Timoshenko në intervistë kolektive për media kineze

Timoshenko në intervistë kolektive për media kineze

“Mjekësia tradicionale kineze më ndihmoi të mposht COVID-19”, tha ish-kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko pasi e kaloi gjendjen e rëndë prej infektimit nga koronavirusi i ri. Ajo tani është bërë një adhuruese e mjekësisë tradicionale kineze dhe po i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i kushtojë vëmendje studimit të kësaj mjekësie dhe ta praktikojë në luftën kundër epidemisë së tanishme e sëmundjeve të tjera.

Timoshenko u konfirmua e infektuar me COVID-19 më 23 gusht dhe ishte në gjendje serioze. Ajo u ventilua, dhe pasi nuk shfaqi shenja pozitive, vendosi të kërkojë ndihma nga Kina.

Me ndërmjetimin e ambasadës së Kinës në Ukrainë, ekipi mjekësor i Timoshenkos kontaktoi me homologët kinezë për të marrë trajtime të përshtatshme duke përdorur mjekësinë tradicionale kineze.

“Ajo e mori dozën e parë më 5 shtator dhe shpejt u ndje më mirë. Pas shtatë ditësh, u shërua plotësisht dhe mori rezultatin negativ të testimit”, tha z. Cai Chuanqing, mjek kinez që bëri trajtimin në largësi të ish-zyrtares së lartë ukrainase. 49-vjeçari është një ekspert i mjekësisë tradicionale kineze dhe punon si drejtor i Institutit të Kulturës dhe të Ekonomisë “Jintai” në Pekin.

Mjeku Cai Chuanqing u dekorua me medalje në Ukrainë

Mjeku Cai Chuanqing u dekorua me medalje në Ukrainë

Pas shërimit, Timoshenko i dërgoi ambasadës së Kinës një video, duke shprehur falënderimin për ndihmën që i dha pala kineze në betejën kundër sëmundjes së rrezikshme dhe vlerësimin për efektet shëruese të mjekësisë tradicionale kineze. Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen ndaj mjekëve kinezë, të cilët e udhëzuan të përdorte mjekësinë tradicionale kineze kur vuante nga simptomat më të rënda të sëmundjes.

Sipas z. Cai, mjekimi që përdori me znj. Timosheko bazohej mbi një recetë të krijuar në dinastinë Han (206 p.e.s - 220 e. s.), me një histori 2000-vjeçare. Barnat e recetës mund të shënjestrojnë natyrën mjaft ngjitëse të koronavirusit të ri dhe të parandalojnë zhvillimin e shpejtë dhe sulmin e tij ndaj sistemit imunitar të njeriut.

“Receta ndjek parimin e mjekësisë tradicionale kineze, duke forcuar trupin dhe duke luftuar koronavirusin nëpërmjet ndalimit të përhapjes së tij brenda trupit, dhe pastaj duke rritur imunitetin dhe duke rikthyer funksionet normale”, shpjegoi z. Cai.

Sipas tij, ish-kreu i qeverisë ukrainase i tha se mjekësia tradicionale kineze e ka kaluar testin e kohës dhe se ajo është e gatshme ta promovojë atë në pjesën tjetër të botës.

Para pandemisë që ka përfshirë tërë botën, Kina po ndan aktivisht me vendet e ndryshme përvojën e saj në mjekimin me barna tradicionale, pasi vëzhgimet klinike në Hubei, provincën e goditur më rëndë nga virusi, treguan se trajtimi me mjekësinë tradicionale ishte i efektshëm në mbi 90% të rasteve. Prandaj, në pjesën dërrmuese të ekipeve mjekësore që dërgohen nga qeveria kineze në vende të ndryshme, ka ekspertë të mjekësisë tradicionale kineze. Ndërkohë, organizatat dhe institucionet kineze kanë dhuruar barna tradicionale, bimë mjekësore, gjilpëra akupunkture etj., për banorët në dhjetëra vende.

Mirëpo përdorimi gjerësisht i barnave tradicionale kineze në spitalet e huaja përballet me pengesa të mëdha në shumë vende. Për shkak se sistemet mjekësore kineze dhe perëndimore kanë ndryshime të mëdha, tregu i vendeve perëndimore nuk është i gatshëm për të pranuar barna të tilla. Në shumë vende, barnat tradicionale kineze shiten vetëm si produkte shëndetësore ose ushqimore, raporton agjencia e lajmeve “Xinhua”. Sipas saj, çdo vend ka rregullat dhe standardet e veta të farmaceutikës. Por, eksperimentet për barnat tradicionale kineze janë shumë të vështira për t’u bërë sipas procedurave të tanishme perëndimore.

Megjithatë, pandemia e kësaj here ka nxitur përhapjen e barnave tradicionale kineze. Kapsula “Lianhua Qingwen” ka fituar licensën e shitjes në mbi 10 vende dhe rajone, duke përfshirë Kanadanë, Indonezinë, Brazilin dhe Rumaninë, duke filluar edhe procesin e regjistrimit në më shumë se 30 vende të tjera.

Kërkesat për barna kineze në vende si Italia patën rritje të vrullshme në korrik, sepse ndryshe nga mjekësia perëndimore, që e fillon mjekimin vetëm kur pacienti merr konfirmim prej testimit, terapitë kineze mund të ofrojnë trajtim në bazë të simptomave jo vetëm për ata që janë të konfirmuar, por edhe të dyshuar.

Në gusht, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, Vladmir Norov, i dha një çmim të veçantë prodhuesit të kapsulës “Lianhua Qingwen”, Kompanisë Farmaceutike “Yiling” të Shijiazhuang-ut, për kontribut në parandalimin dhe kontrollin e COVID-19 në vendet anëtare të Organizatës, gjë që tregon njohjen ndërkombëtare për rolin e barnave tradicionale kineze në trajtimin e epidemisë.

Ndërsa në Rusi përhapja e mjekësisë tradicionale kineze ka një histori mbi 20-vjeçare, sidomos mes zyrtarëve dhe biznesmenëve. Gjatë përballimit të pandemisë së kësaj here, barnat tradicionale kineze kanë tërhequr vëmendjen e qarqeve të ndryshme vendore.

Në disa uebsajte mjekësore ruse janë postuar udhëzime të hollësishme për kapsulat “Lianhua Qingwen” dhe ky ilaç mund të blihet në internet.

Huang Guorong, një mjek kinez në Moskë i diplomuar në degën e mjekësisë tradicionale kineze të Universitetit të Pekinit, i tha gazetës “Global Times” se gjithnjë e më shumë rusë po përdorin barna kineze për të parandaluar COVID-19 pas shpërthimit të epidemisë në vendin e tyre.

Në krahasim me mjekimet perëndimore, ku përdoren shpesh antibiotikë, mjekësia tradicionale kineze fokusohet më shumë te trupi si një i tërë, sepse synon mbrojtjen e tij nëpërmjet forcimit të sistemit imunitar, tha z. Huang.

Ndërsa Li Yunhai, një tjetër mjek i njohur kinez në Moskë, u shpreh se disa zyrtarë rusë u vizituan te mjekët kinezë gjatë epidemisë për parandalim dhe mjekim.

Ai ka trajtuar një zyrtar rus që vuante nga tensioni i lartë i gjakut, pafuqia e astma pas shërimit nga COVID-19. Z. Li e trajtoi me një sërë terapish, si barna, akupunkturë dhe “gërryerje të lëkurës”. Pas disa trajtimesh, zyrtarit iu kthye sërish shëndeti.

Sipas z. Huang, klientët e tij përfshijnë zyrtarë të distrikteve të Moskës dhe anëtarë të Dumës. “Ish-presidenti Boris Jelcin ka pasur një terapist të mjekësisë tradicionale kineze. Në vitet ’90 të shekullit të kaluar, mjekësia kineze u fut për herë të parë në Rusi dhe që nga ajo kohë, është mirëpritur nga zyrtarët dhe biznesmenët”, thotë ai.