Kur Zhang Zongxi erdhi për herë të parë në fshatin Huangshan të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore për të shërbyer si zyrtar fshati në vitin 2018, u çudit, sepse rrallë shihte femra në vende publike.

Në Huangshan, një fshat i varfër në Kontenë Autonome të Kombësisë Dongxiang, banojnë tani 922 gra, por në atë kohë mbi 98 % e grave ishin shtëpiake, të cilat, përveç punëve të bujqësisë, kujdeseshin edhe për të moshuarit dhe fëmijët. Shumë prej tyre nuk kishin dalë asnjëherë jashtë fshatit.

Zhang vizitoi shumë familje, duke u përpjekur të rekrutonte punëtore për një punishte të krijuar në korrikun e vitit 2018 nga një ndërmarrje që synon lehtësimin e varfërisë. Mirëpo misioni i tij dështoi.

Zyrtarë të tjerë të fshatit i thanë se pak gra në fshat mund të takoheshin ose të bisedonin me të panjohur. Ato nuk mund të shtroheshin me mysafirët rreth së njëjtës tryezë, por hanin në dhomën tjetër.

Vetëm disa muaj më pas Zhang-u arriti të marrë “miratimin” e një burri të fshatit për të folur me gruan e tij lidhur me punësimin.

Zhang mendonte se nuk do të haste shumë vështirësi për ta bindur gruan të punonte në punishte, por para se ai të mbaronte së foluri, gruaja u kthye në dhomën e vet, duke mos pranuar.

Në Shaheichi, një tjetër fshat i Dongxiang-ut, një zyrtar që sapo kishte marrë detyrën, Zhou Shengfeng, hasi probleme të ngjashme.

“Shumica e vajzave në fshat e lënë shkollën që në klasën e dytë të fillores. Shumë prej tyre martohen kur janë vetëm 16 ose 17 vjeçe. Është e zakonshme që një e re në të 20-tat të ketë katër - pesë fëmijë”, tha Zhou.

Ai u mundua një herë të bindte një baba ta lejonte të bijën të ndiqte shkollën e mesme, por babai nuk pranoi, duke thënë se “ky është fati i vajzave në Dongxiang”.

Për shumë breza, jeta e grave në Dongxiang ka qenë e lidhur me fatin dhe varfërinë. Megjithatë, ka pasur edhe disa që nuk kanë pranuar të vuanin në heshtje.

Në vogëli, Ma Haizhe dëshironte të shkonte në shkollë si djemtë e fshatit, por e ndalonin prindërit. Vajza e vendosur vrapoi zbathur për në shkollë. Vullneti i saj i preku prindërit, që e pranuan më në fund kërkesën e saj.

Në ditën e parë të shkollës, e ëma i tha vajzës: “Mëso me zell dhe mos u dorëzo si unë”.

Megjithëse, më në fund, në moshën 17-vjeçare, Ma, si vajzat e tjera të fshatit, u martua, ajo nuk hoqi dorë nga lufta për një jetë të ndryshme.

Ma Haizhe, që tani është 31 vjeçe, pa një dritë shprese kur mësoi se një punishte po rekrutonte punëtore në fshatin e saj.

Pronarja e punishtes është Ma Xiaoxiao, që ka lindur në Dongxiang dhe është një vit më e re se Ma Haizhe. Jeta e Ma Xiaoxiao-s është krejt e ndryshme nga e grave të tjera në vendlindjen e saj, sepse familja e saj u zhvendos në Lanzhou, kryeqendër e provincës, kur ajo ishte adoleshente. Aty Ma Xiaoxiao ndoqi universitetin e gjeti punë.

Ajo bëri një vizitë në vendlindje në vitin 2017 dhe u shtang nga situata e pandryshuar dhe statusi i femrave në Dongxiang.

Duke e ditur se gratë në Dongxiang dallohen në qëndisje, Ma Xiaoxiao dhe i shoqi morën vendimin të krijonin një punishte për të punësuar gratë vendore.

Në muajt e parë, vetëm rreth dhjetë gra në mbarë kontenë pranuan. Çifti në fillim u quajt nga banorët vendorë si krijues telashesh, sepse të moshuarit mendonin se ata mund të prishnin familjet dhe të zvetënonin gratë.

Por, Ma Xiaoxiao ishte e vendosur të përballej me dyshimet e të moshuarve dhe të ndryshonte konceptet e tyre të prapambetura.

Teksa gjithnjë e më shumë masa ndihmëse qeveritare kundër varfërisë po viheshin në zbatim dhe u përfshinë më shumë zyrtarë të fshatit e forca shoqërore, Ma Xiaoxiao nuk ishte më e vetme.

“Duhet t’i ndihmojmë këto gra të kuptojnë se mund ta ndryshojnë jetën e tyre, duke i çliruar ato nga kufizimet familjare”, thotë Qi Xiuli, zv.kryetare e komitetit të përhershëm të Asamblesë Popullore të Dongxiang-ut dhe kryetare e Shoqatës së Grave të kontesë.

Me ndihmën e forcave të shumëllojshme, gjithnjë e më shumë gra kanë gjetur punë në punishte të ndryshme dhe Ma Haizhe realizoi ëndrrën e saj.

Puna në qëndistari i sjell asaj barasvlerësin e rreth 450 dollarëve amerikanë të ardhura në muaj.

Grupi i parë i grave të punësuara në Dongxiang kanë pasur sukses në rritjen e të ardhurave të familjeve, pa harruar detyrimet e tyre tradicionale familjare, duke fituar mbështetjet e plota të burrave dhe të vjehërrve të tyre.

Në të njëjtën kohë, më shumë banorë në Dongxiang kanë filluar ta pranojnë këtë ndryshim. Disa gra të moshuara madje punojnë me vajzat dhe mbesat në të njëjtën punishte dhe shumë burra tani i lejojnë gratë e tyre të punojnë.

“Të ardhurat e grave dhe statusi i tyre në familje, si dhe marrëdhëniet e tyre me familjet, kanë pasur ndryshim të shpejtë. Gra si Ma Haizhe kanë ndjekur një rrugë të ndryshme nga nënat e tyre. Ndërsa vajzat e tyre patjetër do të ecin më larg”, tha Ma Xiaoxiao.

Deri tani, ka 55 punishte kundër varfërisë në Dongxiang në fusha si floktaria, prodhimi i çadrave etj. Këto punishte ofrojnë vende pune për mbi 3 100 banorë, 2 601 prej të cilëve janë gra.