Iljaz Spahiu ka një lidhje prej 4 dekadash me Kinën. E nisi rrugëtimin e tij si një student i gjuhës kineze në Universitetin e Gjuhëve të huaja të Pekinit në vitet 70-të, ndërsa sot është një sinolog i shquar shqiptar, i nderuar dhe nga shteti kinez. Ai ka sjellë në shqip vepra madhore të autorëve kinezë të të gjitha kohëve, ku spikat Nobelisti Mo Yan.
Në një bashkëbisedim të ngrohtë në mjediset e Shoqatës Kulturore Alb China, kryetar i së cilës është, Iljaz Spahiu rrëfen për Radio Ejani ëndrrën e tij kineze.
CMG: Sivjet Republika Popullore e Kinës feston 70 vjetorin. Ju, si sinolog keni një lidhje të gjatë me Kinën dhe kinezët. Cili është opinioni juaj për realizimet e Kinës gjatë këtyre dekadave dhe si i keni përjetuar personalisht?
Iljaz Spahiu: Më shumë se gjysma e jetës sime është e lidhur me Kinën. Qysh nga vitet 70-të e deri më sot lidhja ime me Kinën ka qenë e pandërprerë. Mund të them se jam një dëshmitar i gjallë i të gjithë transformimit që ka ndodhur në Kinë, si transformimi politik, ekonomik, social e kulturor. Unë kam ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet, qysh nga koha kur isha student në Kinën e viteve 70-të, atëherë me një nivel të ulët ekonomik dhe një jetë të vështirë, por kam parë dhe Kinën e viteve të fundit, që tashmë është ekonomia e dytë botërore me një potencial të fuqishëm në arenën ndërkombëtare dhe dikton politikën ndërkombëtare.
Unë sigurisht që gezohem për arritjet e Kinës sepse populli kinez ka arritur pas 70 vjetësh në nivelet e sotme. Nuk është çudi që zhvillimi i Kinës është konsideruar një mrekulli nga qeveria kineze, pasi 40 vjet, sidomos periudha pas hapjes dhe reformave, nga viti 1978 e deri tani për një periudhë kaq të shkurtër, sepse 40 vjet janë pak në jetën e një vendi, në Kinë kanë ndodhur kaq shumë ndryshime. Më kujtohet kur në fillim të viteve 90-të u riktheva në Kinë, për mua Pekini, se aty pata kontaktin e parë, mu duk një qytet komplet ndryshe. Pas vitit 2000 zhvillimi i Kinës ka qenë edhe më i vrullshëm. Politika e ndjekur në Kinë, socializmi me tipare kineze ka rezultuar shumë i suksesshëm, po kështu modeli kinez i zhvillimit mund të shërbejë si shembull sidomos për vendet në zhvillim.
Sot Kina si fuqia e dytë ekonomike është një vend me potenial në arenën ndërkombëtare, me një politikë të jashtme të hapur e gjithmonë në ndihmë të zhvillimit të globalizmit në botë. Kina ka iniciuar nisma të fuqishme siç janë "Një brez, një rrugë" dhe "Mekanizmi 17 1", që janë shumë të rëndësishme jo vetëm për zhvillimin e Kinës, por dhe për nxitjen e zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Këto nisma tashmë kanë dhënë rezultatet e tyre, sepse janë mbi 100 e ca vende pjesmarrëse "Një brez, një rrugë", po ashtu dhe "Mekanizmi 17 1" është mjaft aktiv dhe ka dhënë rezultate në të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, përfshirë dhe Shqipërinë, si në zhvillimin ekonomik por dhe në arsim, kulturë e shkëmbimet njerëzore.
CMG: 70 vjet më parë u vendosën marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës. Vlerësimi juaj për këto marrëdhënie dhe pritshmëritë në të ardhmen.
Iljaz Spahiu: Unë gjithmonë e kam vlerësuar miqësinë tradicionale midis Shqipërisë dhe Kinës si një pasuri të vyer, si një vlerë të çmuar të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë. Ne patëm fatin të kemi një miqësi krejt të veçantë me Kinën, një marrëdhënie speciale midis Shqipërisë së vogël në Evropë dhe Kinës së madhe në Azi. Është fat për ne që edhe sot pas 70 vjetësh imazhi i Shqipërisë në Kinë është i mrekullueshëm. Ndaj është në dobi të Shqipërisë për ta shfrytëzuar këtë imazh, këtë marrëdhënie dhe për të nxitur bashkëpunimin midis dy vendeve tona.
Sigurisht që pas viteve 90-të kur Shqipëria u hap këto marrëdhënie kanë shënuar rritje. Sot këto marrëdhënie janë shumë të mira partneriteti në të gjitha fushat. Për mendimin tim nuk janë në nivelin e duhur në aspektin ekonomik, ndonëse janë marrëdhënie shumë të mira në fushën politike, apo shkëmbimet e shumta në të gjithë sektorët. Besoj dhe shpresoj që të bëhet më tepër sidomos në drejtim të bashkëpunimit ekonomik, jo për fajin e palës kineze e cila gjithmonë ka qenë aktive për të qenë e pranishme edhe me investime në Shqipëri. Jo se nuk ka investime kineze, por nuk janë në nivelin e duhur. Ndër investimet kineze përmendim Aeroportin e Rinasit, në fushën e naftës, por dhe disa kompani si "Huaëei" në Tiranë, por ne presim më tepër. Besoj që prania e tyre do ta nxisë zhvillimin e Shqipërisë.
CMG: Shkëmbimet shqiptaro-kineze në fusha të ndryshme kanë shënuar rritje vitet e fundit. Veçanërisht spikat fusha e kulturës, e botimeve. Në tregun shqiptar të librit ka informacion, por dhe letërsi nga Kina. Ju, si kryetar i Shoqatës Kulturore Alb China, por dhe si një sinolog i njohur si po punoni për shtimin e kontakteve kulturore midis dy vendeve?
Iljaz Spahiu: Shkëmbimet kulturore dhe njerëzore janë shumë të rëndësishme për marrëdhëniet midis dy vendeve. E them këtë duke u nisur nga rasti i Shqipërisë me Kinën. Siç e theksova më parë ne kemi patur marrëdhënie speciale në vitet 60-70-të të shekullit të kaluar, por pati një ndërprerje mbi 15 vjeçare dhe falë këtyrë marrëdhënieve, pas kthimit në normalitet të tyre u vu re që miqësia midis dy vendeve nuk kishte ndryshuar. Sidomos vitet e fundit midis dy vendeve tona ka një intensifikim të marrëdhënieve kulturore, ka shkëmbime në fushën e medies, ku grupe mediatike nga Shqipëria kanë shkuar në Kinë, ku kanë parë nga afër zhvillimin e saj dhe kanë prezantuar për publikun shqiptar këto zhvillime, jo nga të tretë, por direkt nga media shqiptare. Po ashtu grupe mediatike nga Kina kanë vizituar Shqipërinë . Gjithashtu po zgjerohen kontaktet në arsim. Eshte rritur numri i studentëvë shqiptarë që studjojnë në Kinë, por dhe i qendrave studimore, të cilat kanë një bashkëpunim të ndërsjellë për të studjuar marrëdhëniet midis dy vendeve, por dhe çeshtjet ballkanike dhe më gjerë.
Një aspekt i veçantë i këtyre marrëdhënieve vitet e fundit është dhe përkthimi dhe botimi i librave. Falë një marrëveshjeje të rëndësishme, nënshkruar në vitin 2015 kryhet përkthimi dhe botimi i 25 librave nga shqipja në kinezisht dhe anasjelltas. Kjo fushë nga një boshllëk që kishte qoftë dhe në periudhën e lulëzimit të marrëdhënieve tona, sot është në nivelin më të suksesshëm. Në këtë projekt janë angazhuar disa shtëpi botuese dhe deri tani ka përfunduar përkthimi i mbi 15 titujve nga letërsia, filozofia, ekonomia, kultura, që kanë pasuruar dukshëm librin kinez në shqip. Po ashtu ka patur dhe disa përkthime dhe botime të disa autorëve të shquar shqiptarë në Kinë dhe së shpëjti në mesin e muajit tetor, në kuadër të festimeve për 70 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe do të organizohet një konferencë ku do të ketë ekspozitë të librave të botuar në Shqipëri dhe Kinë gjatë këtyre 70 viteve. Për çudi kemi zbuluar se ka jo pak tituj, por duhet theksuar se vitet e fundit këtu janë të pranishëm nga përkthimi që unë kam sjellë si Nobelisti kinez Mo Yan dhe sapo kam përfunduar përkthimin e librit "Të mbijetosh" nga autori i njohur kinez Yu Hua, që së shpejti do të jetë në duart e lexuesve shqiptarë. Ky projekt do të vazhdojë dhe këto botime nga lexuesit shqiptarë janë pritur me mjaft interes.
Shkëmbimet kulturore janë dhe pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së Shoqatës Kulturore Alb China, kryetar i së cilës unë jam. Ndonëse ka vetëm 4 vjet që është themeluar, Shoqata jonë është mjaft aktive. Misioni i saj është ruajtja e miqësisë tradicionale, por dhe pasurimi e nxitja e këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat , por dhe nxitja e brezit të ri të sinologëve që të jenë pjesë e shoqatës për të çuar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Shoqata Alb China ka bashkëpunuar ngushtësisht me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës dhe në të ardhmen ajo do të shtrihet më tej e do të vazhdojë të jetë aktive për të promovuar kulturën kineze, miqësinë midis dy vendeve dhe për të kontribuar në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik. Gjithashtu shpresoj që në të ardhmen me Radio Ejani të kemi kontakte më të shpeshta.
Eda Merepeza