Në vitin 2019, presidenti kinez Xi Jinping, gjatë pjesëmarrjes në më shumë se 100 veprimtari dypalëshe dhe shumëpalëshe, në katër samite ndërkombëtare të organizuara në Kinë dhe në shtatë turne jashtë vendit, shfaqi qëndrimin e Kinës për zgjerimin e bashkëpunimit, duke ftuar edhe botën ta kuptojë më mirë Kinën e tanishme.

Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje se në botën e tanishme, asnjë vend nuk mund të përballojë i vetëm një situatë me ndryshime të papara në njëqind vjetët e fundit. Sipas tij, projekti i Kinës që synon hapjen dhe bashkëpunimin, është e vetmja zgjedhje.

Më 5 nëntor të vitit 2019, z. Xi dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan shoqëruan presidentin francez Emmanuel Macron dhe zonjën e parë të Francës Brigitte Macron gjatë një vizite në parkun "Yuyuan" të Shangait. Ata shijuan operat tradicionale kunqu dhe yueju. Gjatë vizitës, z. Xi tha se Shangai është simbol i përparimeve të Kinës pas Reformës dhe Hapjes dhe pasqyron edhe ndryshimin e marrëdhënieve të Kinës me botën e jashtme. "Shpresoj se vizita e kësaj here mund t'ju ndihmojë ta kuptojë më mirë Kinën", i tha ai homologut të vet francez. Ndërsa Macron-i vuri në dukje se nga pamja mahnitëse e Shangait, ai pa të ardhmen dhe zotimin e Kinës për hapjen.

Një ditë më përpara, në fjalimin e rastit për të mirëpritur liderët e vendeve të ndryshme që morën pjesë në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës së 2-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës, kreu i shtetit i Kinës dërgoi përsëri një ftesë të sinqertë:

"Nga procesi i zhvillimit të Kinës, kuptojmë thellësisht se: nëse bota është mirë, edhe Kina do të jetë mirë dhe anasjelltas. Në ekspozitën e importit tregtohen mallrat dhe shërbimet, shkëmbehen idetë dhe kulturat, takohen njerëzit nga katër anët e botës dhe përfitojnë të gjithë pjesëmarrësit, gjë që është në përputhje me dëshirën e popujve të ndryshëm për një jetë më të lumtur."

Organizimi i ekspozitës së importit është një vendim i rëndësishëm për nxitjen e raundit të ri të hapjes ndaj botës së jashtme dhe një masë e rëndësishme që dëshmon vullnetin e Kinës në hapjen e tregut të saj të brendshëm. Xi Jinping, nismëtari i kësaj ekspozite, mori pjesë vetë në ceremoninë e hapjes së dy edicioneve që janë zhvilluar deri tani.

Pasi dëgjoi fjalimin e homologut kinez, presidenti Emmanuel Macron u shpreh se Kina e ka arritur suksesin falë përpjekjeve të veta e globalizimit ekonomik dhe ky sukses tregon se Kina duhet të hapet ndaj botës e bota duhet të hapet ndaj Kinës.

"Këmbëngulja e Kinës në Reformën dhe Hapjen ka domedhënie të jashtëzakonshme për botën. Ju falënderoj, z. President, që na treguat lidhur me përparimet pas ekspozitës së parë të importit dhe për qartësimin në fjalimin tuaj të vullnetit për të ndjekur në vijim rrugën e hapjes. Kjo zgjedhje pasqyron largpamësinë tuaj e të popullit kinez dhe do të çojë në reformimin më të shpejtë dhe më të madh shoqëror në historinë e njerëzimit", tha Macron-i.

Në vitin që lamë pas, z. Xi u takua edhe me shumë përfaqësues të sipërmarrësve dhe ekspertëve të njohur botërorë. Gjatë takimeve, ai përmendi shumë herë Reformën dhe Hapjen e vendit:

"Gjatë 40 vjetëve të zbatimit të politikës së Reformës dhe Hapjes, kemi fituar besim. Kjo është rruga e pashmangshme e përparimit të Kinës dhe ne do të vazhdojmë ta ndjekim. Pavarësisht rezistencës që mund të hasim dhe pengesave që mund të na krijohen nga të tjerët, ne do të luftojmë para vështirësive, duke zgjeruar më tej hapjen. Kina e mban gjithmonë premtimin."