Në mëngjes bën regjistrimin e banimit për të huajt që punojnë në Pekin; paradite viziton familjet e lagjes për përhapjen e njohurive të mbrojtjes së sigurisë, pasdite trajton mosmarrëveshjet midis studentëve të huaj dhe fqinjve.
Çdo ditë, agjenda e Yan Xinzhuo-s është e ngjeshur me programin rutinë ose detyra të paparashikuara.
30-vjeçari, pasi u diplomua në shkollën e policisë kriminele, u bë punonjës policie në stacionin policor në parkun teknologjik “Zhongguancun” të distriktit Haidian të Pekinit. Ai përgjigjet për lagjen “Huaqingjiayuan”.
“Huaqingjiayuan”-i është lagjja më e madhe në Zhonguancun, ku banojnë me qira mbi 800 punonjës e studentë nga 50 vende, që punojnë ose studiojnë në kompani a universitete të distriktit Haidian. Prandaj Yan Xinzhuo, që di mirë anglisht, u transferua këtu para 6 vjetësh.
Megjithatë, gjatë kryerjes së detyrës së përditshme, ai has edhe disa vështirësi.
Si shumë kinezë, Yan-i njeh më mirë anglishten e shkruar sesa të folur. Kur vizitoi për herë të parë banesën e një studenti të huaj, Yani harxhoi gjysmë orë me gjeste e shpjegime të përsëritura për t’u qartësuar se ishte polic i ri i lagjes dhe se do të kontrollonte lidhur me rreziqet ndaj sigurisë në ndërtesë.
Nga kjo përvojë, ai kuptoi se duhej të ngrinte nivelin gjuhësor.
Në ditët në vijim, Yan Xinzhuo filloi të mësonte nga studentët e huaj gjatë punës. Tani pas dy vjetësh, ai mund të komunikojë me banorët e lagjes jo vetëm në anglishte, por dhe japonishte, koreanishte, frëngjishte e rusishte.
“Zotërimi i gjuhëve të tyre mund të ngushtojë menjëherë distancën dhe më ndihmon shumë në kryerjen e punës”, shprehet Yan. Sipas tij, gjithnjë e më shumë banorë të huaj po studiojnë, punojnë dhe jetojnë në Pekin, dhe ata duhet të bëjnë regjistrimin e banimit të përkohshëm në stacionin e policisë. “Nëse në takimin e parë, mund të komunikojmë lirisht dhe ata mund të kryejnë mbarë të gjitha procedurat, do të më besojnë dhe në të ardhmen, kur të hasin probleme, do të jenë si banorë vendorë që kërkojnë në kohën e parë ndihmën e policisë”, shpjegoi Yan-i.
Përveç ngritjes së nivelit gjuhësor, polici i ri ka edhe taktikat e veta për të zgjidhur mosmarrëveshjet kulturore.
Disa studentë të huaj kanë shumë qejf të organizojnë festa. Por shumë fqinj të tyre kinezë nuk e kanë këtë zakon dhe ankohen te policia.
Lidhur me këtë, Yan Xinzhuo organizoi një “kurs të kulturës kineze” për studentët e huaj. Gjatë kursit, fqinjët kinezë u mësuan pjesëmarrësve të huaj të gatuanin ushqimin tradicional jiaozi (ravioli kineze). “Mësimdhënie” të tilla kanë shmangur keqkuptimet nëpërmjet thellimit të njohjes së ndërsjellë.
Përveç promovimit të kulturës kineze, Yani ka ftuar edhe të rinjtë japonezë e koreanë të mësojnë banorët e tjerë të gatuajnë sushi dhe petë kimchi. Në këtë mënyrë, banorët nga vende të ndryshme kanë shtuar njohuritë për kulturat e tjera dhe e trajtojnë njëri-tjetrin me më shumë mirëkuptim dhe respekt.
Me mbështetjen e Yan-it, banorët e lagjes formuan një ekip vullnetar patrullimi. Anëtarët, së bashku me policët punojnë së bashku për përmirësimin kushteve të jetesës, duke kërkuar mënyrat e zgjidhjes së problemeve në fusha si çrregullim trafik, pastërtia, zhurma etj. Ndërkohë, rastet e shkeljes së ligjit kanë pasur rënie për katër vjetë radhazi.
“Policët duhet të përpiqen të jenë në gjendje të zbulojnë probleme para se marrin raportime nga banorët. Kështu që mund të zhdukim rreziqet e mundshme para se krijojnë dëme reale”, tha Yani.
Si i ri, ai inicioi i pari shërbimet në internet të regjistrimit të banimit për shtetasit e huaj. Kështu që ata mund të hyjnë në shtëpi së pari pasi bëjnë regjistrimin në internet dhe brenda kohës së caktuar të kryejnë procedurat e tjera te stacioni policor. Në këtë mënyrë, në lagjen e tij është realizuar 100 % regjistrimi i banimit të të huajve, duke ngritur efekasitetin e punës.
“Lagjja është terreni im. Nëse bëj më shumë përpjekje, banorët mund të kursejnë energji dhe kohë. Nëse i konsideroj vështirësitë e tyre si të miat, mund të zgjidh më mirë shumë probleme. Kjo është jo vetëm përgjegjësia, por edhe burimi i krenarisë sime”, tha Yan Xinzhuo.