga ana tjetër, shumica e rasteve të reja përqendrohen në zonat rurale, ku kushtet mjekësore dhe forcat parandaluese janë të dobëta.
Para presioneve të rënda anti-epidemike, qeveritë e ndryshme lokale bënë iniciativë për të inkurajuar banorët të kalojnë festën në vende ku punojnë. Ndërsa, qeveria qëndrore nxorri edhe një qarkore, duke nxitur sektorët e ndryshëm të garantojnë shërbimet e duhura.
Në prag të Festës, presidenti kinez Xi Jinping dërgoi më 6 shkurt, urime gjatë një vizite inspektimi në provincën Guizhou të Kinës Jugperëndimore.
"Unë dëshiroj t'i dërgoj përshëndetjet e Festës së Pranverës popullit të të gjitha kombësive në tërë vendin. I uroj çdokujt shëndet, begati në familje, suksese në punë dhe një Vit të Kaut të mbarë. Unë dëshiroj gjithashtu që atdheu ynë i madh me male dhe lumenj të bukur, të ketë më shumë përparim," tha kreu i shtetit i Kinës. Gjatë inspektimit në Guizhou, presidenti theksoi edhe një herë rëndësinë e ofrimit të shërbimeve, duke kërkuar autoriteteve vendore të marrin masa të duhura.
Në Fuzhou, kryeqendra e provincës Fujian të Kinës Jugore, Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe e Sigurimeve Shoqërore dhe sindikata e përgjithshme e qytetit u bënë thirrje mbi 1 milion punëtorëve nga fshati ta kalojnë Festën e Pranverës në qytet. Ata që zgjedhin të qëndrojnë mund të vizitojnë falas pika turistike, të marrin falas bileta kinemaje, dhurata, ushqim për darkën e vigjiljes etj. Përveç kësaj, rregulloret janë forcuar më tej për të garantuar që ata që punojnë gjatë pushimeve të kompensohen sipas ligjit.
Në distriktin Anxi të kësaj province, punëtorët nga jashtë Anxi-së mund të marrin secili subvencione me vlerë 155 $ për kalimin e Festës së Pranverës në distrikt. Me numrin e kartës së identitetit, ata mund të udhëtojnë falas me mjetet e transportit publik dhe të vizitojnë pa biletë pika turistike vendore.
Në provincat Zhejiang dhe Guangdong, dy destinacione kryesore të punësimit të punëtorëve nga fshati, ata që zgjedhin të kalojnë pushimet në vendin ku punojnë, shpërblehen me para në dorë, marrin subvencione për qiranë e shtëpisë, vizitojnë falas pika turistike dhe marrin pjesë në kurset e kualifikimit profesional ose aktivitete të tjera argëtuese që organizohen nga sindikatat ose punëdhënësit.
Kompania e prodhimit të zinxhirëve të makinerive “Donghua Group” në Hangzhou të provincës Zhejiang ka më shumë se 2400 punëtorë, mbi 80 % e të cilëve janë nga krahinat e tjera. Sipas zv.kryemenaxherit të grupit Liu Donggen, që nga fillimi i këtij viti, kompania, duke shtuar rezervën e materialeve antiepidemike, ka marrë shumë masa për t’i tërhequr punonjësit të qëndrojnë në qytet gjatë Festës së Pranverës. “Kemi blerë karta të parapaguara të supermarketeve. Do t’u japim punëtorëve edhe mallra për festën, si ushqime, zbukurime etj., si edhe subvencione për kalimin e pushimit dhe zarf të kuq(me para) në ditën e parë të rifillimit të punës pas pushimit”, i tha ai agjencisë së lajmeve “Xinhua”.
45-vjeçari Ye Guodong dhe e shoqja, që punojnë së bashku në Hangzhou, vendosën të mos ktheheshin sivjet në vendlindje për festën. “Në vendlindje patjetër do të ketë atmosferë më të ngrohtë festive nën shoqërinë e të afërmve. Por, gjatë rrugës së kthimit, ka rrezik për infektim. Nëse do të kishte problem (kontakt me virusin), duhej të kalonim një karantinë dyjavore, duke u dhënë fund pushimeve. Prandaj vendosëm të mos kthehemi. Tani mënyrat e komunikimit janë shumë të përshtatshme. Mund t’u urojmë familjarëve Vitin e Ri me celular në mënyrë virtuale. Pas festës, do të shohim mundësinë të kthehemi në një ditë tjetër (kur nuk ka fluks udhëtarësh)”, tha Ye.
Mirëpo, kur “shtyllat” e familjes zgjedhin të qëndrojnë në vendin ku janë të punësuar, ç’të bëjnë prindërit e moshuar dhe të vegjëlit e tyre në vendlindje?
Ministria e Punëve Civile po mobilizon të gjithat degët e saj në mbarë vendin për t’u kushtuar më shumë kujdes të moshuarve që kanë vështirësi. Punonjësit po i kontaktojnë ata për të marrë informacione, si për shembull, nëse familjarët do të kthehen për festë, masat e parandalimit epidemik në shtëpi, garantimin e furnizimit me materiale gjatë festës dhe kërkesa të tjera të veçanta. Në çdo lagje qyteti dhe fshati, punonjësit civilë dhe vullnetarët u ofrojnë shërbime të moshuarve që kanë nevoja për mjekim, gatim, blerje dhe përkujdesje.
Masa të ngjashme janë marrë edhe për fëmijët që e kalojnë festën me gjyshërit pa shoqërimin e prindërve. Për shembull, në kontenë Wan’an të provincës Jiangxi, 40 punonjës civilë janë emëruar kujdestarë për 1415 fëmijë që kanë nevojë për përkujdesje gjatë festës. Sipas znj. Xiao Xiaolan, zv.drejtore e zyrës vendore të çështjeve civile, në çdo fshat është krijuar një qendër shërbimi me kompjutera, lodra, artikuj shkrimi dhe mjete sportive për fëmijë.
Për shkak të pandemisë, ka edhe disa të sapodiplomuar që zgjodhën të qëndrojnë në qytetet ku punojnë për të kaluar Festën e Pranverës pa shoqërimin e prindërve.
Chang Xiaoshuai është një vajzë që punon në një kompani interneti. Kjo është hera e parë që ajo nuk bashkohet me familjen gjatë Festës së Pranverës. Por, ajo ka hartuar një program të ngjeshur. “Do të mblidhen së bashku shumë miq të mi që punojnë këtu për të kaluar vigjiljen e festës. Me shoqet e dhomës, pavarësisht se pa prindërit, do ta kalojmë festën në mënyrë tradicionale, pra, do të festojmë sipas zakonit, si për shembull, të pastrojmë e dekorojmë dhomë në data të veçanta etj.”