Dominiku është një 7 vjeçar nga Tirana, që pasionin më të madh ka muzikën. Në edicionin e sivjetëm të konkursit për këngëtarë të vegjël "Voice Kids" në Top Channel ishte më i vogli në moshë, por me ambicje të spikatur muzikore.
CMG: Dominik, na trego pak për pasionin tënd për muzikën. Kur ke filluar të këndosh dhe në cilin konkurs ke marrë pjesë?
Dominik: Për herë të parë kam kënduar në festën e Krishtlindjes organizuar në kopshtin tim. Atëherë isha 3 vjeç. Por kam konkurruar në "Voice Kids" në Top Channel.
CMG: Si arrite të marrësh pjesë në këtë konkurrim?
Dominik: Kisha një dëshirë të madhe të këndoja aty. I thashë mamit që doja të merrja pjesë dhe bëmë aplikimin. Pastaj ata më thanë se isha përzgjedhur për në "Voice Kids". U gëzova shumë. Isha pjesë e konkursit në disa faza, si dhe bëra disa audicione,por pastaj u eliminova.
CMG: Vetë e përzgjodhe këngën për konkurrim? Si u përgatite? A kishe shumë emocione?
Dominik: Kisha shumë emocione. Zgjodha këngën e Bon Jovit "You give love a bad name". U përgatita në një qendër kantoje, ku isha më i vogli.
CMG: Si ishte të ngjiteshe në skenën e "Voice kids"?
Dominik: Hera e parë mu duk ëoë, sepse ishte një skenë e madhe. Nuk e kisha provuar asnjëherë skenën.
CMG: Duke qenë konkurenti më i vogël e pate të vështirë të miqësoheshe me konkuruesit e tjerë?
Dominik: Jo, nuk kisha fare pengesë. U miqësova shumë shpejt me ta.
CMG: Pse ke zgjedhur Bon Jovin? Kjo është një këngë rock dhe është pak e vështirë për një fëmijë. Pse të pëlqejnë këto këngë?
Dominik: Më pëlqenjë sepse janë tipi im. Unë jam rock. Mua më pëlqejnë këngët e vështira.
CMG: Na fol pak për veten, shkollën ku studjon.
Dominik: Unë studjoj në klasën e parë të shkollës "Fan Noli" në Tiranë.
CMG: E keni bërë Festën e Abetares?
Dominik: Festën e Abetares e bëmë të premten. Kënduam, kërcyem e recituam e u kënaqëm shumë.
CMG: Cila lëndë të pëlqen më shumë?
Dominik: Më pëlqen dituria e natyrës, sepse mund të zbuloj bimë të ndryshme, insekte dhe kafshë.
CMG: Në "Voice kids" ke interpretuar dhe një këngë të Michael Jackson-it. Përse zgjodhe këtë këngë?
Dominik: Më pëlqen sepse është një këngë e bukur, ritmike dhe me shumë emocion.
CMG: Cfarë veprimtarie u zhvillua për ju fëmijët me rastin e 1 qershorit?
Dominik: Ishte një festë shumë e bukur në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës ku mora pjesë me shkollën time. Atje kënduan shumë nxënës, si dhe ne pjesë e "Voice kids". Më pëlqen shumë kjo festë sepse fëmijët ndjehen të lumtur.
CMG: Dominik, përveç këngës çfarë pasioni tjetër ke ti?
Dominik: Më pëlqen të kërcej dhe t'i bie kitarës. Kam nisur një kurs për kitarë dhe po mësoj, por në të ardhmen do ta mësoj shumë mirë.
CMG:Meqë pasionet e tua lidhen me artin çfarë dëshiron të bëhesh kur të rritesh?
Dominik: Dëshiroj të bëhem muzikant, sepse dua të këndoj dhe t'i bie një vegle muzikore.
CMG: Me rastin e Festës së 1 Qershorit cili është mesazhi yt për fëmijët?
Dominik: Uroj që fëmijët në botë të jenë të lumtur.
Eda Merepeza