Falë shtatë dekadash përpjekje, Kina ka vërtetuar me zhvillimin e saj mahnitës se një vend i lulëzuar socialist është një gjë e mirë jo vetëm për popullin e vetë atij vendi, por edhe për pjesën tjetër të botës.
Zhdukja e varfërisë
Familja e Xiao Zinan-it me pesë pjesëtarë banoi më parë për 30 vjet në një kasolle të vogël druri në një fshat të largët malor, duke u mbështetur te rritja e derrave.
Në fshatin Jinman të provincës Yun'nan të Kinës Jugperëndimore, shumica e banorëve fitonin vetëm 393 dollarë amerikanë në vit.
Jeta e vështirë përfundoi në vitin 2017, kur Xiao dhe 982 fshatarë të tjerë u zhvendosën në banesa të reja në një zonë të zhvilluar afër vendlindjes. Vetëm me një depozitë 2000 juanë (280 $), Xiao kishte një shtëpi me tre dhoma gjumi afër bregut të lumit me orendi të reja dhe pajisje elektro-shtëpiake.
Nga viti 2013 deri në vitin 2018, Kina ka nxjerrë 82.39 milionë banorë ruralë nga varfëria, gati sa tërë popullsia e Gjermanisë. Në 40 vjetët e kaluar, mbi 700 milionë banorë kinezë i dhanë lamtumirën varfërisë, duke zënë mbi 70 % të numrit të atyre që ndryshuan gjendjen e tyre të vështirë ekonomike.
"Kina i ka ofruar botës një model zhvillimi nga varfëria në begati vetëm brenda një brezi", vuri në dukje Bert Hofman, ish-kryeekonomist i Bankës Botërore për Azinë Lindore dhe Rajonin e Paqësorit.
Ndërkohë, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës, deri në tetor të vitit 2015, Kina kishte ofruar 400 miliardë juanë ndihmë për 166 vende e organizata ndërkombëtare dhe kishte dërguar mbi 600 mijë veta e ofruar shërbime ndihmëse mjekësore në 69 vende të botës.
Lufta kundër urisë dhe sëmundjeve
Në shtatë dekadat e kaluara, Kina ka zgjidhur problemin e ushqimit të 1/5 të popullsisë globale me më pak se 9 % të tokës së punueshme të botës. Prodhimi i drithërave në Kinë është pesëfishuar krahasuar me vitin 1949, duke arritur në 658 milionë tonë vjet, me një rritje vjetore 2.6 %.
Uria është një problem global. Sipas një raporti të OKB-së, mbi 820 milionë njerëz në mbarë botën ende vuanin nga uria në vitin 2018.
Për të ndihmuar në luftën kundër urisë, ekspertët dhe sipërmarrësit kinezë kanë ndarë mençurinë dhe përvojat e tyre.
"Nëse orizi hibrid kinez kultivohet në gjysmën e 147 milionë hektarëve orizore të mbarë botës, vetëm me prodhimin shtesë mund të ushqehen 500 milionë veta", tha z. Yuan Longping, agronom i njohur për zhvillimin e orizit të parë hibrid në botë.
Që nga vitet '80 të shekullit të kaluar, grupi i Yuan-it ka ofruar kurse trajnimi për dhjetëra vende në Afrikë, Amerikë dhe Azi, duke garantuar burime të sigurta ushqimore në rajonet që rrezikohen nga uria.
Deri tani, ekspertët dhe teknikët kinezë kanë zbatuar mbi 300 projekte në nëntë vende afrikane, duke promovuar 450 teknologji bujqësore dhe trajnuar gati 30 mijë fermerë dhe teknikë vendës.
Tu Youyou nga Kina ka fituar çmimin "Nobel" për zbulimin e artemisinit, që ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm kundër malaries, duke shpëtuar jetën e miliona banorëve në mbarë botën.
Në qershorin e sivjetshëm, znj. Tu deklaroi se grupi i saj studimor kishte gjetur zgjidhje për problemin e rezistencës së artemisinit, duke vërtetuar përsëri se artemisini është ende "arma më e mirë" kundër malaries.
Që nga viti 2017, nuk është raportuar asnjë rast malarie në Kinë, gjë që do të thotë se kjo epidemi është zhdukur në Kinë. Megjithatë Kina ka vazhduar të merret me studimet për kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje për të ndihmuar në luftën globale kundër malaries.
"Kontrolli global i malaries ecën së bashku me përpjekjet e qeverisë kineze për të ndërtuar një bashkësi fatesh të përbashkëta të njerëzimit", tha z. Pedro L. Alonso, drejtor i Programit Global të Malaries pranë OBSh-së.
Lulëzim i përbashkët
Kina paraqiti nismën "Një brez, një rrugë" dhe konceptin e ndërtimit të "bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit".
Më shumë se 160 vende e organizata ndërkombëtare kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për "Një brez, një rrugë" me qeverinë kineze.
Koncepti i "bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit" është përfshirë edhe në dokumentet e OKB-së, të G20-tës dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, duke luajtur një rol pozitiv për nxitjen e paqes dhe të progresit të njeriut.
Me këtë koncept, Partia Komuniste e Kinës ka integruar strategjinë e zhvillimit kombëtar me prirjen e zhvillimit botëror.
Nga viti 2013 deri në vitin 2018, Kina kontribuoi mbi 28% të rritjes së ekonomisë botërore.
Vlerësimet tregojnë se pa kontributin e Kinës, rritja mesatare vjetore e ekonomisë globale nga viti 2013 deri në vitin 2016 do të ishte 0.6 pikë përqindjeje më e ulët.
Kina ka tregun më premtues të konsumit në botë dhe parashikohet që në 15 vjetët e ardhshëm, vëllimi i përgjithshëm i importit të mallrave dhe të shërbimeve të Kinës do t'i kalojë përkatësisht 30 trilionë dhe 10 trilionë dollarët amerikanë.
Përveç arritjeve ekonomike, Kina po bën edhe shumë përpjekje për të përmirësuar e për të mbrojtur mjedisin nëpërmjet zbatimit të strategjisë së zhvillimit të gjelbër. Konsumi i energjisë për njësi të PBB vjet ishte 43.1 % më i ulët se në vitin 1953. Ndërkohë, një studim me të dhëna satelitore të NASA-s tregon se Kina ka kontribuuar për një të katërtën e sipërfaqes shtesë të pyllëzuar globale që nga fillimi i këtij shekulli.