Pajisja e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrike, siç janë kartat e identitetit dhe pasaportat nisi në vitin 2010 dhe këto dokumente u lëshuan me një afat 10 vjeçar. Jemi në 2020 dhe një numri të konsiderueshëm shqiptarësh u kanë skaduar këto dokumente të rëndësishme. 31 dhjetori do të gjejë shumë qytetarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit me karta dhe pasaporta biometrike të skaduara. Për shkak të pandemisë vlefshmëria e kartave të identitetit përgjatë këtij viti u shty deri më 31 dhjetor, që shënon dhe afatin e fundit të aplikimit të shtetasve shqiptarë.
Njoftimi per skadimin e kartave te identitetit
Autoritetet e larta të Ministrisë së Brendëshme kanë bërë thirrje këto ditë që të kryhen sa më shumë aplikime për të shmangur fluksin e qytetarëve në zyrat e aplikimit.
Ministri i Brendshem Sander Lleshaj
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në një postim në mediet sociale shkruan:
“Në 31 dhjetor 2020 skadojnë një numër i lartë kartash identiteti të shtetasve shqiptarë. Për shkak të pandemisë, vlefshmëria e ID kartave që skadonin përgjatë vitit 2020, u shty deri në datën 31 dhjetor. Kjo pritet të sjellë një fluks aplikimesh javët e fundit të vitit. Ndaj, aplikoni pa humbur kohë, për të evituar radhët”, tha Lleshaj.
Ministri thekson se ri-aplikimi për kartë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit.
Edhe zëvendësministrja e brendëshme Romina Kuko gjatë një interviste për ATSH-në u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin fluksin dhe për të aplikuar sa më pare online dhe në zyrat e gjendjes civile.
“Viti 2020 shënon vitin kur kartat e identitetit të vitit 2010 skadojnë. Kemi një numër shumë të lartë të kartave, të cilat do të duhet të rinovohen. Kemi bërë thirrje të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme për qytetarët, të cilët duhet të aplikojnë për këto karta të reja, sepse është një moment shumë i rëndësishëm. Është momenti kur çdo shërbim në Republikën e Shqipërisë lidhet me kartën e identitetit. Pra nuk mund të marrësh sot asnjë shërbim në zyrat e shtetit por gjithashtu dhe në sektorë si sektori bankar e të tjerë pa patur një kartë të vlefshme identiteti. Bëjmë thirrje që qytetarët të rezervojnë takimet e tyre, të fillojnë të aplikojnë. Jemi pothuajse në mes të nëntorit dhe do të thotë që do të kemi radhë të gjata nëse qytetarët e vonojnë këtë process. Ju lutem lini takimin tuaj në e-Albania, aplikoni për kartën tuaj të identitetit”, tha zëvendësministrja Kuko.
Zevendesministrja e brendshme Romina Kuko
Por çfarë masash janë marrë në zyrat e aplikimit që qytetarët të mos krijojnë flukse dhe të shmanget mundësia e infektimit me koronavirusit këto ditë të rritjes së numrit të të infektuarve me të në mbarë vendin? Kësaj pyetjeje i është përgjigjur zëvendësministrja Kuko:
“Ne kemi marrë të gjitha masat sa i takon situatës së pandemisë COVID-19. Në çdo zyrë të aplikimit për rinovimin apo për të marrë karta të reja identiteti zbatohet plotësisht protokolli i sigurisë, i cili monitorohet nga Policia e Shtetit. Prandaj i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kartat e identitetit janë në prag të skadimit të aplikojnë online dhe të vijojnë procedurat sa më shpejt, me qëllim që të mënjanojmë çdo fluks të mundshëm që mund të na krijohet deri në fund të vitit”,- tha Kuko për ATSH-në.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se janë marë masat e duhura sa i takon çështjes së kartave të identitetit, duke pezulluar skadimin e tyre gjatë periudhës së karantinimit për shkak të pandemisë, si dhe duke i dhënë mundësi të moshuarve mbi 75-vjeç të pajisen me karta identiteti të përhershme, pasi duke vlerësuar dhe situatën e vështirë nga pandemia të moshuarit duhet të evitojnë daljet e tepërta.
Lidhur me pasaportat biometrike, Kuko tha se situata ndryshon dhe nuk pritet fluks. Kjo për faktin se dinamika e pasaportave biometrike është ndryshe nga ajo e kartave të identitetit, pasi qytetarët janë më në kontakt me pasaportat, si mjeti me të cilën udhëtojnë përtej kufijve dhe rinovimi i tyre ka qenë më i shpeshtë.
Aplikimi per kartat e indetitetit
Karta e identitetit shërben për veprime administrative, veprime financiare, kalim në Pika Kufitare, kusht për rinovimin e pasaportës, skadimi i ID kartës e bën të pamundur marrjen e shërbimeve për qytetarët, nga fillimi i vitit 2020.
Një numër i madh shërbimesh tashmë kryhen online, nëpërmjet kartës së identitetit. Skadimi i ID kartës e bën të pamundur marrjen e shërbimeve për qytetarët, nga fillimi i vitit të ardhshëm. Ri-aplikimi për ID kartë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit. Shërbimi i pajisjes me dokumente identiteti është i pranishëm edhe në Ambasada e Konsullata shqiptare në 6 shtete: në Greqi, Itali, Belgjikë, Gjermani, Britania e Madhe dhe SHBA.
Hapat që qytetarët duhet të ndjekin për t’u ri-pajisur me ID kartë janë:
Bli kuponin për Letërnjoftimin/Kartën ID, pranë Zyrës Postare;
Rezervo online orarin në e-Albania;
Paraqitu në Zyrën e Aplikimit dhe kryej aplikimin.
Eda Merepeza