Pekini deklaroi vënien nën kontroll efektiv të shpërthimit të fundit të infeksioneve të COVID-19, të lidhur me një treg të shitjes me shumicë, pasi në kryeqytetin kinez nuk u raportua asnjë rast i ri që nga 6 korriku.

Në raundin e ri të shpërthimit, nga 11 qershori deri më 5 korrik, në Pekin u raportuan 335 të prekur të rinj nga koronavirusi, shumica e të cilëve kishin qenë në tregun “Xinfadi” në distriktin Fengtai të Pekinit Jugor. Mbi 200 prej tyre kanë dalë tani nga spitali pas shërimit. Pas shpërthimit të ri, bashkia ka marrë një sërë masash të shënjestruara kundër zgjerimit të ndikimit të epidemisë.

Në vijim janë veprimet kryesore të Pekinit në betejën kundër infeksioneve të reja brenda një muaji.

Hetimet epidemiologjike në kohë

Më 11 qershor, pas qetësisë që zgjati për 57 ditë radhazi, qëndrueshmëria e situatës antiepidemike të Pekinit u prish papritur nga raportimi i një rasti të ri të infeksionit të koronavirusit.

Fill pas raportimit, filluan hetimet epidemiologjike, gjatë të cilave u zbuluan 38 kontakte të ngushta dhe u identifikuan të gjitha vendet ku kishte qenë pacienti dhe që rrezikoheshin të ishin të ekspozuar ndaj virusit, duke përfshirë “Xinfadi”-në.

Më 12 qershor, analizat e mostrave të mbledhura nga mjediset e “Xinfadi”-së dolën pozitive. Në të njëjtën kohë, hetime të tjera epidemiologjike ishin në zhvillim e sipër me shtimin e rasteve të reja.

Për të qartësuar zinxhirin e infeksionit, qendrat e kontrollit dhe të parandalimit të sëmundjeve të qytetit dhe të distrikteve të tij organizuan mbi 500 hetues epidemiologjikë, të cilët dërgoheshin për studim në terren sa herë raportoheshin raste të reja.

“Një grup yni përbëhet zakonisht nga tre veta, dy në frontin e parë dhe i treti për mbështetje dhe dezinfektim”, i tha “Xinhua”-së 33 vjeçari Li Ruoxi nga Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të Sëmundjeve. Sipas tij, hetuesit komunikojnë drejtpërdrejt me pacientët dhe familjarët lidhur me lëvizjet e fundit dhe kontaktet në 14 ditët të fundit.

Falë hetimeve efektive dhe në kohë, “Xinfadi” u përcaktua si një vend me rrezikshmëri të lartë brenda 22 orësh pasi u raportua rasti i parë. Menjëherë pas kësaj, Bashkia e Pekinit ndërpreu funksionimin e tregut, mbylli lagjet afër tij dhe zhvilloi vëzhgime të përqendruara mjekësore për të gjithë shitësit që punojnë në “Xinfadi”.


Mbyllje të shënjestruara

Për të përballuar rikthimin e përhapjes vendore të virusit, Pekini bëri mbyllje të shënjestruara, në vend të kufizimit të lëvizjes së të gjithë banorëve, gjë që mund të ndikonte mbi rezultatet e arritura pas rifillimit të punës dhe të prodhimit.

Masat e kontrollit së saktë janë marrë sipas distrikteve dhe lagjeve me nivele të ndryshme rrezikshmërie, që u përcaktuan në bazë të situatës vendore të përhapjes.

Në këtë mënyrë, banorët që jetojnë në zonat me rrezikshmëri të ulët pothuajse nuk patën ndikim. Me kodin e reagimit të shpejtë të shëndetit, që tregonte itinerarin e udhëtimit të tyre, dërguesit e postës së shpejtë dhe punonjësit e sektorit të shërbimeve mund të futeshin në lagje dhe banorët mund të shkonin në vende publike e të udhëtonin pa pengesë. Ndërsa ata që jetonin në zona me rrezikshmëri të mesme dhe të lartë, patën kufizim të lëvizjes në shkallë të ndryshme.

Për të parandaluar përhapjen e virusit në krahina të tjera, Pekini ka shtrënguar gjithashtu kontrollin e udhëtimit ndërqytetës.

Për shembull, banorët e zonave me rrezikshmëri të mesme dhe të lartë dhe ata që kishin qenë në “Xinfadi”, nuk lejoheshin të largoheshin nga Pekini. Kurse të gjithë banorët e tjerë të Pekinit që dëshironin të shkonin jashtë qytetit, duhej të kishin së pari një certifikatë elektronike që vërtetonte rezultatet negative të testimit të acidit nukleik në shtatë ditët e fundit. Me përmirësimin e situatës, që nga 4 korriku, pekinasit nga zona me rrezikshmëri të ulët nuk ka nevojë më të bëjnë testime.

Lokaliteti Huaxiang i distriktit Fengtai, e vetmja zonë me rrezikshmëri të lartë infeksioni që kishte mbetur, tani është përcaktuar se ka nivel të mesëm të rrezikshmërisë, pasi u raportuan shumë pak raste në 14 ditë radhazi.

Testime masive

Për të frenuar përhapjen e epidemisë, Pekini ka bërë përpjekje të mëdha për të gjetur njerëzit që kanë qenë në tregun “Xinfadi” që nga 30 maji nëpërmjet mënyrave si vizitat nëpër shtëpi, telefonatat, rrjetet sociale etj. Të gjithë ata që punonin në treg, banorët e lagjeve afër dhe ata që kishin qenë në atë treg duhej të bënin testin e acidit nukleik.

Gjithashtu, banorët e zonave me rrezikshmëri të mesme dhe të lartë, stafi mjekësor, personeli shëndetësor në frontin e parë dhe të punësuarit në vende publike që kanë marrëdhënie të shpeshta me klientët, si bankat, dyqanet, restorantet, kompanitë e postës së shpejtë, parukeritë, sallonet e bukurisë etj., mund të bënin të parët testim.

Sipas të dhënave statistikore, nga 11 qershori deri më 6 korrik, mbi 11 milionë pekinas, gjysma e popullsisë së përgjithshme të qytetit, kanë bërë testimin e acidit nukleik. Për të përballuar rritjen e ndjeshme të kërkesave, gjatë dy muajve të fundit, pikat e testimit janë shtuar nga 98 në 184.

Tre laboratorë “Huoyan” (që në gjuhën kineze do të thotë “Syri i mprehtë”) kanë kryer mbi 1.2 milionë teste të acidit nukleik në tre javët e fundit. Dy prej tyre janë laboratorë pneumatikë të lëvizshëm prej plastike. Më 11 korrik, dy nga laboratorët e lëvizshëm u çmontuan. “Pas heqjes së laboratorëve të përkohshëm, profesionistët do të dezinfektojnë mjediset, për t’i përdorur për qëllime të tjera”, tha Xiang Fei nga “BGI Genomics”, një ndër firmat prodhuese të laboratorëve.

Megjithëse me përpjekjet e sipërpërmendura, Pekini e ka vënë nën kontroll shpërthimin e ri brenda një muaji, ekspertët ende këshillojnë vigjilencë të lartë për shkak të përhapjes shumë të shpejtë të virusit dhe pasojave të rënda pas infektimit prej tij.

“Qytetarët nuk duhet të ulin vigjilencën. Ata duhet të vazhdojnë të mbrohen nga kontakti me virusin dhe të pastrojnë e dezinfektojnë mjediset e punës dhe të shtëpisë në mënyrë të rregullt”, tha znj. Pang Xinghuo, zv.drejtore e Qendrës së Kontrollit dhe të Parandalimit të Sëmundjeve të Pekinit.