Viti 2020 i ka ditët e numëruara e madje shumë prej nesh, duke patur parasysh vështirësitë me të cilat u përballëm, mezi pret të vijë viti i ri 2021, me shpresën për më shumë shëndet, qetësi shpirtërore e lajme të mira. Si asnjëherë tjetër ky fundvit na gjeti me rregulla të rrepta, që duhen zbatuar në emër të mbrojtjes së jetës.
Tirana ndez dritat e festës së fundvitit
Duke nisur nga 24 dhjetori në Shqipëri ka nisur zbatimi i masave shtrënguese kundër pandemisë së koronavirusit. Sipas masave, pas orës 20:30 nuk lejohet asnjë lëvizje e njerëzve apo mjeteve, përveç rasteve kur kanë marrë leje, si dhe do të mbyllen të gjitha bizneset. Ora policore është nga 20:30 deri në 06:00 të mëngjesit dhe do të vijojë deri më 4 janar. Vendimi u mor nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, si një masë për të parandaluar grumbullimet për festat e fundvitit, që mund të çonin në përhapjen më gjerë të virusit Covid-19.
Në vendimin e Komitetit të Ekspertëve nënvizohen masat si “Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana ka veshur petkun e festës, pavarësisht vështirësive me të cilat përballet këtë fundviti. Qendra e qytetit ndriçon nga zbukurimet karakteristike të fundvitit, që nuk mungojnë as në mjediset tregtare. Këto ditë kryebashkiaku Erion Veliaj nga një qendër sociale shprehu dhe urimin për ndërrimin e viteve.
“I uroj të gjithë qytetarët e Tiranës Gëzuar Festat! Kush e kishte menduar se vitin të cilin e kishim projektuar si një vit festimesh për 100 vjetorin, u kthye në një vit sfidash, pas tërmetit dhe pandemisë. Por, ambicja jonë për Tiranën në këtë fundvit është të japim mesazhin se do ngrihemi më të fortë, më të bashkuar dhe më mirë se ç’ishim” është mesazhi i kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kryebashkiaku siguroi se të gjitha shërbimet do të jenë në gatishmëri gjatë gjithë periudhës së festave dhe mbrëmjes së ndërrimit të viteve.
Koncert fëmijësh i organizuar nga Bashkia Tiranë
Ai dha një mesazh për rritjen e shpirtit bemirës te qytetarët që kanë mundësi ekonomike për të ndihmuar familjet në nevojë:
Policia e Shtetit ka kaluar në “Shërbim të përforcuar”, në kuadër të festave të fundvitit, si dhe vijimin e zbatimit të masave antiCOVID. Drejtori i Departamentit për Sigurinë në Policinë e Shtetit Gjovalin Loka, në një deklaratë për mediet, duke pasqyruar masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë festave të fundvitit, si dhe për zbatimin e masave shtesë antiCovid theksoi se:
“Në kuadër të festave të fundvitit, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, si dhe në zbatim të Urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë për vendosjen e masave të reja kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë një sërë masash shtesë.”,- thekson Loka.
Policia e shtetit njofton masat për festat e fundvitit
Policia e shtetit
Ai shtoi se “Policia e Shtetit ka hartuar planet e masave në nivel qendror dhe atë vendor, në të cilat janë përcaktuar objektivat dhe detyrimet për strukturat e saj, nëpërmjet të cilave synohet: Rritja e sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve duke rritur prezencën policore në të gjithë territorin, për faktin se në raste festash kemi rritje të numrit të qytetarëve të cilët kthehen pranë familjeve të tyre për të festuar festat e fundvitit”.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve që të mos grumbullohen për festime në sheshe apo në ambiente të tjera dhe të shmangin përdorimin e fishekzjarrëve.
Ndërrimi i viteve po afron dhe kurrë më shumë se tani qytetarët nuk kanë shpresuar që viti i ri që po vjen të jetë më i mire se ky që po ikën.
Eda Merepeza