Në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë pranë Universitetit të Tiranës 11 të rinj kinezë kryejnë studimet në kursin e gjuhës shqipe. Profesore e asociuar Kledi Shegani është një ndër pedagoget e tyre, që prej vitesh u mëson gjuhën shqipe të rinjve të ardhur nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja të Pekinit, ku kanë studjuar një vit akademik këtë gjuhë.
CMG:Ju ndër vite keni dhënë lëndën e gjuhës shqipe për studentë të huaj, por le të ndalemi te studentët nga Kina. Si ka nisur kjo përvojë e juaja në fushën e mësimdhënies?
Prof.asc. Kledi Shegani: Bashkëpunimi me studentët kinezë është i hershëm dhe bazohet në një marrëveshje shkëmbimi midis dy universiteteve. Çdo vit pranë departamentit të gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës vijnë studentët kinezë, të cilët kanë mbaruar vitin e parë në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin.
Studentët kinezë i dallon një seriozitet dhe një përkushtim shumë i madh. Madje e kam thënë gjithmonë që ata duken se e duan gjuhën shqipe dhe përpos të tjerave janë seriozë dhe mjaft të përkushtuar. Duke qenë studentë në një universitet shqiptar e kanë më të lehtë për të folur dhe për të komunikuar në gjuhën shqipe. Nuk duhet të harrojmë që mësimi i gjuhës shqipe kalon përtej mësimit klasik, duke patur parasysh që vendosim marrëdhënie me shumë shokë, profesorë. Ata pak nga pak fillojnë të ndihen si në shtëpinë e tyre edhe pse bëhet fjalë për dy kultura të ndryshme.
CMG: A mund të na përmendni disa nga studentët tuaj kinezë më të spikatur ndër vite, sigurisht me emrat e tyre shqiptarë, pasi është një vlerësim që të rinjtë nga Kina "pagëzohen" me emra shqiptarë që i zgjedhin vetë.
Prof. asc. Kledi Shegani: Kjo është një veçanti shumë e bukur e studentëve kinezë, të cilët që kur nisin studimet e tyre në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit , "pagëzohen" sic e thatë edhe ju, me emra shqiptarë. E kam pak të vështirë për t'i veçuar, por do të përmendja Shpresën, e cila sot është një studjuese shumë e mirë e shqipes, gjithashtu Çajupin, Burimin .
CMG: Shpresa dhe Burimi janë gazetarë të Radios së Jashtme të Kinës, seksioni shqip në China Media Group, ndërsa Çajupi është punonjës i Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Tiranë.
Prof. asc Kledi Shegani: Unë komunikoj me ta dhe i përshëndes me këtë rast duke iu uruar një vit sa më të mbarë. Gjithashtu dhe me studentët që mbarojnë këtë vit ne nuk do të humbasim lidhjet dhe kontaktet lidhur me çdo temë që ata duan të studjojnë më pas do të gjejnë dashamirësinë dhe mbështetjen e departamentit tonë.
CMG: Si ju duket niveli i studentëve që kanë arritur në Tiranë pas një vit studimi të gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit?
Prof. asc. Kledi Shegani: Niveli i studentëve është shumë i mirë. Është për t'u përshëndetur puna e profesorëve në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, ku do të përmendja kolegun tonë Ruzhdi Stringa, me të cilin ne mbajmë komunikim të vazhdueshëm për çeshtje që lidhen me gjuhën shqipe dhe me mbarëvajtjen e studentëve që vijnë këtu. Këta studentë kanë njohuri shumë të mira gramatikore. Normalisht kanë pak vështirësi në komunikim por me kalimin e kohës dhe muajve në Tiranë kjo vështirësi sa vjen e zvogëlohet.
CMG: Keni përvojë mësimdhënie me student nga vende të ndryshme të botës. Si dallohen studentët kinezë përsa i përket përvetësimit të gjuhës shqipe?
Prof.asc. Kledi Shegani: Studentët kinezë janë shume seriozë dhe të përkushtuar dhe dallohen nga pjesa tjetër e studentëve të huaj dhe kjo varet nga motivi i përzgjedhjes për të studjuar gjuhën shqipe, por studentët nga Universiteti i Pekinit vijnë shumë të kompletuar dhe me një nivel shumë të mirë të njohurive gjuhësore. Edhe disa kinezë të tjerë që kanë biznese dhe jetojnë këtu, me të cilët kam punuar vit pas viti, ndonëse nuk i kanë shumë të forta njohuritë gramatikore, sepse lidhjen me gjuhën e kanë shkëputur duke u marrë me biznes, është e rëndësishme që dashurinë dhe përkushtimin e kanë po njësoj.
CMG: Prej sa vitesh ju jepni mësim për studentët nga Kina ?
Prof. asc. Kledi Shegani: Kam nisur që në vitin 2005, por nga viti 2008 e deri në ditët e sotme kam një kontakt të pandërprerë dhe kemi kaluar breza të tërë studentëh që sot janë gjuhëtarë, apo kanë filluar punë në profesione të ndryshe. Janë plejada të tëra studentësh që tani i kemi kolegë dhe dëgjoj me shumë kënaqësi kur kontribuojnë në fusha të ndryshme, si në gazetari, diplomaci apo përkthim e deri në punë shkencore.
CMG: Gjatë kësaj periudhe të gjatë, keni patur rast të vizitoni Kinën?
Prof. asc. Kledi Shegani: Jo, për fat të keq. Megjithëse kontaktet me studentët kinezë kanë qenë të përvitshme unë nuk kam qenë asnje herë në Universitetin e Pekinit. Do të kisha dëshirë ta vizitoja këtë universitet për të parë nga afër punën me studentët kinezë, që vijnë më pas në Tiranë.
CMG: Mesazhi juaj për studentët kinezë, cili do të ishte?
Prof.asc Kledi Shegani: Mesazhi im për ta përpos urimit për një vit të ri me shëndet dhe shumë suksese është që të vazhdojnë me dëshirën dhe përkushtimin që kanë për gjuhën shqipe dhe për punën dhe profesionin që kanë zgjedhur.
Eda Merepeza