Që nga 25 janari, një kantier ndërtimi u bë "ylli" i masave popullore kineze. Çdo ditë, mbi 40 milionë përdorues të internetit ndiqnin drejtpërdrejt procesin e ndërtimit të tij. Ai ka qenë edhe kantieri më i ngarkuar, jashtë të cilit, një kolonë mbi një kilometër e gjatë kamionësh prisnin për të hyrë në kulmin e punës. Në natën e 2 shkurtit, në këtë kantier u deklarua përfundimi i ndërtimit të spitalit "Huoshenshan", i cili u vu në funksionim në mëngjesin e 3 shkurtit.

Për të frenuar përhapjen e epidemisë, bashkia e Wuhan-it mori vendimin më 23 janar për të ndërtuar një spital me sipërfaqe 34 mijë metra katrorë dhe me 1000 shtretër për trajtimin e të prekurve nga koronavirusi i ri. Duke marrë përvojat e ndërtimit të spitalit "Xiaotangshan" në Pekin para 17 vjetësh për përballimin e virusit të SARS-it, projektimi i "Huoshenshan"-it mbaroi brenda një dite dhe më 25 janar, ndërtimi nisi zyrtarisht me pjesëmarrjen e mijëra punëtorëve dhe të mijëra pajisjeve e makinerive. Tani, pas nëntë ditëve, pacientët kanë filluar të mjekohen këtu.

Realizimi i kësaj mrekullie pasqyron aftësinë e Kinës për mobilizimin e burimeve në raste të emergjenave shëndetësore. 4200 punëtorë të thjeshtë që punuan pandërprerë me ngarkesë të plotë janë një forcë e rëndësishme dhe e paharrueshme. Ndryshe nga mjekët dhe infermieret që luftojnë në frontin e parë me rrezik infektimi, ekipet e ndërtimit që u mblodhën brenda tre ditëve, dhanë kontribut maksimal në fushëbetejën e vet. Në vijim, janë disa prej përfaqësuesve të tyre.

Një djalë i palodhshëm

"Shpejt, shpejt! Eja, shpejt!". Këto ishin fjalët që dëgjoheshin më shpesh në kantierin ku makineritë gumëzhinin. Edhe në kohë dreke, punëtorët nuk largoheshin, por hanin në vendet e tyre të punës. Pas drekës, shumica vijonin punën, dhe një pjesë e vogël, që ishin tepër të lodhur, uleshin mbi tokën e lagësht për t'u çlodhur pesë minuta.

Li Kaikai, një djalë i ri në të 20-tat nga provinca Henan, është një prej tyre. Duke ndenjur në këmbë, ai mbaroi shpejt drekën dhe nisi punën. "Në ditën e parë kur erdha këtu, betoni nuk ishte gati. Por vetëm pas pesë ditëve, pjesa dërrmuese e ndërtesave ishin gati", tha i kënaqur Li.

Në pasditen e ditës së dytë të Vitit të Ri (26 janar), kur të tjerët ishin duke kremtuar festën, Li Kaikai, që mësoi se një spital do të ndërtohej në Wuhan për të përballuar epideminë, u nis nga vendlindja pa u treguar familjarëve të tij. Ai u la një mesazh të shkruar: "Duhet të ndihmoj ata që janë në vështirësi". Pasi mbërriti në Wuhan, ai mori në telefon kompanitë vendore të ndërtimit për të mësuar vendndodhjen e kantierit të spitalit dhe me të mbërritur aty, filloi menjëherë punën. Meqë ishte një teknik i linjave të elektrikut dhe të ujit, në kantier ai punonte si koordinator i kësaj pune. Gjatë qëndrimit shtatëditor, ai flinte shumë pak dhe pas përfundimit të "Huoshenshan"-it, vajti në kantierin e spitalit "Leishenshan", që do të jetë në gjendje të ofrojë 2500 shtretër brenda 5 shkurtit.

Vëllezër të ribashkuar në kantier

Pesë vëllezër të familjes Xiang janë një grup i posaçëm ndër të gjithë punëtorët. Në vigjiljen e Vitit të Ri, Xiang Zhiming mori një telefonatë nga një koleg ndërtues: "Zhiming, po kërkohen urgjentisht punëtorë për ndërtimin e spitalit 'Huoshenshan'. Nëse je ende në Wuhan, hajde te ne!" Atë ditë, Xiang, së bashku me tre vëllezër që punonin në një kompani ndërtimi në Wuhan, ishin duke bërë përgatitje për t'u kthyer në vendlindje, një komunë në qytetin Huanggang, 120 kilometra larg Wuhanit. Pasi mbërritën në kantier, vëllezërit i njoftuan me telefon prindërit për ndryshimin e planit. Por, me të mësuar këtë, edhe vëllai i tyre i vogël Xiang Zhibing shprehu dëshirën për të dhënë ndihmë. Pas kalimit të vigjiljes, ai u bashkua me katër vëllezërit në ditën e parë të Vitit të Ri në kantier.

Sipas Xiang Zhiming-ut, ata i përkasin të gjithë brezit të meshkujve të familjes të tij që njohin mjeshtërinë e ndërtimit. Megjithëse familjarët shqetësoheshin për mundësinë e infektimit gjatë qëndrimit në Wuhan, ata i mirëkuptuan dhe i mbështetën.

Gjatë shpërthimit të epidemisë së SARS-it në vitin 2003, 7000 punëtorë në periferi të Pekinit Verior ndërtuan brenda një jave një spital me një sipërfaqe ndërtimi 25 mijë metra katrorë, ku gjendeshin 1000 shtretër.

Një skuadër e posaçme

Në ditën e tretë të ndërtimit, i riu Liju Yingjie bashkë me shtatë punëtorë të regjur ndërtimi nga qyteti Yuncheng i provincës Shanxi të Kinës Veriore, u nisën me makinë nga vendlindja 800 kilometra larg Wuhan-it për në kantier.

Pas shpërthimit të epidemisë, Liju ndiqte çdo ditë situatën në televizor. Pas mësoi se për ndërtimin e spitalit në Wuhan duheshin shumë punëtorë me përvojë, ai, që punon në një kompani çeliku të ngjyrosur, material i domosdoshëm ndërtimi për projekte emergjente, ftoi shtatë punëtorë të tjerë të shkonin në kantierin e ndërtimit.

Pas një udhëtimi 10 orësh, skuadra e tij e përkohshme arriti në destinacion. "Kur morëm të gjitha veglat, ishte ora 2 e mëngjesit. Por në atë kohë, tërë kantieri ishte i ndriçuar me llamba dhe mijëra punëtorë dhe qindra kamionë e makineri ishin duke punuar për të shfrytëzuar çdo minutë. Ishte një pamje që nuk do të harroj kurrë!", u shpreh Liju i mallëngjyer. Në orën 6 të mëngjesit, ai me kolegët filluan ditën e parë të punës.

Liju thotë se edhe i ati merret me ndërtim. Në vitin 2008, kur ra tërmeti katastrofik në Wenchuan të Kinës Jugperëndimore që shkaktoi mbi 80 mijë viktima, babai i Liju-së, së bashku me disa xhaxhallarë të tij, punuan dhjetëra ditë si vullnetarë në zonën e tërmetit, për të ndërtuar strehë falas për banorët e prekur. Këtë herë, Liju Yingjie ndoqi gjurmët e të atit. "Në kantier, takova shumë punëtorë nga krahina të ndryshme të vendit. Megjithëse ishim veshur me maskë dhe nuk i kuptonim shumë mirë dialektet e njëri-tjetrit, inkurajoheshim nga veprimet në këtë moment të vështirë", shtoi Liju.

Siç mësohet, spitali "Leishanshan", me një sipërfaqe ndërtimi prej 75 mijë metrash katrore dhe me 1500 shtretër, do të përfundojë së ndërtuari më 5 shkurt e do të fillojë funksionimin zyrtar një ditë më pas. Këto dy spitale pritet të lehtësojnë në mënyrë të dukshme trysninë ndaj spitaleve të tjera në Wuhan, që punojnë me ngarkesë të jashtëzakonshme.