Turizmi shqiptar ashtu si dhe ai botëror u godit rëndë nga pandemia Covid 19 gjatë vitit që lame pas. Mbyllja e kufijve nga vendet e BE-së bëri që turizmin ta vënë në funksionim vetëm pushuesit vendës dhe si çdo vit turistët shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por dhe nga vende të tjera të rajonit. Ndikim në rënien e numrit të turistëve, kryesisht gjatë sezonit veror të vitit 2020 pati dhe kriza financiare e shkaktuar për shkak të mbylljes së veprimtarive prodhuese, si pasojë e pandemisë.
Bregdeti shqiptar
Sipas Institutit Shqiptar të Statistikave gjatë vitit 2020 pandemia e koronavirusit e uli numrin e turistëve me 60 për qind. Në 5 mujorin e pare të vitit të kaluar Shqipëria u vizitua nga 600 mijë shtetas të huaj, nga 1.5 milion që ishte numri i tyre në vitin 2019.
Shqiptarët nga Kosova edhe pse nuk e braktisën bregdetin shqiptar në kohë pandemie, shënuan rënie 52.4 për qind krahasuar me numrin e tyre në vitin 2019.
Vetë shtetasit shqiptarë që çdo vit kanë pushuar në bregdetet e vendeve fqinje Greqi dhe Itali, por edhe në vende të ndryshme evropiane e më gjerë, kanë anuluar apo nuk kanë planifikuar pushime jashtë vendit për shkak të pandemisë si dhe mbylljes së kufijve nga vende të ndryshme.
Sipas INSTAT në korrik 2020, 246.334 shqiptarë kanë dalë jashtë Shqipërisë, duke pësuar rënie me 52.3%.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi
Panoramën turistike nën ndikimin e pandemisë e paraqiti dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë bilancit të vitit 2020 në një intervistë televizive në fund të vitit. Ai bëri të ditur se në Shqipëri erdhën më shumë se 2 milionë e gjysmë turistë në periudhën janar-tetor të këtij viti, që është rreth 50% e vitit 2019.
“Megjithëse ishte një vit i jashtëzakonshëm, një vit shumë i vështirë, turizmi shqiptar tregoi se mund t’ja dalim dhe ja doli të mbijetojë. Nuk falimentuam, pra nuk e mbyllëm sektorin. Turizmi shqiptar sidomos gjatë periudhës së verës pra fillimi i qershori deri në fund të shtatorit ka patur një biznes të shëndetshëm, ka patur ekonomi nga turizmi i brendshëm dhe turizmi patriotik”, u shpreh ministri Blendi Klosi.
Referuar Greqisë apo vendeve të tjera që mezi arritën shifrën 20 për qind të turistëve gjatë sezonit veror, ministri Klosi e quajti të suksesshme arritjen e Shqipërisë në një vit të vështirë kufizimesh nga pandemia.
Ministri Klosi theksoi se turizmi 2020 nën moton “Pusho shqip” që çelëm në ditët e para të qershorit me ministrin e Ekonomisë dhe Turizmit të Kosovës i mbushi plot hotelet dhe tregoi që sa shumë nevojë kemi ne për kapacitete të reja.
Pamje nga Ksamili
Në bilancin e veprimtarisë turistike gjatë vitit 2020 ministri Klosi u shpreh se “Shqipëria ka shfrytëzuar vetëm 20% të bregdetit shqiptar dhe investimet apo kantieret për struktura të tjera hoteliere nuk u ndalën gjatë pandemisë”
Optimizëm dhe dilema për vitin 2021
Me nota optimiste e ka përshkruar ministri Klosi panoramën turistike të Shqipërisë për vitin 2021
“2021 do të rikthehet në një vit të jashtëzakonshëm për turizmin shqiptar, nëse lehtësohet pandemia. Kam bindjen që në 2021 maksimumi deri në prill do hapet loja e prenotimeve dhe rezervimeve, sepse është një sektor që nuk funksionin me rezervime teke, por me ato masive”, – tha Klosi.
Duke paraqitur hartën e investimeve në fushën e turizmit ai tha se projektet janë në zhvillim dhe ndonëse periudhë pandemie asnjë kantier nuk e ndërpreu punën.
“Në investim janë hotelet që nga Valbona, ku ka një hotel me 5 yje në prag inaugurimi. Në asnjë moment kantieret nuk u ndërprenë pasi janë dhjetëra hotele dhe qindra miliona investime nga privati. Pra, duket se do të ketë sukses në 2021. Unë mendoj se ne jemi në 1/3 apo çerekun e kapaciteteve tona turistike. Kemi shfrytëzuar vetëm 20% të bregdetit shqiptar. Jemi ende në fillimet e turizmit të brendshëm dhe të natyrës. Kemi disa hotele të bukura në Berat, Korçë e Gjirokastër që do jenë pjesë e ekonomisë së qyteteve. S’ka një rreth në Shqipëri mos ketë hotele për turizmin”, – tha Klosi.
Operatorët turistikë nga ana tjerët janë mjaft pesimistë për vitin turistik 2020, për shkak të humbjeve që pësuan si pasojë e pandemisë, por nuk janë entuziastë as për vitin që sapo ka nisur. Kryetari i Shoqatës së Operatorëve, Rexhep Kasmi u shpreh për një televizion shqiptar se viti 2020 ishte vit i zi për turizmin.
Turizmi malor në Shqipëri
“Ishte një vit shumë i keq, por po të mendojmë që në fillimet e pandemisë u konsiderua si luftë dhe krizë totale ndërkombëtare dhe u duk e përkohshme, tani është e qartë për këdo nga parashikimet që bëhen nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe pritet që në maj-qershor të vitit 2021 të mos kemi turizëm ose pritet të fillojë lëvizja turistike”, tha Kasmi.
Kasmi shtoi se agjencitë turistike kanë hequr shumë persona nga puna, pasi nuk kanë të ardhura.
“Pjesa dërrmuese e personelit është hequr nga puna. E keqja është se këta njerëz janë shumë të investuar nga të dy palët. Është frikë se kur të fillojë puna këta njerëz nuk do të jenë në dispozicion. Duheshin gjetur mënyra në bashkëpunim me shtetin që të mbështeteshin në një farë mënyre këta njerëz”
Le të shpresojmë që vaksinimi që do të nisë së shpejti do të lehtësojë situatën pandemike në Shqipëri, duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.
Eda Merepeza