Komuniteti i kinezëve në Shqipëri sa vjen e rritet. Ata punojnë në sektorë të ndryshëm si në industrinë nxjerrëse dhe minerare, në telekomunikacion, arsim, tregti dhe mjekësi. Njëri prej tyre është Liming Zhu, i njohur si doktor Agimi, i cili prej 10 vitesh jeton dhe punon në kryeqytetin shqiptar. I specializuar në mjekësinë tradicionale kineze, atëkohë pak e njohur në Shqipëri Agimi me punën dhe përkushtimin e tij ka arritur të drejtojë një Qendër të Mjekësisë Tradicionale "New Life"në Tiranë. Tashmë ai ka pacientë të rregullt që trajtohen me akupunkturë apo mesazhe kurative, por në klinikën e tij vijnë për t'u vizituar nga e gjithë Shqipëria si dhe nga vendet fqinjë e deri nga Polonia e Gjermania.

Dëgjues i Radio Ejani, Liming Zhu me kënaqësi rrëfeu historinë e tij shqiptare, si mjek dhe kryefamiljar.

CMG: Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri ? Si e zgjodhët Tiranën, si vendin për të punuar dhe jetuar?

Liming Zhu: Kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në janar të vitit 2009. Fillimisht u takova me një shok kinez dhe një shqiptar. Unë kërkoja punë si mjek dhe nisa këtë eksperiencë. Në atë kohë në Shqipëri nuk njihej mjekësia tradicionale kineze dhe unë mendova se duhej për qytetarët shqiptarë. Fillimisht kisha planifikuar të qëndroja vetëm dy vjet në Shqipëri, por më pëlqeu ky vend dhe puna eci mbarë prandaj vendosa të qëndroj më shumë.

CMG: U mbushën 10 vjet që kur erdhët për herë të parë në Tiranë. Si kaloi jeta dhe puna juaj? Tani drejtoni një Qendër të Mjekësisë tradicionale kineze në qendër të kryeqytetit shqiptar, në zonën e Tiranës së re.Si keni arritur të tërhiqni shqiptarët në qendrën tuaj, për të provuar doninë e mjekësisë tradicionale kineze për shëndetin ?

Liming Zhu: Në fillim e pata shumë të vështirë sepse nuk dija fare shqip, por as pacientët shqiptarë nuk dinin kinezisht.E nisa punën me shoqërimin e një përkthyesi dhe dy infermiereve. Ishte e vështirë edhe sepse shqiptarët, duke mos e njohur mjekësinë tradicionale kineze, nuk kishin besim tek ajo. Ata e kishin të vështirë të besonin se mund të shëroheshin pa marë ilaçe, por vetëm me akupunkturë dhe masazhe. Më bënin shumë pyetje, por pasi bënin disa seanca masazhi kurativ apo akupunkture dhe ndjeheshin mirë, filluan të vinin rregullisht në qendër. Mësova shqip me kalimin e viteve dhe kështu puna ime këtu eci mbarë. Më kanë ndihmuar dhe shumë shokë e miq shqiptarë.

CMG: Miqësia tradicionale midis Shqipërisë dhe Kinës ka ndikuar që ju ta kishit më të lehtë integrimin në Shqipëri ?

Liming Zhu: Po, kjo më ka ndihmuar shumë. Shqiptarët dhe kinezët janë si motra dhe vëllezër. Këtu kam shumë shokë e miq, madje dhe rreth 70 vjeçarë të cilët kanë studjuar dikur në Kinë. Sa herë kam patur ndonjë problem mjaftonte një telefonatë dhe ata më kanë ndihmuar. Ata janë miq të ngushtë me mua dhe të dashur. Madje më thonë se shtëpia jonë është dhe e jotja, prandaj të vish pa na njoftuar. Kur i vizitoj në shtëpi më pyesin "çfarë do të hash?" se do të gatuajmë për ty. Zakonisht unë kërkoj byrek se më pëlqen. Në fundjavë shpesh i takoj miqtë shqiptarë dhe dal për kafe me ta . Madje edhe jashtë Tiranës kam shumë shokë e miq.

CMG: Qendra e Mjekësisë Tradicionale Kineze "New Life" çfarë shërbimesh ofron? Cilat sëmundje trajtohen në këtë Qendër ?

Liming Zhu: Në qendrën tonë trajtohen dhimbjet e mesit, ku përfshihen Hernie Diskale dhe Nervi Shiatik, spondeliartrozat cervikale, dhimbjet e kyçeve, reumatizmat, por edhe dhimbjet e kokës, Migrena, paralizat e ndryshme, dhimbjet e muskujve etj. Ne gjithashtu realizojmë masazhe relaksuese, hedhje kupash dhe akupunkturë.

CMG: Siç thatë më parë keni shumë miq në Shqipëri, por jeni dhe i njohur në rrjetet sociale, ndërsa media shqiptare shpesh ju ka ftuar në programe televizive. Njiheni si doktor Agimi. Le të flasim dhe për familjen tuaj, gruan dhe vajzën, që jetojnë bashkë me ju në Tiranë.

Liming Zhu: Ne jemi shumë të kënaqur në Shqipëri, sepse vendi është shumë i bukur, ka qetësi dhe ushqimet janë shumë të mira. Vajza ime 4 vjeçare pëlqen shumë djathin shqiptar, por dhe picat, ndërsa gruas sime i pëlqen shumë turizmi nëpër Shqipëri. Kemi vizituar pothuajse të gjithë Jugun e vendit, Sarandën, Vlorën, Gjirokastrën, por dhe Pogradecin e Shkodrën. Sivjet do të vizitojmë Veriun, megjithëse unë e kam vizituar një herë Valbonën.

CMG: Vajza juaj e vogël a duket si një shqiptare e vërtetë?

Liming Zhu: Po, sigurisht. Ajo shkon në kopësht dhe e flet shumë mirë gjuhën shqipe. Në kopështin e saj të gjithë fëmijët janë shqiptarë dhe ajo është e vetmja kineze.I pëlqen shumë kopshti sepse ka shumë shokë e shoqe dhe sapo zgjohet në mëngjes mezi pret të shkojë në kopësht.

CMG: Njiheni në Tiranë dhe si doktor i VIP-ave. A do të na tregoni se cilët prej tyre vijnë në qendrën tuaj?

Liming Zhu: Po njoh disa prej tyre. Mund të përmend këngëtaret e njohura Era Rusi dhe Marcela Cibuku, që i kam dhe mike.

CMG: Ju mungon Kina, vendlindja, të afërmit e miqtë ?

Liming Zhu: Megjithëse Shqipëria është larg nga Kina me prindërit dhe miqtë flasim me internet përditë, nëpërmjet wechat dhe whatsup. Jemi të kënaqur për këtë sepse kur erdha para 10 vjetësh në Shqipëri u shkruaja letra, të cilat arrinin pas dy muajsh në destinacion.

CMG: A e ndiqni Radio Ejani?

Liming Zhu: Po e ndjek, ashtu si dhe kinezët e tjerë që janë këtu, por dhe shqiptarët. Gjithashtu edhe revistën e botuar në shqip nga redaksia e Radio Ejani. Ju uroj suksese!

Eda Merepeza