Sezoni i ri televiziv i nisur në shtator ka sjellë ndryshime të mëdha në ekranet shqiptare.
Gara mes televizioneve në vend sa vjen e bëhet më e ashpër. Lufta për audiencë, përkthehet në përzgjedhjen e gazetarëve më të paguar në treg, që do të thotë më shumë të ardhura nga reklamat.
Ne kurthin e Piter Pan
TV Klan dhe Top Channel vijojnë të jenë televizionet më të mëdhenj në vend sa u përket të ardhurave.
Në këtë garë prej dy vitesh është përfshirë edhe Radio Televizioni Publik shqiptar, i cili pas një gjumi gati letargjik, duket se është rizgjuar. Po kështu edhe Vizion Plus, që gjithsesi ka pretendimet e veta dhe përpiqet që të mos e humbë audiencën, pavarësisht ulje ngritjeve që ka patur.
Po cilat janë shtyllat, ku mbështetet konkurenca mes tyre?Aktualiteti, spektakli dhe serialet më të ndjekura në botë: janë shtyllat më të rëndësishme në të cilat televizionet më të fuqishme në treg, po konkurojnë fort mes tyre.
Informacioni dhe debatet politike janë arenat ku përballja bëhet më e fortë. E nëse edicionet e lajmeve, televizionet kanë zgjedhur t'i drejtojnë emra me eksperiencë në fushën e gazetarisë, debatet politike konsiderohen si programet me ndikimin më të madh opinionbërës në vend dhe lufta më e madhe bëhet aty.
Javë pas jave, gara për debat politik, finalizon të enjteve në mbrëmje, ku fiton, ai që ka zgjedhur për diskutim temën më të nxehtë dhe ka ftuar analistët më të mirë.
Në Tv Klan, është gazetari Blendi Fevziu, që edhe në këtë sezon, vijon të drejtojë “Opinion”-in, një skaner i pandërprerë 23 vjeçar i jetës politike në vend. Salloni i politikës dhe aktualitetit, ka hapur dyert katër mbrëmje në javë, për të dëgjuar opinionet e politikanëve dhe analistëve.
Opinion Blendi Fevziu
Për të shtuar konkurencën e fortë, me Opinioni-in e Blendi Fevziut, Top Channel, ka kaluar emisionin gati homolog “Open” të Eni Vasilit, katër herë në javë, në ora 21 00. Dëm kolateral i kësaj lëvizjeje ka qenë emisioni tradicional i Top Channel, titulluar “Top shoë” i Alban Dudushit, i cili është larguar nga ekrani.
Nëse tradicionalisht ky debat zhvillohej mes Tv Klan dhe Top Channel, në garë kanë hyrë edhe News 24 me të njëjtin programin homolog, “Real story”, si dhe disa televizione të tjera, më të reja dhe më të vogla, që pavarësisht potencës reale të tyre, e kanë kuptuar se përballja e të enjtes, është përballja e pushtetit mediatik dhe politik dhe që përkthehet në audiencë, ndikim dhe reklama. Ndër konkurentët e denjë, që i është bashkuar garës të së enjtes, është edhe Syri Tv me gazetarin Çim Peka nw emisionin “Çim Peka Live”.
Emisionet tematike, ose fasha e orarit të pasdites, që kryesisht i drejtohet një audience femërore, përballen kokë më kokë, me të njëjtit tituj si edhe në sezonin e shkuar.
“Rudina”, titullohet programi i prezantueses së njohur Rudina Magjistari e që transmetohet në orën 17.00 në Tv Klan, ndërsa “Takohemi në 5”, është programi konkurent, nga Bieta Sulo, që transmetohet në Top Channel. Temat janë pothuajse të njëjta, edhe të ftuarit gjithashtu. Rivaliteti luan me pak pikë.
Open Eni Vasili
Në fakt konkurenca mes dy televizioneve më popullore në vend, nis që në mëngjes, ku edhe për këtë sezon, vijojnë transmetimin, duke konsoliduar pozicionet e tyre, “Morning Aldo Shoë” në Tv Klan, me “Wake Up”, që transmetohet në Top Channel.
Orari i transmetimit në këto dy programe është i njëjtë, nisin në orën 7 të mëngjesit dhe për tre orë mbajnë publikun të mbërthyer. Ndryshimi qëndron në koncept, pasi i pari është më shumë argëtues dhe i drejtohet kryesisht shtëpiakeve, ndërsa i dyti sjell më shumë informacion dhe nuk është përjashtues në audiencë.
Sa i takon spektaklit, konkurenca më e madhe bëhet për të dielën e pasdites, ku prej shumë vitesh konkurojnë dy spektakle argëtuese, siç i ka hije një dite pushimi. Në këtë betejë, mes “E diela shqiptare”, që drejtohet nga producenti dhe artisti i dashur për publikun Ardit Gjebrea dhe që transmetohet në Tv Klan dhe “E diell”, në Top Channel, barometri i audiencës ka anuar më shumë nga Tv Klan, pasi ky televizion ka besuar tek profesionalizmi dhe eksperienca e Gjebreas. Të dy këto spektakle do vijojnë edhe gjatë sezonit të ri të vjeshtës. Top Channel, ndërkohë po provon me rubrika të reja për të qenë më konkurrues.
Tjetër program shumë i dashur për publikun, që ka dominuar audiencën e të dielës në mbrëmje për rreth 10 vite, ka qenë spektakli i humorit “Portokalli”, i krijuar në Top Channel dhe që do të vijojë edhe gjatë këtij sezoni në “Top Channel”, pavarësisht largimeve të disa artistëve që mund të ketë. Emri më i përfolur për largim është vetë regjizori Altin Basha.
Klanifornia
Në Tv Klan, me një spektakël humori të ri në moshë, por njerëz me eksperiencë në këtë fushë, konkuron “Klanifornia” të shtunave të çdo jave. Gjithashtu me spektakël humori, të shtunave në mbrëmje, vjen në Vizion Plus “Al Pazar”, një mbrëmje humori, që mban firmën e njërit prej humoristëve më të njohur e të dashur në vend, Agron Llakaj.
Struktura e tre programeve është pothuajse e njëjtë, ndërsa aktorët dhe skenaristët, respektivë, megjithë lëvizjet e tyre, nuk kanë mundur të lëvizin programet nga shtëpitë ku kanë lindur. Pavarësisht përpjekjeve, Portokalli deri tani, ka qenë fituesja e përballjes së humorit dhe do të vijojë në Top Channel.
Nëse Tv Klan, e ka fituar konkurencën në betejën për spektakël, kjo vjen edhe nga fakti se ky televizion ka lidhur kontrata të rëndësihme me dy producente mjaft të njohura, me regjisoren Vera Grabocka dhe prezantuesen Alketa Vejsiu.
Bëhet fjalë për spektakle që operojnë mbi patenta ndërkombëtare dhe që realizohen mjeshtërisht nga dy producentet.
Portokalli
Edhe gjatë këtij sezoni në Tv Klan do të shfaqen spektaklet më të reja të dy producenteve femra, emri i të cilave lidhet me suksesin.
Në sport, kuzhinë, turizëm, televizionet po përpiqen të konkurojnë fort një tjetrin. Me formate të reja, apo edhe risi. Por një gjë është e sigurtë. Sapo prodhimi rezulton i suksesshëm, televizioni tjetër, hyn në treg me një ide pak a shumë të ngjashme.
Kështu, nëse në Top Channel, fillon edicioni i ri i një gare gatimi, me titull “Hell Kitchen”, (Kuzhina e Djallit), në Televizionin Publik Shqiptar kemi “Gjyshet milionere”, një reality show që i përgjigjet të njëjtës temë dhe “Aromë dreke”, një program ku demostrohen receta gatimi nga një shef kuzhine i njohur në Tv Klan.
Të njëtën ide të demostrimit të recetave, kanë edhe dy programet e tjera në dy ekrane më të vegjël, në News 24, që mban meritën që për herë të parë në historinë e televizionit shqiptar ka realizuar një program të tillë dhe Raport Tv.
Gara për programin më të mirë, jo rrallë përkthehet edhe në garë për drejtuesen më të bukur. Një varg vajzash të ekranit, janë vënë në drejtimin e programeve kryesisht argëtuese. Kontratat e tyre të firmosura, herë në njërin televizion e herë në tjetrin dhe hiret e tyre të bukura, nuk e lë në hije ambicien e tyre, për të dëshmuar se janë edhe vajza të zgjuara.
Kështu gjatë këtij sezoni kemi ardhjen e Bora Zemanit në Top Channel, Marina Vjollca do të vijojë në Tv Klan, ndërsa motra e saj Luana në Top Channel.
Por ai komponent që duket se edhe gjatë këtij sezoni, do të shërbejë si barometri i audiencës, janë serialet televizive. Blerjet nga prodhuesit turk të serialeve për Tv Klan, gjatë viteve të fundit, ka rezultuar mjaft e sukseshme, duek mbwrhyer para ekranit me mijwra shikuese, sidomos femra; ndërkohë që Top Channel, parapëlqen serialet latinë si dhe serialet modernë me audiencë të lartë në Europë.
Neritana Kraja