Dimër i acartë është fjala që po dëgjojmë shpesh këto ditë, pas Covid 19. Shqipëria ashtu si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është prekur nga vala e të ftohtit, shënuar me ulje të ndjeshme të temperaturave. Metereologët e kishin parashikuar valën e të ftohtit.

I ftohti në Tiranë

I ftohti në Tiranë

“Shqipëria është prekur së fundmi nga një ulje e ndjeshme e temperaturave. Në zonat malore temperaturat do të jenë deri -14 gradë celcius. Nga e mërkura pritet të ketë një përmirësim, kur edhe do të nisë një dimër normal e jo me temperaturat e tanishme të ftohta” thuhet në njoftimin e Meteoalb.

Sipas Shërbimit Metereologjik shqiptar moti i ftohtë vjen si pasojë e stuhisë Filomena, që ka goditur Evropën. Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) informoi se për përballimin e situatës kontraktorët kanë bërë shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e të gjitha akseve, në Dedaj-Razëm-Bogë, Qafë Mali-Fierzë, Tamarë-Shkodër, Burrel-Klos-Peshkopi, Kukë-Has, Përrenjas-Kapshticë, ku qarkullimi vazhdon normalisht.

Ministrja Belinda Balluku dhe Drejtori i ARRSH, Ergys Verdho kanë inspektuar këto ditë masat e marra për pastrimin dhe kriposjen e rrugës në Qafë Thanë.

Bashkia kujdeset për të pastrehët

Bashkia kujdeset për të pastrehët

Ministrja Balluku theksoi se kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe kërkon vëmendje maksimale, ndërsa ka garantuar se janë marrë të gjitha masat për të pasur sigurinë rrugore në këto momente.

“Asnjë aks nuk është i pambuluar. Kemi marrë të gjitha masat për të pasur sigurinë rrugore maksimale në këto momente. Është situatë e jashtëzakonshme ndaj kërkojmë vëmendje të veçantë për kujdes në rrugë se nuk është e lehtë” tha për mediat ministrja Balluku.

Kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho paralajmëroi se problematike situata paraqitet në zonën e Dardhës, kurse në Veri, në zonën e Thethit. Ai siguroi që janë të gjitha kapacitetet dhe po punohet ngushtë edhe me ushtrinë.

“Problematikë rruga e Dardhës në dy kthesa ku nuk zë dielli po punohet për kriposjen se ka ngricë. Në aksin e Steblevës me Peshkopinë, Qafa e Malit dhe aktualisht janë të angazhuara 350 mjete si dhe 1000 punonjës në të gjithë vendin, duke mbajtur të hapura të gjitha akset kombëtare pavarësisht kushteve të motit me reshje dëbore dhe temperatura të ulëta. I kemi të gjitha kapacitetet. Kurse në Veri, problematike paraqitet situata në zonën e Thethit”.

Dëbora zbardh Korcçën

Dëbora zbardh Korcçën

Balluku theksoi gjithashtu se në zonën e Thethit janë të angazhuar edhe buldozerët e ushtrisë për hapjen e rrugës dhe siguroi që do të punohet ngushtë me të gjitha bashkitë që kanë probleme.

Sipas Drejtorisë së Autoritetit Rrugor Shqiptar, situata është problematike ndaj kanë këshilluar drejtuesit e mjeteve që të përdorin goma dimri, ndërsa në zonat ku ka dëborë të marrin edhe zinxhirë me vete.

Flokët e dëborës janë shfaqur dhe në bregdet e zonat e ulta të vendit. Fundjava solli kthjellime dhe diell por dhe rënie të mëtejshme të temperaturave deri në -15 gradë Celsius në zonat malore dhe nga 0 deri në -6 gradë në zonat e ulëta.

Pas të hënës u shënua përmirësim i situatës termike dhe një rritje e ngadaltë e temperaturave, madje sipas metereologëve nga data 23 janar pritet një rritje e menjëherëshme e temperaturave deri në 10 gradë Celsius.

Më të prekurit nga kjo valë të ftohti janë të pastrehët. Këto ditë të acarta dhe jo të zakonshme për Tiranën duhet vlerësuar puna e Bashkisë së kryeqytetit për sistemimin në qendra sociale të njerëzve në nevojë dhe të pastrehëve për të përballuar temperaturat e ulëta.

Puka nën dëborë

Puka nën dëborë

Punonjësit e drejtorisë së Strehimit në Bashkinë e Tiranës dhe Policia Bashkiake kanë qenë në terren për të shoqëruar në qendrat sociale, disa të moshuar, të ndodhur në situatë rruge. Tashmë ata kanë një strehë të ngrohtë, ndërkohë që janë nën kujdesin e vazhdueshëm të punonjësve socialë të Bashkisë së Tiranës.

Bashkia e Tiranës ka ngritur në të gjithë qytetin disa qendra sociale, ku përveç një vakti të ngrohtë, ata marrin edhe të gjithë kujdesin e punonjësve socialë, si dhe nëse është e nevojshme edhe vizitat mjekësore.

Dimri me pushtetin e tij të dëborës fal dhe kënaqësi për amatorët e skive, të pushimeve dhe të pasionuarve pas fotografisë. Nuk kanë munguar këto ditë fotot e shumta me dëborë nga mali i Dajtit, Korça, Pogradeci, Puka e zona të tjera të veshura nga petku i bardhë I dëborës, që kanë zbukuruar rrjetet sociale.

Evropa po përjeton një dimër të acartë, me temperatura që në disa shtete kanë arritur deri në -20 gradë celsius. Në Spanjë stuhia polare Filomena ka shkaktuar një sasi rekord dëborë, me dëme deri në 1.6 miliardë euro. Me stuhitë e dëborës është përballur edhe Gjermania, Britania, Franca e madje Portugalia teksa temperaturat kanë rënë disa gradë nën zero. Ekspertët e meteorologjisë në Evropë thonë se situata nuk do të njohë përmirësim as në ditët në vijim ndërsa ditët e para të këtij viti i kanë cilësuar si “Janari arktik”.

Eda Merepeza