Shangai është një ndër katër qytetet e varura drejtpërdrejt nga qeveria qendrore e Kinës. Ai është edhe një metropol gjigant botëror, një qendër e rëndësishme ekonomike, financiare, tregtare, e transportit detar dhe e risive teknologjike. Pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, Shangai, si një nyjë logjistike e vendit që ka shkëmbime të shumta ndërkombëtare, ka hasur vështirësi të mëdha në ruajtjen e zhvillimit të qëndrueshëm. Tani, pas vënies nën kontroll të përhapjes së virusit, qyteti po shpejton kthimin në normalitet.

Sipas të dhënave statistikore të publikuara nga Bashkia e Shangait, deri në fillim të korrikut, mbi 90 % e bizneseve kulturore dhe turistike në Shangai kanë rifilluar punën. Në gjysmën e dytë të këtij viti do të zhvillohen mbi 300 ekspozita, rreth 20 teatro ndër 124 të tilla në gjithë qytetin kanë rifilluar punën dhe mbi 500 shfaqje kulturore do të zhvillohen në dy muajt e ardhshëm.

Ndërkohë, të gjitha bibliotekat, 100 pika turistike dhe afro 200 muze e galeri arti janë hapur për vizitorët. Tani, vendet e hapura publike duhet të bëjnë dy dezinfektime në ditë, ndërsa vizitorët duhet të mbajnë maska dhe të tregojnë kodin QR për të vërtetuar gjendjen shëndetësore të tyre, si edhe u matet temperatura.

Turizmi është një ndër sektorët shtyllë të ekonomisë së Shangait. Vitin e kaluar, qyteti priti 361 milionë turistë kinezë e 8.97 milionë të huaj.

Rreth 6000 hotele dhe 1400 agjenci turistike në Shangai kanë filluar punën normale. Në gjashtë muajt e kaluar, rreth 13.7 mijë grupe turistike, me 266.7 mijë veta, anuluan rezervimet.

Autoritetet kulturore dhe turistike të qytetit kanë marrë shumë masa për të mbështetur ndërmarrjet të mëkëmben nga ndikimi i epidemisë.

Deri tani, 71 ndërmarrje të mëdha të këtyre sektorëve në Shangai kanë marrë 330 milionë juanë (46.68 milionë dollarë amerikanë)  kredi, dhe, si një lehtësim financiar, 1150 agjencive turistike u janë rikthyer 420 milionë juanë parapagesa që kanë bërë për garantimin e cilësisë.

Parku i “Disney”-t në Shangai po përgatitet për të pritur vizitorë me shfaqje tematike verore, ushqim dhe pije freskuese, produkte të reja dhe veprimtari argëtuese mbrëmjesore.

Duke filluar nga 3 korriku deri në fund të gushtit, vizitorët mund të blejnë një biletë të veçantë, me të cilën mund të futen pas orës 16:00 në “Disneyland” në një datë të paracaktuar për të kaluar një mbrëmje të këndshme.

Industria e aviacionit civil është një ndër sektorët më të goditur nga epidemia e COVID-19. Me përmirësimin e kontrollit të përhapjes së virusit në vend, kërkesa e tregut po rimëkëmbet gradualisht. Sipas njoftimeve mediatike, në pushimet treditore në fund të qershorit me rastin e Festës së Varkës së Dragoit, platforma më e madhe elektronike për rezervimin e shërbimeve turistike në Kinë, “Ctrip”, arriti 70% të biznesit gjatë së njëjtës periudhë të vjetshme. Ndërsa Ministria e Transportit bëri të ditur se gjatë festës së sivjetshme u kryen 2.7 milionë udhëtime ajrore.

Gjithashtu, meqë zakonet e konsumatorëve kanë përjetuar ndryshim të madh pas epidemisë, kompanitë po bëjnë edhe përshtatje për të tërhequr më shumë udhëtarë, si për shembull, nxjerrja e paketave të shumëllojshme të posaçme të udhëtimit në përputhje me kërkesat e tregut.

E para është “China Eastern Airlines”, me seli në Shangai. Në qershor, kjo kompani ajrore nxori një paketë të re udhëtimi në fundjavë. Me këtë paketë që shitet me 3322 juanë (afro 470$), konsumatorët mund të udhëtojnë çdo fundjavë në cilindo destinacion të pjesës kontinentale të Kinës në tërë vitin 2020, pa kufizim të numrit të fluturimeve.

“Mund të shkoj këtë fundjavë në Chengdu (jugperëndim) për një vizitë dhe të kthehem pas një jave. Me këtë paketë të re mund të kthehem në vendlindje në Hunan (Kinën Qendrore) dhe ta kaloj atje fundjavën kur të dua. Në të kaluarën, çdo biletë për këto udhëtime kushtonte të paktën 1000 juanë. Prandaj, tani është shumë më e kollajshme”, kështu i tha CGTN-it një udhëtar.

Në saje të kësaj pakete, gjatë Festës së Varkës së Dragoit, zënia e vendeve të aeroplanëve të “China Eastern Airlines”-it të nisur nga aeroporti “Hongqiao” i Shangait arriti në 60 %, nga më pak se 40 % në pushimet për festën e 1 Majit.

Sipas Administratës së Aviacionit Civil të Kinës, industria e aviacionit e vendit filloi “të shërohej” që nga maji, duke shfaqur tregues pozitivë në krahasim me prillin e sivjetshëm.

Paketa e fundjavës synon jo vetëm shtimin e fluturimeve të udhëtarëve, por edhe fiksimin e porosive të fluturimeve në të ardhmen.

“Kur konsumatorët e blejnë këtë produkt, linjat ajrore kanë fluksin e parave. Dhe ju e dini që është vënë në funksionim lejekalimi për fluturimet në fundjavë në aplikacionet zyrtare në celularë që u përkasin kompanive ajrore. Kjo do t'i ndihmojë këto kompani ajrore të bëjnë shitje në kanalet e veta, kanale shitjesh të drejtpërdrejta, dhe gjithashtu të komunikojnë drejtpërdrejt me konsumatorët”, shpjegoi Saskia Zhao, analiste e kompanisë së konsultimeve të biznesit “Mintel”.

Ajo gjithashtu këshilloi që kompanitë ajrore duhet të kenë si objektiv më shumë prej atyre që udhëtojnë për argëtim, për të garantuar zhvillimin afatgjatë.

“Videokonferencat dhe teknologjia e punës në distancë do të bëhen më të pjekura në të ardhmen. Kjo do të thotë se kompanitë do të pakësojnë udhëtimet e tyre të shkurtra të biznesit. Kështu që në shkalla në të cilën njerëzit do të shfrytëzojnë teknologji të tillë, do të ndikojë në ndryshimin e kërkesës për fluturime biznesi”, tha znj. Zhao për CGTN-in.