Nga data 4 deri në 9 shtator në Pekin, Republika Popullore e Kinës, është mbajtur Panairi Ndërkombëtar për Tregtinë e Shërbimeve (CIFTIS). Panairi i tregtisë së shërbimeve bëhet njëri nga tre ekspozitat kryesore të Kinës duke ju bashkuar Panairit të Kantonit dhe Panairit Ndërkombëtar të Importit. Ai është një nga panairet më të mëdha në llojin e tij, me një pjesëmarrje të 18.000 bizneseve, ku më shumë se 2.000 prej tyre kanë një stendë ekspozite. Pas shpërthimit të Pandemisë Covid-19, ky aktivitet do të zhvillohet njëkohësisht si virtualisht në internet, por dhe në terren. CIFTIS është një platformë e madhe ekspozite dhe tregtare kushtuar tregtisë së shërbimeve. Kjo ngjarje gjithëpërfshirëse, e nivelit shtetëror dhe me një shtrirje globale, është mbajtur gjashtë herë që nga viti 2012. Panairi i këtij viti, i mbajtur nën temën "Shërbimet Globale, prosperiteti i përbashkët", do të shërbejë si një platformë dhe një urë për vendet nga e gjithë bota për të shfaqur plotësisht progresin e ri dhe përparimet në tregtinë e shërbimeve dhe për të marrë pjesë në perfitimet e teknologjive të reja. Mbajtja e CIFTIS nga Republika Popullore e Kinës në këtë moment, pasqyron qëndrimin e vendosur të saj për hapjen e mëtejshme, duke mbrojtur bashkëpunimin dhe promovuar rimëkëmbjen ekonomike botërore.

Panairi përqendrohet në ballë të inovacionit të teknologjisë shkencore duke shfaqur aplikacione globale të infrastrukturës së re, inteligjencës artificiale, aplikimit të teknologjisë 5G, të dhënave të mëdha dhe robotëve të shërbimit në fusha të ndryshme dhe po bëhet pjesa më dinamike e rritjes ekonomike. Një raund i ri i revolucionit teknologjik dhe industrial në vitet e fundit ka nxitur një bum në teknologjitë dixhitale, ka thelluar integrimin e industrive dhe ka lejuar që ekonomia e shërbimit të rritet me rritme të larta. Gjatë kësaj pandemie, shërbime të caktuara janë përdorur gjerësisht si telemjekësia, mësimi elektronik, platformat e ndarjes, sistemet e bashkëpunimit dhe tregtia elektronike ndërkufitare, për të përmendur vetëm disa. Ato kanë luajtur një rol të rëndësishëm në sigurimin e stabilitetit ekonomik në vendet individuale dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër COVID-19.

Rritja e prodhimit dhe tregtia e shërbimeve është bërë një pikë e re mbështetëse për stabilitetin ekonomik të Republikës Popullore të Kinës dhe një motor i ri për zhvillimin e saj të tregtisë së jashtme. Ekonomia kineze dhe veçanërisht ajo e shërbimeve, ka treguar shenja të rimëkëmbjes. Sipas informacionit të Byrose Kombëtare e Statistikave të Kinës, në korrik të vitit 2020, Indeksi i Prodhimit të Shërbimeve u rrit me 3.5% nga viti në vit, dhe rezultoi 1.2% më i lartë se ai i qershorit. Sipas sektorëve kryesorë indeksi i prodhimit për transmetimin e informacionit, softuerit dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit, u rrit me 13.7% nga viti në vit, i njëjti me nivelin e muajit qershor. Indeksi i prodhimit për ndërmjetësimin financiar, pasuritë e paluajtshme dhe shërbimet e tjera u rritën përkatësisht me 10.4%, 7.8% dhe 3.3% në terma vjetore ose 2.9%, 3.9% dhe 2.3% respektivisht, krahasuar me muajin qershor. Indeksi i Aktivitetit të Biznesit për shërbimin postar dhe shpërndarjen e shpejtë, akomodimin, hotelierinë, telekomunikacionin dhe letrat me vlerë ishte më i lartë se në qershor. Indeksi i Aktivitetit të Biznesit për kulturë, sport dhe argëtim, dhe ai për shërbimet rezidente ishin përkatësisht 51.9%, 51.1%, 6.1% dhe 1.9% respektivisht më i lartë se ai në muajin qershor. Në mënyrë të veçantë, të ardhurat e biznesit të transmetimit të informacionit, softuerit dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit u rritën me 9.7% në muajin korrik.

Po sipas të dhënave të Byrosë Kombëtare të Statistikave, vlera totale e eksporteve dhe importeve u rrit shpejt pas pandemisë. Në korrik, vlera totale e importeve dhe eksporteve të mallrave ishte 2,927.0 miliard juan, ose një rritje prej 6.5% mbi baza vjetore. Vlera totale e eksporteve ishte 1,684.6 miliardë juan, duke shënuar një rritje në 10.4%, ndërsa vlera totale e importeve ishte 1,242.4 miliard juan, me një rritje prej 1.6%. Bilanci tregtar ishte 442.2 miliard juan në suficit, ose 113.3 miliard juan më shumë se ai në qershor. është për t’u theksuar se në vitet e fundit, tregtia e shërbimeve është bërë më e rëndësishme dhe më dinamike në tregtinë ndërkombëtare. Tregtia e shërbimeve të Republikës Popullore të Kinës ka parë veçanërisht një rritje të shpejtë. Nga viti 2012, tregtia e shërbimeve të Kinës është rritur me një normë mesatare vjetore prej rreth 7.8 përqind, më e lartë se norma e rritjes globale, sipas Ministrisë së Tregtisë të Kinës. Tregtia e shërbimeve në Kinë arriti në mbi 5.4 trilion juan në rreth 775.6 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2019, duke u renditur e dyta në botë për gjashtë vjet rresht. Sipas Ministrisë së Tregtisë, dhe eksportet në shërbime u kthyen në rritje në muajin korrik duke shënuar një rritje me 3.3%.

Para se të godiste pandemia në botë, tregtia globale e shërbimeve është rritur më shpejt sesa tregtia e mallrave. Në epokën post-pandemike modeli tregtar u përshtat me kushtet e reja duke treguar një rritje të lartë të industrisë së shërbimeve në ekonominë globale të nxitura nga përparimi teknologjik,. Industritë e tregtisë së shërbimeve të tilla si komunikimi, financat, argëtimi dhe kultura janë rritur me shpejtësi dhe po tregojnë perspektiva të gjëra.duke përfituar dhe nga mundësitë e krijuara nga pandemia. Në sfondin e pandemisë në vazhdim, organizimi i CIFTIS demonstron përgjegjësitë që Kina ka ndërmarrë dhe vendosmërinë e vendit për të promovuar pa mëdyshje politikën e saj të hapjes dhe angazhimin në lehtësimin e mëtejshëm të hyrjes në treg në sektorin e shërbimeve, në promovimin e zhvillimit të tregtisë globale të shërbimeve dhe krijimin e një tregu global të saj.

Presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping, në një videofjalim të mbajtur në samitin e organizuar në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Tregtisë së Shërbimeve, deklaroi se qeveria qendrore kineze do të mbështesë krijimin e një zone pilot të tregtisë së lirë për inovacionin shkencor dhe teknologjik, hapjen e sektorit të shërbimeve dhe ekonominë dixhitale. Kjo zonë do të vendoset në Pekin dhe do të shërbejë si një platformë e hapjes me standarde të larta për zhvillimin e koordinuar të rajonit Pekin-Tianjin-Hebei. Në fjalimin e tij, Xi bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta për të krijuar një mjedis të hapur e përfshirës për bashkëpunimin, duke vënë në dukje se bota po përjeton ndryshime të thella të papara gjatë shekullit të fundit dhe se pandemia e COVID-19 po e shpejton këtë proces. Kina mbështet krijimin e një aleance globale në tregtinë e shërbimeve për të promovuar bashkëpunimin e dobishëm dhe reciprok, si dhe për t’ju përshtatur trendit në rritje të inovacionit dhe teknologjisë digjitale.

Prof. Dr. Petraq Milo