Gliko, embëlsira e juglindjes
Nëse po mendoni për destinacionet e vjeshtës, ka disa vende që e japin më të mirën e tyre pikërisht në vjeshtë!
Shqipëria është e gjitha e bukur, kur në plan të parë kemi natyrën. Kudo që të shkojmë, mjafton që të dalim nga zonat urbane, është bukur.
Disa destinacione, janë perfekte për natyrën dhe të tjerat për ëeek-ende-t kulturore, ku mund të vizitoni kisha, manastire, muze, apo të bëheni pjesë e tureve të kulinarisë.
Itinerari i Juglindjes është ndër më interesantët, ku secili, edhe ai që nuk e ka buxhetin, duhet ta bëjë të paktën një herë në jetë. Periudha më e mirë për ta bërë është nga mesi i tetorit deri në mesin e nëntorit.
Megjithatë nëse është e nevojshme të përmendim disa destinacione specifike, për t'i orientuar më mirë njerëzit se ku është bukur të shkojnë dhe ku ia vlen që ta shpenzojnë buxhetin e fundjavës, ka tre destinacione që ne i dallojmë prej të tjerave.
Pogradeci, Korça dhe Erseka, janë qytet idealë për t'i përfshirë në udhëtimet e vjeshtës.
Pavarësisht cilin prej tyre do të zgjidhni, ato i bashkon natyra e mrekullueshme dhe kulinaria e klasit të parë.
Korça
Mollë Korçë
Pa dyshim është një ndër qytetet më interesante dhe të rëndësishme të vendit. E gjithë kjo zonë është shumë e bukur, pasi vishet nga gjethet e pemëve.
Aty gjen shumë nga tradita, rrugë me kalldrëm, vila të stilit francez, muze me afreske mesjetare, kafene elegante dhe zakone të ruajtura me fanatizëm.
Pazari i Vjetër është lagjia më e bukur dhe më e frekuentuar nga vendasit dhe turistët në Korçës. Rrugë të ngushta, ndërtesa me ngjyra, kafene të bukura dhe butiqe të vegjël.
Njerëzit këtu shijojnë kafenë duke soditur pamjen e duke biseduar njëri me tjetrin. Mund të porosisni kafe turke, ose ekspres, të dyja do t’ju shijojnë mjaft me një gotë raki mani nga Boboshtica.
Pjesa e vjetër e Korçës qëndron e fshehur prapa Katedrales Ortodokse. Është një zonë ku do të gjeni vila antike franceze, shtëpi të vogla dhe qoshe të bukura rrugicash.
Mos harroni të merrni aparatin fotografik për të bërë disa shkrepje të mrekullueshme. Ndërsa ecni mbi kalldrëm, do shihni edhe zonjat korçare që kujdesen për oborret e tyre.
Pazari, Korçe
Lakror Korçe
Më tej, mund të çlodheni dhe të pedaloni në Parkun Rinia. Është një park i madh, rreth 9 hektarë. Shumë i bukur dhe relaksues, këtu mund të kënaqeni me qetësinë dhe ajrin e pastër.
Vetëm pesë minuta nga Pedonalja, ndodhet Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar. Një vizitë këtu është domosdoshmëri. Një ndër thesaret e Korçës, ku ruhen ikona dhe vepra të piktorëve të mëdhenj mesjetar.
E rrethuar me një natyrë të bukur, e mbuluar nga gjethet me ngjyra, atmosfera e vjeljes së prodhimeve dhe përgatitja e zahireve të dimrit, ngelet një atraksion për të gjithë.
Për pasionantët e kulinarisë, kërnackat, lakrorët, piperkat, janë ushqimet e preferuara që përcjellin traditën korçare.
Pogradeci
Pogradec vjeshtë
Pogradeci është i njohur për njerëz shumë mikpritës dhe të dashur. Nuk ka rëndësi nëse nuk ju njohin, ata përsëri do t'ju ftojnë në shtëpinë e tyre. Nëse shkoni të vizitoni Pogradecin gjatë ditëve të vjeshtës apo të dimrit, do t'ju ofrohet pak çaj mali (tipik shqiptar) pranë oxhakut dhe një bisedë e mirë nga të zotërit e shtëpisë.
Në Pogradec, ju mund të gjeni një ndërthurje shumë të bukur të traditës dhe modernes. Shtëpitë tipike në Pogradec janë shtëpi një, ose dy katëshe, zakonisht me një oborr plot me pemë dhe lule. Këto shtëpi mund t'i gjesh akoma në pjesën e vjetër të qytetit.
Një ditë e bukur fillon me një shëtitje në shëtitoren buzë liqenit të Ohrit. Një pedonale rreth 2 km, njerëz të buzëqeshur dhe një natyrë me pamje magjike. Në çdo orar të ditës ju sugjerojmë që të mos e shmangni një shëtitje, por sidomos në mëngjes dhe perëndim duhet ta bëni patjetër.
Liqeni ofron një pamje që të lë pa frymë, është një nga liqenet më të thella dhe më të vjetra të Evropës.
Nëse doni që të vizitoni një vend ku natyra tregon talentin dhe e shndërron një zonë në art, atëherë vizitoni Drilonin.
Driloni është vetëm 7 minuta larg qytetit me makinë, dhe 30 minuta nëse vendosni të ecni në këmbë dhe të përjetoni të gjithë pamjen gjatë rrugës. Vendi është thjesht magjik.
Pogradec
Natyra është plotësisht në harmoni në Drilon. Ju mund të bëni një udhëtim me varkë, ose të ushqeni mjellmat, të cilat janë "pronarët" e atij vendi. Urat karakteristike të drurit ju lejojnë të ecni mbi ujë dhe të shihni pamjen e plotë.
Përreth, ka pemë të ndryshme që e bëjnë vendin të pëlqyer për pikniqe. Në të gjithë zonën, mund të gjeni restorante tradicionale që ofrojnë ushqim karakteristik e të shijshëm. Sigurohuni që të mos humbisni pjatën e Koranit.
Një ndalesë tjetër është në Lin. Lini është një fshat i vogël buzë liqeni, që mban në vetvete përveç bekimeve të mëdha natyrore, gjithashtu shumë histori të zonës. Aty mund të provoni ushqime tradicionale, të shkoni për peshkim, por më e rëndësishmja mund të vizitoni Bazilikën Bizantine të shekullit të gjashtë pas Krishtit, e cila mban një mozaik madhështor dhe unik të së njëjtës epokë.
Fshati është i njohur gjithashtu për vreshtat e tij dhe verën e ëmbël që vendasit prodhojnë. Banorët e Linit janë shumë të mirë dhe mikpritës.
Tjetër ndalesë në Pogradec, është në fshatin Tushemisht. Stili unik i fshatit, bën që Tushemishti të mos jetë i ngjashëm me asnjë vend tjeter. Mos harroni të bleni gliko, trahana, çaj mali, jufka, mollë, reçel, apo edhe shumë prodhime të tjera artizanale.
Ju sugjerojmë që të shijoni tavën e koranit apo belushkës dhe gjithashtu pa harruar lakrorin.
Pogradeci është shumë i njohur për të bërë verë të mirë. Çdo dhjetor në qendër të qytetit organizohet festa e verës. Zakonisht zgjat 3 ditë dhe marrin pjesë turistë nga e gjithë Shqipëria, dhe jo vetëm. Ka verë të mirë, ushqim të mirë dhe shumë vallëzim tradicional. Sigurohuni që përveç vjeshtës, të vini për vizitë në dhjetor. Nuk do të pendoheni!
Erseka
Erseka kolonja
Erseka, me 3,700 banorë, është qendra e komunës së Kolonjës dhe ndodhet 44 km në jug të Korçës, përballë Malit të Gramozit. Nga Korça mund të shkohet fare thjesht në Ersekë, pasi minibuset lidhin qytetin me Korçën. Rruga është dredha-dredha, e ngushtë dhe, mbi të gjitha, shumë e mirëmbajtur.
Erseka është një destinacion fantastik për një udhëtim vjeshte, pasi ofron natyrë magjepëse, histori dhe mbi të gjitha, është vendi ideal për të apasionuarit pas kulinarisë.
Në Ersekë do të gjeni ajrin e pastër, parqe e pedonale për familjet, e muze që ruajnë me fanatizëm figurat e shquara të historisë.
Vendasit e ruajnë traditën në bujtinat që mirëpresin vizitorë dhe në ushqimet tipike të zonës.
Erseka ka një traditë kaq të pasur të kuzhinës, saqë edhe një turne një javor nuk do të mjaftonte për të shijuar të gjitha pjatat e mrekullueshme dhe të veçanta të zonës.
Shpesh ngatërrohet me Korçën, pasi është në të njëjtin nivel për bukurinë, pastërtinë, ajrin e shëndetshëm dhe pjatat e shijshme, por Kolonja ka identitetin e vet unik, të gdhendur në shumë tregues, përfshirë njerëzit dhe detajet e jetës së përditshme.
Rehovë, Kolonjë
Por ne do të ndalemi në kuzhinë, pasi kulinaria është një arsye e konsiderueshme për të vizituar Ersekën gjatë një fundjave në vjeshtë.
Në Ersekë apo gjithë zonën e Kolonjës, mund të shijoni lakror misri, mesnik, petulla, pulë të mbushur me arra, kukurec, kolloface, pispili, mish lepuri, çomlek, trahana, bakllava, mollë dhe fruta të tjera që jo vetëm shndërrohen në reçel, por që mund të thahen të gatuara në furrë, për tu shijuar para oxhakut, të shoqëruara me raki.
Nuk ka kuptim të shkoni në Kolonjë, të ndaloni në Ersekë e të mos vizitoni Rehovën, fshati më i bukur në Kolonja, një vend që turistët nga e gjithë bota, por sidomos francezët, kanë rënë në dashuri me të.
Një fshat ku koha duket se është ndalur në shekujt mesjetarë. Shtëpi të ndërtuara me gurë, rrugë të shtruara me kalldrëm, kisha të vendosura mu në qendër dhe në dalje të fshatit, burime të skalitura mirë dhe gra të moshuara që ecin paqësisht në rrugët me gurë ... një vend përrallor!
E gjithë zona juglindore e vendit, pavarësisht se ne u ndalëm tek tre destinacione si Korça, Pogradeci dhe Erseka, është një zonë e shkëlqyer për ta përfshirë në udhëtimet e vjeshtës. Sigurisht ju mund të bëni njërin prej tyre, në varësi të ditëve që keni në dispozicion.
Destinacioni më i afërt është Pogradeci, pastaj Korça dhe më e largëta Erseka.
Neritana Kraja