Qendra e Tiranës e zbukuruar për festat e fundvitit
Para fundvitit të gjithë pyesin “Ku do t’i kaloni festat?”. Deri vjet kjo pyetje merte përgjigje nga më të ndryshmet. Disa e kalonin ndërrimin e viteve në restorant me familjarët e miqtë, të tjerë u bashkoheshin fëmijëve apo të afërmve jashtë vendit, apo kishte nga ata që me paketa turistike shijonin në mes të dimrit plazhet e Azisë, apo pistat e skive në Evropë.
Pandemia prishi planet e fundvitit, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët e botës. Masa shtrënguese deri në mbyllje të kufijve janë marë nga shumë vende, për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të virusit. Ndërkohë tradita e tregjeve të Krishtlindjeve, blerjeve masive të festave, prenotimeve për festim në lokale…u prish.
Në Shqipëri kur shtrohet pyetja “Ku do t’i kaloni festat?”, përgjigja është gati unike nga të gjithë “Në shtëpi”.
Me mikrofonin e Radio Ejani pyetëm disa qytetarë, se ku do ta kalojnë natën e ndërrimit të viteve.
“Këtë vit të ri mendojmë ta festojmë në shtëpi me familjen, meqënëse është periudha e vështirë me Covid. Mund të festonim ndryshe, të festonim deri në mesnatë me familjen dhe pastaj të dilnim me fëmijët jashtë, por…”, shprehet një qytetare e Tiranës.
Ndërsa një i ri duket disi i trishtuar për mbylljen e këtij viti, pasi do ta kalojë vetëm me të fejuarën e larg prindërve e familjarëve të tij.
“Këtë vit do të rri në shtëpi. Vitet e tjera kam festuar gjithmonë jashtë, por për shkak të koronavirusit rrimë në shtëpi. As me familjen nuk e festoj dot pasi i kam larg. Do e festoj me të fejuarën. Kjo është një festë që ne e kemi në traditë dhe e festojmë më shumë se festat e tjera, sepse është fillimi i një viti të ri. Normalisht që mund ta festonim dhe jashtë shtetit, por…”, thotë i riu.
Edhe një e re kryeqytetase na thotë se do të qëndrojë në shtëpi për të pritur me familjen ndërrimin e viteve.
“Besoj se do ta kaloj me familjen, por ndryshe nga vitet e tjera kur jemi mbledhur më shumë vetë, pra një rreth më i gjerë familjar, kësaj radhe do të jemi thjesht me prindërit. Çfarë kemi dëgjuar dhe çfarë dëgjojmë përditë, ose familjarët që na janë prekur nga virusi, na ka bërë shumë më të ndjeshëm. Mendoj se është akoma më ngrohtë se vitet e tjera”, u shpreh një e re për mikrofonin tone.
Kufizimet e festimeve në Evropë
Nisur nga masat thuajse drastike të vendeve të tjera, ku janë mbyllur shumë aktivitete tregtare, të cilësuara si jo të domosdoshme, por dhe është publikuar plani i lëvizjes ndërmjet qyteteve, madje dhe sa persona do të mblidhen në një familje për të festuar, në Shqipëri ende nuk është shpallur ndonjë plan me masa shtrënguese.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se deri më tani nuk janë planifikuar masa shtrënguese për festat e fundviti, por nuk përjashtohet si mundësi. Sipas kreut të qeverisë kjo varet nga ecuria e virusit dhe vendimi do të merret nga Komiteti teknik i ekspertëve.
“Besoj që do ta kalojmë dhe do ta kalojmë duke dalë jo të dërrmuar por sigurisht më të çliruar dhe më të fortë. Masat shtrënguese nuk i vendos unë, i vendos komiteti teknik i ekspertëve. Masa më e rëndësishme është çfarë bëjmë si individë me rregullat e thjeshta sepse në fund të fundit ne jemi transmetuesit e këtij virusi dhe nëse e ndihmojmë apo e pengojmë virusin, varet nga ne. Deri tani nëse shohim atë që është problemi themelor i kësaj sfide, aftësinë për të përballuar fluksin e njerëzve në nevojë në spital them se jemi në ekuilibër. Nëse shohim fatalitetet edhe pse një jetë e humbur është shumë, jemi në ekuilibër. Askush, askund nuk i di të gjitha, mësojmë hap pas hapi. Për momentin nuk kemi paraprirë masa shtrënguese,por nuk i përjashton masat shtrënguese”, tha Rama.
Shqipëria në festat e fundvitit priste çdo vit emigrantë nga Italia e Greqia, të cilët mbërrinin me mjetet e tyre për të festuar me familjarët. Këtë vit për shkak të pandemisë situata duket ndryshe, ndonëse njoftohet se ka fluks udhëtarësh.
Në pikën kufitare të portit të Durrësit, 3 tragetet e linjave Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës kanë shtuar numrin e udhëtarëve, kryesisht emigrantë shqiptarë që vijnë nga Italia.
Policia Kufitare po punon me kapacitet të plotë, me 20 sportele, në funksion të udhëtarëve dhe mjeteve që priten të mbërrijnë edhe gjatë ditëve në vijim nga Italia, ku lëvizjet e qytetarëve kufizohen nga 24 dhjetori.
Edhe në pikën kufitare të Kapshticës nuk kanë munguar emigrantët e kthyer nga Greqia, ndonëse fluksi krahasuar me vitet e kaluara mbetet i ulët.
Masat shtrënguese në Evropë për festat e fundvitit
Mos harroni masat mbrojtëse edhe për festa!
Festat e fundvitit janë tashmë tema kryesore në mbarë botën në lidhje me pandeminë, pasi krerët e shteteve iu frikësohen grumbullimeve të mëdha, gjë që mund të çojë në përkeqësimin e situatës me koronavirusin.
Për këtë arsye, pjesa më e madhe e Europës ka shtuar masat, orën policore, madje nuk do të lejojë dhe mbajtjen e meshave brenda në kisha për festën e Krishtlindjeve. Masat shtrënguese nga qeveritë evropiane kanë ndaluar këtë fundvit njerëzit të mos takojnë dot të afërmit e tyre dhe mos të udhëtojnë dot jashtë shtetit të tyre. Italia nga 24 dhjetori shpallet e gjitha “zone e kuqe” dhe janë mirëpërcaktuar data e lëvizjeve brenda vendit. Në Francë restorantet dhe shkollat do të jenë të mbyllura deri në 20 janar. Qeveria gjermane ka vendosur se do të lejojë një limit vetëm prej 5 personash brenda 1 banese gjatë festave si dhe janë anuluar shfaqjet e fishekzjarreve. Spanja do të jetë ndër të paktat vende të cilat do të lejojnë të zhvillohen festa gjatë Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve, ku banorët do mund të organizojnë festa në tarraca me një limit deri në 6 persona.
Eda Merepeza