Me vënien nën kontroll efektiv të përhapjes së virusit në mbarë vendin, Ministria e Kulturës dhe e Turizmit e Kinës deklaroi në mesin e korrikut heqjen e kufizimit të turizmit ndërprovincial. Autoritetet e 14 njësive vendore deklaruan rinisjen e punës së këtij sektori, duke përfshirë edhe Pekinin, që sapo uli nivelin e rrezikshmërisë. Në dy javët e fundit, numri i rezervimeve për bileta udhëtimi dhe hotele në platformat elektronike të agjencive turistike është dyfishuar, gjë që pasqyron pasionin e njerëzve për pushimet verore pas daljes nga “stuhia” epidemike.
Sipas një sondazhi të “Fliggy”-t, platformë në internet për produktet turistike të “Taobao”-s, mbi 60 % e klientëve të tyre do të shtojnë buxhetin deri në 2000 juanë për frymë. Ndërsa, për shkak të epidemisë, klientët që i kushtojnë më shumë rëndësi sigurisë shëndetësore, parapëlqejnë më shumë të porosisin udhëtime private ose në grupe të vogla. Ndër destinacionet, Shangai është më i pëlqyeri për udhëtimin me avion, ndërsa Chengdu, Kunming etj., janë qytetet e parapëlqyera për arsye të klimës së freskët.
Përkundër shijimit të bukurive natyrore, shumë njerëz zgjedhin parqet argëtuese dhe muzetë për të kaluar pushimet e periudhës së nxehtë. Për shkak të kufizimit të fluksit të vizitorëve, çdo vend i tillë kërkon rezervim. Më të vështirat për t’u rezervuar janë muzetë, parqet argëtuese të lojërave ujore dhe kopshtet zoologjike e botanike. Ndër to, Qyteti i Ndaluar, Mauzoleu i Perandorit Qinshihuang (kuajt dhe ushtarët prej terrakote), Muzeu i Xian-it, Muzeu Kombëtar dhe ai i provincës Hunan janë pesë më të rezervuarit. Për të siguruar një biletë për to, duhet rezervuar të paktën tre ditë para në internet.
Për sa u përket destinacioneve që vizitohen më shumë nga turistët, qyteti Sanya i provincës ishullore Hainan zë vendin e parë me peizazhet e tij të bukura detare.
Për shkak të epidemisë, familjet kineze kanë kaluar një kohë të gjatë në karantinë dhe nxënësit janë detyruar të ndjekin mësimet në internet. Tani, pas lehtësimit të kufizimeve, shumë prindër kanë zgjedhur të bëjnë turizëm me fëmijët që sapo mbaruan një vit të veçantë shkollor, në Sanya, me plazhe me rërë të butë, rreze dielli, ujë të kthjellët dhe ajër të pastër.
Përveç këtyre, politika e re mbi produktet pa taksë doganore në gjithë provincën Hainan, është një arsye tjetër që ka shtuar dëshirën për vizitë në Sanya. Sipas politikave të reja, kuota e blerjes së produkteve pa taksë doganore në Hainan është ngritur nga 30 mijë në 100 mijë në vit dhe gama e këtyre produkteve është shtuar nga 38 deri në 45.
Të dhënat statistikore tregojnë se në tre vjetët e fundit, kinezët kanë bërë mbi 100 milionë udhëtime jashtë vendit, duke shpenzuar aty mbi 1 trilion juanë. Por pandemia e COVID-19 e ka goditur rëndë këtë treg. Për shkak të kufizimit të lëvizjeve ndërkombëtare, shumë turistë kinezë nuk mund të dalin jashtë vendit dhe janë detyruar të shkojnë në Hainan për të bërë blerje gjatë pushimeve.
Fluksi i turistëve ka shtuar edhe kërkesat për hotele. Me një çmim mesatar 1693.34 juanë (242 $) për një natë në hotele me pesë yje, qëndrimi në Sanya është bërë më i shtrenjti në Kinë.
Kur disa mësyjnë drejt zonës tropikale, disa të tjerë që jetojnë në jug të Kinës kanë etje të gjejnë freski në kullotat veriore.
Pasi mësuan mbi heqjen e kufizimit të turizmit, banorët nga provinca bregdetare Guangdong e Kinës Jugore filluan menjëherë të planifikojnë vizita në Mongolinë e Brendshme me kullota të gjelbra të pafundme.
Sipas të dhënave statistikore nga agjencitë turistike vendore, rezervimet në platformat elektronike me produkte turistike në kullotat veriore të vendit zënë gati 40 % të bizneseve të tyre të turizmit jashtë provincës.
Ndërkohë, për të tërhequr vizitorët, krahinat përkatëse kanë ulur me 20 % çmimin për ata që vijnë nga zona të tjera si Guangdong-u. Madje provinca si Sichuan, Guizhou dhe Hunan, ku ka kullota rrafshnalte, kanë hartuar itinerare të vizitave të posaçme turistike.
Pse? Klima është një arsye e rëndësishme.
Në verë, temperaturat në Guangdong mund t’i kalojnë 40 gradë celsius dhe lagështia është e madhe. Kurse vera në kullotë është stina më e mirë për turizëm. Në kullotat veriore ose ato në rrafshnaltat e Kinës, temperatura më e lartë në verë është rreth 33 gradë celsius në mesditë, ndërsa në agim ose kur koha është me mjegull rreth 25 gradë celsius, duke mos përmendur nivelin e ulët të lagështisë. Pas korrikut, kulmi i temperaturës ulet shpejt në më pak se 30 gradë dhe freskia ndihet më shumë.
Për shkak të epidemisë, turistët parapëlqejnë të vizitojnë kullotat në grupe të vogla dhe shumë prej tyre zgjedhin vizitën me rulotë, duke shmangur problemet e akomodimit e të grumbullimit të njerëzve dhe duke gëzuar më shumë liri lëvizjeje.
Për arsyen e fluksit të sivjetshëm të turistëve, drejtorja e Qendrës së Studimit të Turizmit pranë kompanisë turistike “Mafengwo” Feng Rao u shpreh: “Nën ndikimin e epidemisë, kullotat në natyrë, në hapësira të gjera, janë bërë më tërheqëse. Të marrim si shembull kullotën Hulun Buir në Mongolinë e Brendshme. Nga kullota pa fund nën qiellin e kaltër dhe retë e bardha, te kalërimi e shijimi i mishit aromatik të qengjit, të gjitha përvojat e veçanta në natyrën e bukur mund të çlirojnë shpirtin e njerëzve të kufizuar prej kohësh”.