Si e para ekspozitë shtetërore importi në botë, ekspozita e importit e Kinës synon tre objektiva: krijimin e mundësive të biznesit për botën, përmbushjen e kërkesave të reja të konsumit të banorëve kinezë dhe shtimin e forcës nxitëse të tregtisë së lirë globale.
Që prej edicionit të parë të kësaj ekspozite që u organizua vjet, pajisjet elektro-shtëpiake italiane po shiten në platformat kineze të shitjes në internet, produktet kozmetike letone kanë hyrë në dyqanet kineze, artikujt e zejtarisë nga Bangladeshi tani gjenden në qendrat tregtare të Shangait, ndërkohë, frutat e freskëta të Havait mund të porositen në çajtoret kineze...
Nëse për shumë kompani të huaja, pjesëmarrja në ekspozitën e importit të Kinës do të thotë futje në korsinë e shpejtë drejt tregut kinez, për konsumatorët kinezë kjo veprimtari ka hapur dyert për përvoja të reja lidhur me produktet e huaja. Tani, në një distrikt periferik të Kinës Veriperëndimore mund të blesh qumësht nga Zelanda e Re, në shumë qytete të vogla kineze lodrat e markave të njohura botërore mirëpriten nga banorët vendorë, pa përmendur se shumë pajisje të përparuara mjekësore janë vënë në përdorim në klinikat në mbarë Kinën etj.
Për kompanitë nga vendet përgjatë "Një brez, një rrugë", ekspozita e importit e Kinës po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm për zgjerimin e bizneseve të tyre. Ditët e fundit, në doganën e Shangait mbërriti një produkt i posaçëm: afro 200 kilogramë brumë nga Italia. Sipas punonjësve të doganës, kjo ishte hera e parë që ndodhte një gjë e tillë, sepse në të kaluarën, produktet ushqimore që kalonin doganën ishin gjithmonë të gatshme ose vetëm lëndë të para. Por, këtë herë, meqë pronari italian dëshironte t'u shfaqte klientëve kinezë procesin origjinal të prodhimit të produkteve të veta në ekspozitë, brumi duhej të zhdoganohej në mënyrë "të gjallë". Nga kjo vogëlsi mund të shohim se sa shumë rëndësi i i kushtojnë biznesmenët italianë tregut kinez.
Italianët kanë sjellë brumë dhe modelin e fundit të furgonave IVECO, ndërsa 23 ndërmarrje turke kanë mbushur dy kontejnerë të mëdhenj me më shumë se 150 lloje produktesh. Në këtë "treg" mund të gjenden fruta të thata, pije, ushqime dhe mallra të përditshme, si takëme ngrënieje, pajisje elektro-shtëpiake, aparate mjekësore etj. Siç mësohet, numri i produkteve turke në këtë ekspozitë do të jetë mbi dhjetë herë më shumë se në ekspozitën e parë.
Krahas zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë kineze, tregu i konsumit është zmadhuar njëkohësisht, gjë që ka mbështetur rritjen e importit nga vendet e nismës "Një brez, një rrugë".
Të dhënat statistikore tregojnë se që nga 26 shtatori, kur nisi deklarimi doganor i produkteve pjesëmarrëse në ekspozitën e importit, kanë kaluar kontrollin kufitar 42 kontingjente mallrash nga vendet përgjatë "Një brez, Një rrugë", afro një e treta e vëllimit të përgjithshëm të produkteve pjesëmarrëse në ekspozitë. Siç mësohet, përveç produkteve organike, si mjalti, vera, djathi e frutat, lëndëve të para dhe artikujve të përdorimit të përditshëm, në tetë muajt e parë të këtij viti nëpërmjet doganës së Shangait janë importuar qarqe të integruara me vlerë 50.35 miliardë juanë, gjë që shënon një pikë rritjeje të re në shkëmbimet tregtare midis Kinës dhe vendeve përkatëse.
Tani proteksionizmi tregtar po kërcënon tregtinë e lirë globale. Në këtë sfond, ekspozita e importit e Kinës ka dërguar sinjal të fortë për theksimin e parimit të "leverdisë së ndërsjellë", duke shfaqur imazhin e Kinës si një fuqi botërore që mban premtimet me vepra konkrete.
Ndërsa ekonomistët dhe aktorët e tregut në vende të ndryshme janë të mendimit se, në sfondin e shtimit të zërave për unilateralizmin dhe proteksionizmin, ekspozita e importit e Kinës ka një domethënie të madhe edhe për përmirësimin e mjedisit të tregtisë botërore dhe forcimin e besimit. Ky hap i rëndësishëm i Kinës do të nxisë zhvillimin më të balancuar dhe më të lirë të tregtisë ndërkombëtare, duke u sjellë raste të shumta ndërmarrjeve të huaja.
Profesori i ekonomisë Khairy Tourk nga Instituti i Teknologjisë i Ilinoisit në ShBA u shpreh se ekspozita e importit është një metodë novatore e palës kineze për të zgjidhur zhbalancimin e tregtisë globale, sepse përpjekjet e Kinës për shtimin e importeve do të ngrenë në mënyrë të dukshme kërkesën e përgjithshme gobale. Me rritjen e proteksionizmit, Kina po merr masa që synojnë hapjen e mëtejshme dhe lehtësimin e tregtisë ndërkufitare, gjë që vërteton se Kina është mbrojtëse e globalizimit dhe e tregut të hapur dhe një vend i përgjegjshëm. Kryetari i Komisionit të Studimeve Ekonomike të CONCAMIN-it të Meksikës José Luis de la Cruz tha se, në rrethanat e reja tregtare, ekspozita e importit e Kinës do të ndihmojë botën të krijojë dhe thellojë më shumë lidhjet ekonomiko-tregtare botërore, gjë që pasqyron rolin nxitës të Kinës për tregtinë e lirë.
Ekspertët nga grupi japonez "Panasonic" janë të mendimit se ekspozita e importit e Kinës ka luajtur rol të jashtëzakonshëm për lehtësimin e hyrjes së investimeve të huaja në Kinë dhe zgjerimin e eksporteve të tyre në tregun kinez. Zhvillimi i shkëmbimeve midis Kinës dhe vendeve të tjera do ta çojë ekonominë globale drejt balancimit dhe gjithëpërfshirjes, gjë që është në të mirë të realizimit përfundimtar të përfitimeve të ndërsjella.