Sezoni turistik në Shqipëri ka nisur pavarësisht pandemisë. Hotelet në bregdetin e Adriatikut dhe Jonit kanë rezervime dhe kryesisht fundjavat me plot plazhistë sikur e “largojnë” disi atmosferën e frikës që ka shoqëruar qysh prej marsit shqiptarët. Madje para disa ditësh ministri shqiptar i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi bashkë me homologun Kosovar shpallën fushatën “Pusho shqip” me synim frekuentimin e subjekteve turistike detare dhe malore të vendit nga turistë vendës dhe sigurisht shqiptarë nga Kosova.

Në kushtet aktuale të masave shtrënguese të vendosura nga BE-ja për shtetasit shqiptarë, por dhe nga disa vende të rajonit, të preferuara nga pushuesit shqiptarë si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Greqia e vetmja alternative deri në përditësim të kësaj strategjia mbetet të frekuentosh stacionet turistike detare dhe malore në Shqipëri.

Sezoni i brendshëm turistik 2020

Industria e turizmit në Shqipëri vlen sa një e katërta e prodhimit vjetor vendës dhe vitin e kaluar numri i turistëve ishte afërsisht 6 milion. Për shkak të pandemisë INSTAT njoftoi se hyrja e turistëve të huaj në Shqipëri gjatë muajit maj ka qenë 98.8% më pak se në të njejtën periudhë të këtij viti.

Duke e quajtur sezonin turistik të këtij viti “atipik”, kryeministri Edi Rama në prill tha se me gjasë turizmi këtë vit në Shqipëri do të jetë kryesisht i brendshëm. Nga ana e tij ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi është shprehur optimist në prag të sezonit turistik, sepse sipas tij turizmi në Shqipëri do të jetë sektori i parë që do të injektojë në ekonomi, duke paralajmëruar një hapje të tij më shpejt se vendet e rajoni.

“E vetmja gjë që dihet me siguri është se pushimet këtë vit nuk do të jenë si vitet e tjera, por do të jenë gjithsesi pushime. Vera do të shënojë rihapjen e gjithë jetës sociale të vendit dhe kjo do të shoqërohet me masa më të larta sa i përket higjienës dhe distancimit social, por turizmi do të jetë injeksioni i parë që do të hyjë në ekonomi, edhe me para të ardhura nga jashtë, por edhe brenda”, tha ministri.

Realisht plazhet e Adriatikut dhe Jonit po frekuentohen nga pushuesit vendës dhe të ardhur nga Kosova, por operatorët turistikë nuk janë të kënaqur me këtë sezon. Sipas ekspertëve të turizmit kur turizmi kushtëzohet nga kufizimet e imponuara nga pandemia, mbijetesa e tij bëhet edhe më e vështirë. Ata thonë se është e pamundur që turizmi i brendshëm të mbulojë sektorin. Ekspertët e turizmit janë të mendimit se turizmi vendas mund të funksionojë, por gjendja ekonomike e shqiptarëve pas karantinës nuk është shumë e favorshme për pushime.

Turizmi është industria më e goditur në Shqipëri për shkak të pandemisë, e cila u parapri dhe nga dëmet e tërmetit të 26 nëntorit. Ekspertët e turizmit thonë se këto janë dëme të mëdha pasi nuk llogarisin vetëm sezonin veror, por dhe gjysmën e dytë të vjeshtës. Sipas tyre janë anulluar të gjitha rezervimet nga jashtë dhe i frikësohen faktit se në gjysmën e dytë të vitit të mos ketë rezervime nga turistët e huaj, pasi këto kryhen 3 apo 6 muaj përpara.

Pavarësisht dy paketave të ndihmës ekonomike të ofruar nga qeveria shqiptare për biznesin, industria e turizmit po vuan pasoja të rënda dhe ndjehet e “infektuar” nga pandemia.

Kreu i shtetit Ilir Meta gjatë një takimi me disa operatorë turistikë në vend shprehu shqetësimin se turizmi është një ndër sektorët më të prekur për shkak të pandemisë. Ai ka thënë se për të shmangur dëmin shkaktuar këtij sektori me rëndësi të madhe kombëtare dhe familjare nevojitet një plan konkret në mbështetje të turizmit që demi i shkaktuar nga pandemia të jetë sa më minimal dhe që ky sektor të rimëkëmbet shpejt në mënyrë që familjet dhe bizneset shqiptare që të ardhurat i kanë nga turizmi të përfitojnë sa më shumë gjatë këtij sezoni.

Turizëm me masa të parandalimit të epidemisë

Kur ekspertë të huaj të shëndetësinë hodhën idenë se ardhja e sezonit veror do të shënojë ulje të të prekurve me COVID-19 qytetarët e lodhur nga izolimi dhe rregullat strikte të parandalimit të virusit, u ndjenë të lehtësuar dhe po prisnin me padurim ngritjen e temperaturave. Por ndonëse temperatura këto javë është mbi 30 gradë Celsius, për fat të keq situata e epidemisë është serioze edhe në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera të botës.

Kjo nuk i ka penguar qytetarët tu drejtohen plazheve dhe stacioneve të tjera turistike në vend. Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Turizmit në Shqipëri kanë shpallur rregullore të posaçme për pushuesit. Ndër to veçojmë broshura informuese, mbrojtje specifike e stafit, monitorim vizitorësh, matje e temperaturës, inventar vetëm për COVID19, dezinfektim konstant, 1.2 metër distancë nga tavolinat e ngrënies, 3 metra distancë kur je në ujë, 3.5 metra distancë ndërmjet çadrave etj.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 9 korrik ndryshimet e reja në aktin normativ sa i takon masave të sigurisë anti-covid në zonat bregdetare. Me ndryshimet e reja parashikohet deri në 700 mijë lekë gjobë për bizneset që shkelin protokollin sanitar dhe në rast përsëritje do të shkohet në mbyllje të veprimtarisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi gjatë fjalës në Kuvend se, përmes ndryshimeve në aktin normativ, do të forcohen penalitetet për subjektet në zonat turistike që nuk zbatojnë protokollet e sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në përpjekjen e saj për një sezon turistik veror, në kushtet e pandemisë COVID-19 Shqipëria dhe bota po përballen me një sfidë të paprovuar kurrë më pare, e cila shpresojmë të mos ndikojë negativisht në bilancin e të prekurve nga virusi.Në Ballkanin Perëndimor Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia vlerësohen si vendet me varësi të lartë nga turizmi. Shqipëria pritet ta vuajë shumë pandeminë COVID-19 në ekonominë e saj me një rënie që varion nga -5% sipas FMN-së dhe Bankës Botërore. Rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi i masave për frenimin e virusit dhe nga një kthim i pritshëm në normalitet në gjysmën e dytë të këtij viti.

Eda Merepeza