Intervistë me drejtoren e Drejtorisë së Zhvillimit të Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit Rovena Moçka

Rovena Moçka

Rovena Moçka

CMG: Jemi afër fundit të shtatorit dhe tradicionalisht përfundimit të sezonit turistik veror, por nëse i referohemi një deklarate të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ai ka thënë se këtë vit sezoni do të mbyllet me 15 nëntor. Si e cilësoni ju këtë sezon veror, që në mbarë botën ka qenë pa precedent, për shkak të pandemisë?

Rovena Moçka: Po saktësoj fillimisht deklaratën e ministrit Klosi për mbylljen e sezonit veror më 15 nëntor. Në fakt është një përkufizim i kërkuar nga ligji për të gjithë operatorët turistikë, që menaxhojnë stacionet e plazhit, për t’u dhënë mundësi atyre të shfrytëzojnë vijën bregdetare deri në datën 15 nëntor, pasi këtë vit po ndihmohen dhe nga moti i mirë. Kjo është e përkufizuar në ligj si sezon turistik, por do të duhet që sa më parë të bëjmë rregullimin e këtij nocioni, sepse ajo që kërkohet dhe synohet prej më shumë se 3 vitesh, është zhdukja e kufijve e atij që është konsideruar tradicionalisht si sezoni turistik në Shqipëri. Tashmë kjo industri, përjashtuar vitin 2020, që siç e thatë dhe ju, ishte një vit i ndryshëm për të gjithë botën, ne duam që i gjithë viti të jetë turistik, duke qenë se i kemi të gjitha potencialet për të ofruar, jo vetëm turizmin klasik të rërës dhe bregut, por të gjithë gamën dhe llojet turistike, që mund të shfrytëzohen në Shqipëri.

Saranda

Saranda

CMG: Nisma “Pusho shqip” e këtij sezoni veror ishte disi e nevojshme për të gjithë shqiptarët, anipse kjo u kushtëzua nga kufizimet e pandemisë. Mjafton t’i referohemi mediave sociale dhe do të shohim se sa shumë pushues kanë frekuentuar jo vetëm bregdetin, por dhe turizmin malor, si dhe kanë pushuar në fundjavë anembanë vendit. Pra shumë shqiptarë për herë të parë kanë “zbuluar” bukuritë e vendit. Mendoni se fushata “Pusho shqip” i përmbushi pritshmëritë?

Rovena Moçka: Fushata “Pusho shqip” është ideuar që në ditët e para të pandemisë, kur pati një projeksion të zgjatjes në kohë të pandemisë dhe kur u vërejt se viti 2020 nga pikpamja e industrisë së turizmit do të ishte ndryshe. Në këto kushte na duhej të shfrytëzonim turizmin “domestik” apo vendës për të korigjuar dëmet e mëdha që ishin parashikuar se do të sillte pandemia. Po t’i ishim rikthyer ditëve kur ideuam këtë fushatë, ndoshta do ta kishim konceptuar si fushata “Njih shqip”, sepse ka rezultuar që shumica e pushuesve dhe qytetarëve të Shqipërisë realisht kanë qenë të surprizuar nga shumë destinacione turistike të atdheut, që për ta ishin të panjohura. Mund të flas dhe nga eksperienca personale, që nuk i kemi njohur të gjitha potencialet dhe eksperiencat që të ofron territori i vogël, por i larmishëm nga pikpamja turistike e Shqipërisë. Në këtë drejtim mund të them se kjo e keqe, pra pandemia, solli dhe një të mirë për turizmin shqiptar, sepse arritëm të njihnim shumë prej vendeve, që ndoshta në kushte të zakonshme nuk do t’i kishim vizituar. Mbështetur edhe në shifrat e para të publikuara nga Banka e Shqipërisë vërehet një balancim të shifrave të humbjes nga turizmi i të huajve, të asaj që njihet si fushata “Pusho shqip”. Ky është një ngushëllim për industrinë turistike në vend, që po realizon të ardhura që më parë merreshin nga të huajt që vizitonin Shqipërinë, por tani krijohen nga shqiptarët që vizitojnë atdheun e tyre.

Turizmi malor detar

Turizmi malor detar

Turizmi bregdetar

Turizmi bregdetar

CMG: Specialistët e turizmit e kanë quajtur të varfër sezonin turistik veror 2020. Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi në një deklaratë për mediat para disa ditësh tha se humbjet që ka pësuar ky sektor, për shkak të pandemisë e kanë çuar atë 3 vjet prapa. Ndërkohë pritet një valë tjetër pandemike gjatë vjeshtës dhe dimrit. Çfarë plani ka dikasteri juaj për të kaluar sa më lehtë goditjen e pandemisë ndaj sektorit turistik në vijimësi ?

Rovena Moçka: Kjo ishte një situatë e paparashikuar për mbarë botën dhe sigurisht që turizmi është një ndër sektorët më të dëmtuar dhe unë bashkohem me shqetësimin e të gjithë operatorëve turistikë. Le të kujtojmë se të gjitha vendet e botës po përballen me të njejtën situatë, që do të thotë se nuk jemi ne më pak të favorizuarit. Nga kjo pikëpamje nuk ka një dëmtim të imazhit, që konsiderohet mjaft i rëndësishëm për industrinë turistike. Të gjitha organizatat partnere me të cilat jemi të lidhur veçanërisht në diskutime se si do të përballojmë situatën dhe si të orientojmë industrinë turistike në vend, u referohen ekspertëve të shëndetësisë se do të na duhet të bashkëjetojmë me këtë sëmundje deri në daljen e vaksinës. Në këtë kuptim edhe industria turistike, përfshirë dhe atë shqiptare po sheh të gjitha mundësitë se si duhet orientuar kjo industri për të garantuar sigurinë e pushuesve, vizitorëve dhe udhëtarëve, por dhe të mbajë në këmbë veten. Të gjitha strategjitë tona po fokusohen në këtë drejtim. Ne jemi duke parë mundësitë që të zgjerojmë sa më shumë lëvizjen me vendet e rajonit, por jo vetëm ato që na rrethojnë, duke përdorur jo vetëm trafikun ajror, por dhe të tjerë. Gjithashtu po kërkojmë mënyra inovative të qasjes së sektorit turistik për të shfrytëzuar dhe sezonin vjeshtë-dimër si një mundësi për të mbajtur industrinë turistike në trend. Është e vërtetë deklarata e zotit Topuzi, për sa i përket arritjeve në industrinë e turizmit në 3 vitet e fundit, por e rëndësishme sot është të mbajmë ndezur motorrët e turizmit. Do të na duhet të pranojmë që nuk do të kemi fitimet e pritura në këtë sektor, por me rëndësi është që sektori i turizmit të jetë në punë, që të ketë sa më shumë kërkesa për marrje të shërbimit turistik. Kjo është tepër e rëndësishme në këtë moment për të kapërcyer fazën e vështirë që po kalon industria e turizmit, për shkak të pandemisë Covid 19.

Turizmi malor

Turizmi malor

Intervistoi Eda Merepeza