Një nga spotet më jetëgjatë dhe të ndjekur ndër vite nga dëgjuesit e këtij transmetuesi publik është dhe ai me tekstin "Radio Tirana, e para, e madhja, e vetmja". Kjo radio është e para përsa i përket moshës së saj 80 vjeçare, e madhja për shkak të të qenit radio publike në Shqipëri, ndërsa e vetmja në një kuptim metaforik. Kryeredaktorja e Radio Tiranës Ermenita Stafa (Njuma) në intervistën e saj për Radio Ejani flet për sfidat dhe objektivat e këtij institucioni të rëndësishëm në tregun mediatik shqiptar.

CMG: Si e vlerësoni rrugëtimin 80 vjeçar të Radio Tiranës ?

Ermenita Stafa: Tripodi i famshëm "E para, e vetmja e madhja" vijon të qëndrojë dhe i pranëvihet emrit të Radio Tiranës. Kjo për faktin që ajo ishte e para dhe në historinë e saj tashmë flet për 80 vite. Ndërkohë Radio Tirana është e vetmja radio pubike dhe sigurisht që është radioja më e madhe. Ne vërtet numërojmë 3 programe për momentin, sipas ndarjes në njësinë e programeve, por bashkë me të përfshihen dhe Radio Tirana International dhe Radio Tirana për Bashkatdhetarët. Pra flasim për 5 radio. Radio Tirana është e madhja edhe për gjithëpërfshirjen që ka për dëgjuesin e saj. Ajo i takon moshave të vogla, fëmijëve dhe deri te të moshuarit, duke patur specifikisht për ta programe të posaçme.

Në erën e internetit, Radio Tirana synon çfarëdolloj audience, qoftë online por edhe tradicionale. Pra Radio Tirana në kohën e konkurrencës, kur tashmë nuk është më e vetmja, besoj se është radioja e zgjedhur, frekuenca e zgjedhur.

CMG: Si e shikoni momentalisht dëgjueshmërinë. mbulimin me programe të territorit shqiptar dhe sa pjesmarrës janë dëgjuesit në programet e Radio Tiranës ?

Ermenita Stafa: Gjithmonë kemi dëshiruar të kemi protagonist dëgjuesin e radios. Për ne dëgjuesi i synuar është padyshim ai që parashikon programi përkatës, por asnjë nga programet tona nuk përjashton askënd.

Ne e shohim që dëgjuesi është aktiv jo vetëm me pjesmarrjen e tij direkte me zë, por edhe përmes rrjeteve sociale. Kjo bëri që secili nga autorët e programeve të krijonte profilin e programit në rrjetet sociale, ashtu si dhe vetë Radio Tirana ka profilin e saj në to. Eshtë i dyti vit që në Radio Tirana 2 i jemi rikthyer traditës për të ofruar në sezonin veror programin "Për ju pushues" dhe shohim që audienca e zgjedh atë jo vetëm për faktin që je me pushime, apo për hir të shtrirjes së kësaj radioje në Ultësirën Perëndimore, por edhe prej faktit që duke qenë muzika shqiptare një zgjedhje për dëgjuesin shqiptar, i cili pasi u ngop nga muzika e huaj tashmë e kanë muzikën shqiptare një zgjedhje të tyre.

Ndërsa programi Radio Tirana Klasik, qysh prej vitit 2017 i drejtohet dëgjuesit shqiptar. Ka një audiencë specifike, por e konsiderojmë si një terapi shumë të mirë.

CMG: Ju përmendët sezonin veror dhe meqë jemi në kulmin e tij dhe natyrshëm programi i radios merr një profil më "pushues" apo "freskues", cilat programe do të veçonit për këtë sezon?

Ermenita Stafa: Në programin Radio Tirana 1 janë ndryshuar raportet në atë që ofrojmë për dëgjuesit , Nëse deri në maj, duke nisur nga shtatori i kaluar, muzika dhe fjala rrinin në raportin 30 me 70, gjatë sezonit veror ky raport ndërron vendet. Ndaj flasim për raportin 70% muzikë dhe 30% fjalë në programet tona.

CMG: Ju keni një karrierë mbi 20 vjeçare si gazetare profesioniste e radios, më pas drejtuese e Programacionit të saj dhe aktualisht Kryeredaktore e Radio Tiranës, me siguri e dini që Radio Ejani, pjesë e China Media Group, që transmeton ne FM në Tiranë dhe Durrës, Cili do të ishte mesazhi juaj, si eksperte e Radios për një radio, që synon të fitojë sa më shumë simpati te dëgjuesit shqiptarë.

Ermenita Stafa: Sigurisht që duhet marrë në konsideratë si konkurrente. Për faktin që realizuesit e saj janë profesionistë shumë të mirë, që e kanë nuhatjen për gjithçka do dëgjuesi, audienca dhe ofrojnë për ta më të mirën.

Padyshim kjo radio ndiqet nga audienca në Tiranë dhe Durrës, pasi të dyja janë zona që jo vetëm preferohen gjatë verës nga turistë, por emigrantët që kthehen në Shqipëri i zgjedhin këto qytete si vende pushimi. Kështu që fare mirë mund të ndiqet Radio Ejani në hapësirat që ju ofroni për dëgjuesit shqipfolës, por pa harruar dhe Radio Tiranën. Ndoshta ky lloj bashkëpunimi do të ishte shumë i mirë dhe për të përcjellë gjithë sa ndodh në Shqipëri, për dëgjuesit që ndjekin në gjuhën shqipe.por duke ofruar dhe për audiencën tonë këtë lloj publiciteti, që po na e mundësoni. Mirënjohje për hapësirën që më kushtuat dhe do ta vlerësoja si një hap bashkëpunimi.

Eda Merepeza