Turizmi shqiptar ka pësuar dy goditje të njëpasnjëshme në 6 muajt e fundit, duke nisur me tërmetin e 26 nëntorit dhe tashmë epideminë e koronavirusit. Mesi i muajit prill në Shqipëri shënon nisjen e sezonit turistik, por për shkak të epidemisë së koronavirusit ky sezon nuk do të jetë si të mëparshmit.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, duke folur për mediat shqiptare lidhur me sezonin turistik veror 2020 ka dhënë sinjale shprese.
"Pandemia na ka vënë të gjithëve në rrezik, ndaj çdo gjë së pari lidhet me jetën e njeriut pastaj politikat përsa i përket hapjes më shumë apo më pak do ta vendosin doktorët. Mendoj se ka ardhur koha që realisht të mendojmë për sezonin turistik, për turizmin si një industri e madhe që mundet dhe ka nevojë për ndihmën e të gjithëve. Ne kemi filluar të bëjmë një strategji për këtë sektor.
Sipas ministrit Klosi, Shqipëria ka një mundësi të mire për zhvillimin e turizmit në rrugë tokësore si dhe ka çmimet më të ulëta në rajon:
"Në kuadër të politikave rajonale dhe të atyre evropiane për të shmangur sa më shumë udhëtimet e gjata, ne do të jemi një destinacion shumë atraktiv dhe bregdeti shqiptar shumë pozitiv. Në këto kushte, duke pare ecurinë shumë të mire të kontrollit të pandemisë në vendin tone po përgatisim rregulla për sezonin e ri turistik për distancim social dhe në zonën e plazhit si dhe opinionin se edhe plazhi nuk mund të jetë i njejti si në 2019 me festa rinore apo aktivitete të mëdha".
Për sezonin e sivjetëm veror ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi parashikon:
"Ne mund të dalim shumë më pare në treg se vendet e rajonit si Greqia, Turqia, Kroacia, Mali i Zi dhe Italia të cilat janë më të dëmtuara nga koronavirusi dhe po ashtu kanë struktura shumë të mëdha turistike, të vështira për t'u vënë në punë, kurse ne kemi struktura familjare dhe të vogla e të mesme turizmi. Për këtë qëllim do të kërkojmë një treg turistik të vendeve të paprekura ose pak të prekura nga epidemia koronavirusit si vendet skandinave, vendet Balltike, Ukraina, Polonia, Cekia".
Fluturimet e para do të nisin në qershor sipas ministrit Klosi, ndërsa është gati plani për një sezon turistik duke ruajtur distancat. Në vitin 2019 Shqipërinë e vizituan 6.4 milion turistë të huaj që kanë sjellë 2.4 miliard euro të ardhura në ekonominë shqiptare.
Eda Merepeza