PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Wang Shi, ngjitësi i majave të maleve e të biznesit
2016-02-02 14:38:02 CRI Komenti juaj Printoni

Dhe kështu i gjithë misri që ka blerë Wang Shi bëhet i pavlefshëm. Madje edhe më keq. Wang Shi rrëfen: "Të gjithë vagonat e mallrave në stacionin hekurudhor të Shenzhen-it ishin të mbushur me misër, shumica e të cilit ishte imja. Një pjesë e madhe e misrit nuk u shkarkua dhe qëndroi në vagona. Ishte stina e tajfunit. Kur erdhi tajfuni, uji hyri në vagona. Misri u lag dhe u prish. Ishte një katastrofë e vërtetë për mua."

Shpejt Wang Shi jo vetëm humbi gjithçka kishte fituar, por edhe e pa veten në një borxh prej më shumë se 700 mijë juanësh. Për herë të parë ai ndjeu shijen e të shkuarit drejt falimentimit. E megjithatë ai mori një vendim që i habiti të gjithë, madje mjaft prej atyre që e njihnin e quajtën të marrë. Wang Shi u telefonoi furnizuesve të tij në pjesën kontinentale të Kinës, duke u thënë se donte të gjithë misrin që ata kishin në gjendje. Wang Shi e shpjegon kështu vendimin e vet: "Kurrë nuk besoja se njerëzit do të ndalonin së ngrëni mish pule. Shija e pulës është krejtësisht e ndryshme nga ajo e pëllumbit. Nëse njerëzit në Hong-Kong do të rifillonin të hanin pula, atëherë do të kishte nevojë për misrin tim."

Wang Shi vendosi të rrezikonte gjithçka. Meqë nuk kishte para për të paguar për misrin, ai i bindi furnizuesit ta lejonin të paguante brenda 100 ditësh. Kjo do të thoshte që, nëse nuk arrinte ta shiste misrin brenda asaj periudhe, do të ishte i mbytur në borxhe.

Dy-tri ditë përpara se misri që kishte porositur Wang Shi të mbërrinte në Shenzhen, mediat hongkongase njoftuan se lajmi që kishte dalë më parë se ushqimi për pulat ishte kancerogjen, nuk ishte i vërtetë. Misri u bë përsëri një mall shumë i kërkuar.

"Po rrija në molin 'Chiwan', duke parë mbi dhjetë kamionë që çonin misrin tim në Hong-Kong. Ngazëllimi zuri vendin e stresit në zemrën time. Dukej se gjërat kurrë nuk kishin shkuar kaq mbarë në jetën time. Ishte një ndër ato pak çaste në jetë që isha ndier aq i lumtur."

Dhe kështu biznesi nisi të ketë përsëri sukses dhe Wang Shi jo vetëm që e pagoi të gjithë borxhin që kishte, përfshirë edhe pagimin e mallit brenda shumë me shpejt se 100 ditëve, po shpejt arriti të ketë një pasuri që arrinte në 3 milionë juanë. "Në atë kohë u quajta 'Mbreti i ushqimit të pulave," shprehet me të qeshur Wang Shi.

Por gjithnjë në kërkim të aventurës, Wang Shi nuk u mjaftua me kaq. Duke përdorur paratë e fituara nga biznesi i misrit, në vitin 1984 ai krijoi Qendrën e Shpërndarjes së Pajisjeve Shkollore e të Shkences Moderne të Shënzhen-it, e cila merrej kryesisht me importimin dhe tregtimin në tregun kinez të pajisjeve elektrike dhe elektronike, kryesisht të magnetofonave, televizorëve dhe videokamerave. Më pas kompania e Wang Shi-së u zgjerua edhe në biznese të tjera. Për një kohë ai ishte biznesmeni më i madh në Shenzhen.

Në vitin 1988 Wang Shi e ripagëzoi kompaninë e vet me emrin e sotëm, "Vanke", duke u bërë kryetar i bordit dhe drejtor menaxhues i saj (këtë post të fundit do ta linte në vitin 1999). Ky nuk ishte thjesht ndryshim emri, por Wang Shi vendosi ta përqendrojë "Vanke"-n në pasuritë e patundshme, një sektor i cili po fillonte të njihte një rritje të vrullshme. Duke përfituar edhe nga kjo, biznesi i ri i Wang Shi-së nisi të ketë përsëri sukses.

Në vitin 1991 "Vanke" u bë kompania e dytë e kuotuar në Bursën e sapohapur të Shenzhen-it. Ky vendim u pa si tregues i prirjes pioniere të Wang Shi-së për ta kthyer kompaninë e tij në një sipërmarrje moderne. Tregues tjetër i kësaj është që Wang Shi nuk ka dashur që në fillim të krijojë një biznes familjar, siç është tradita në Azi në përgjithësi e në Kinë në veçanti. "Përgjatë viteve që nga krijimi i 'Vanke'-s, pothuajse gjithçka e kam bërë vetë, të madhe a të vogël qoftë. Pastaj u bëra syçelët lidhur me diçka që më shqetësonte. Nën ndikimin e kulturës orientale, drejtuesit dhe sipërmarrjet familjare janë dyshues nga njerëzve të tjerë dhe marrin në punë vetëm ata me të cilët kanë lidhje, qoftë gjaku, krahinore, apo shokë klase e kështu me radhë. Ndërsa unë nuk kam shokë ose të afërm që punojnë në 'Vanke'. Ndonëse unë kam tetë vëllezër e motra, asnjë prej tyre nuk punon për 'Vanke'-n. Asnjë punonjës i 'Vanke'-s nuk është i lidhur me mua, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi, qoftë edhe shokët e mi të universitetit ose të ushtrisë," vë në dukje Wang Shi.

Në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, biznesi kryesor i "Vanke"-s, ai i pasurive të patundshme, ishte në rritje të shpejtë dhe menaxhimi i kësaj rritjeje përbënte një sfidë për Wang Shi-në. Por ai shpejt e tregoi veten të aftë në këtë drejtim dhe "Vanke" u bë një kompani udhëheqëse, me parime menaxhimi origjinale. Ndërsa shumë nga kompanitë e tjera simotra nxirrnin deri në 40 % fitime, Wang Shi vendosi që "Vanke" të fokusohej në cilësinë dhe të mos pranonte projekte ku norma e fitimit arrinte mbi 25%.

"Vanke" ka arritur të ruajë epërsinë e vet konkurruese në tregun e pasurive të patundshme. Ajo është një ndër kompanitë e pakta të këtij sektori në Kinë që është e pranishme në mbarë vendin dhe ka markën e vet të njohur.

"Të kesh një vizion afatgjatë është një mënyrë e rëndësishme për të qëndruar përpara në rrugën e konkurrencës," shprehet Wang Shi. Ndërsa David Ng, analist pronash në RBS të Hong-Kongut shprehet: "Gjëja më e admirueshme te Wang Shi është mosngurrimi i tij për të ndryshuar. Nëse tregu ndryshon, edhe ai është i gatshëm të ndryshojë pikëpamjet e tij."

Vitin e kaluar shitjet e pasurive të patundshme nga "Vanke" arritën në 262.7 miliardë juanë (mbi 42 miliardë dollarë), me një rritje 24 për qind krahasuar me vitin 2014, duke zënë për të pestin vit me radhë vendin e parë ndër kompanitë e pasurive të patundshme në Kinë dhe për të tretin vit numrin një në botë për ndërtimin e banesave.

Një tjetër aspekt i spikatur i vizionit personal të Wang Shi-së për "Wanke"-n është vëmendja ndaj mbrojtjes së mjedisit. Si një njeri për të cilin jeta është një aventurë pas një tjetre, nga viti 2002 deri në vitin 2004 ai u ngjit në të shtatë malet më të larta në botë, ndërsa në vitin 2005 shkoi përkatësisht në Polin e Veriut dhe në Polin e Jugut. Në vitin 2010 Wang Shi ngjiti përsëri Everestin, duke u bërë në moshën 59-vjeçare kinezi më i vjetër që ka ngjitur majën më të lartë në botë. Por pasioni për alpinizmin, udhëtimet dhe natyrën në përgjithësi, ka bërë që Wang Shi të jetë vetë dëshmitar i pakësimit të borës në male dhe i problemeve të mjedisit. "Ngrohja globale është përvojë personale imja," thotë Wang Shi, duke bërë pyetjen: "Ne jemi të gjithë qenie njerëzore, si mund të mos marrim përsipër përgjegjësi për tokën ku jetojmë?"

"Kuptova se 'Vanke' duhej të përballej me të ardhmen. Angazhimi për pakësimin e ndryshimeve klimatike është përgjegjësi e Kinës si vend dhe e sipërmarrësve të saj individualë. Dhe një gjë e tillë është e arsyeshme kur vjen fjala për perspektivën afatgjatë të biznesit, pasi teknologjitë e gjelbra do të çojnë në zvogëlimin e përdorimit të burimeve, si uji dhe druri," thotë ai.

Dhe kështu në vitet e fundit, "Vanke" e ka zhvendosur fokusin nga thjesht të qenit një kompani pronash të patundshme në një udhëheqëse në shkallë kombëtare në Kinë në teknologjitë e gjelbra të ndërtimit. Ndonëse "Vanke" ka ndërtuar vetëm 3 % të të gjitha ndërtesave të banimit në Kinë, kompania shprehet se ka ngritur 30 për qind të ndërtesave të gjelbra.

Përveç angazhimit për mbrojtjen e mjedisit, Wang Shi dhe "Vanke" japin ndihmesën e tyre edhe në çështjet e bamirësisë. "Teksa ndikimi im dhe i kompanisë sime rriten, ne tani mund të japim një ndihmesë më të madhe për bamirësi dhe shërbimet shoqërore. Dua të përpiqem për të ndikuar në jetën e sa më shumë njerëzve," shprehet Wang Shi.

Por Wang Shi nuk mjaftohet vetëm me tregun brenda vendit. Ai bën të ditur se synimi i "Vanke"-s është që 15-20 për qind të investimeve të veta t'i ketë jashtë vendit. Wang Shi thekson: "Ka tre arsye pse kemi dëshirojmë të investojmë jashtë vendit: së pari, ne shkojmë te vendet e zhvilluara të industrializuara për të mësuar dhe për t'u përgatitur për urbanizimin e Kinës; së dyti, ne duam të balancojmë investimet tona; së treti, ne ndjekim klientët tanë: teksa blerësit kinezë po shkojnë gjithnjë e më shumë jashtë vendit, të njëjtën gjë po bëjmë edhe ne."

Deri tani "Vanke" ka ndërtuar banesa në Shtetet e Bashkuara dhe në Singapor. "Banesat në ShBA janë shitur tashmë dhe kemi pasur një përgjigje të mirë nga tregu," tregon Wang.

Wang Shi thotë se "Vanke" nuk do të investojë në ato tregje jashtë vendit të cilat, ndonëse mund të jenë shumë fitimprurëse, përsëri edhe rreziqet i kanë shumë të larta. Ai shpjegon: "Kjo është strategjia e kompanisë. 'Vanke' nuk është një kompani oportuniste në kërkim të fitimeve sa më të shpejta, por një kompani që studion dhe mëson si të mbijetojë në një treg të pjekur banesash."

"Vanke" tani i ka hedhur sytë nga tregu i pasurive të paluajtshme i Britanisë së Madhe. Wang Shi vë në dukje se kompania e tij po përpiqet të mësojë se si funksionojnë shërbimet financiare në një treg të konsoliduar, si edhe te gjejë partnerë britanikë për planet e veta të investimit jashtë vendit në ndërtesa banimi dhe komerciale.

"Vanke" është po ashtu në procesin e krijimit të qendrave kërkimore-shkencore jashtë vendit, si në ShBA dhe në Britaninë e Madhe, për të përfituar nga teknologjia dhe talentet më të mira anekënd botës.

Wang Shi nisi një tjetër aventurë në moshën 60-vjeçare: ai filloi studimet në Universitetin e Harvardit. Kjo nuk ishte rrjedhojë vetëm e vullnetit të tij të fortë për përmbushjen e ëndrrës së rinisë për të studiuar jashtë vendit, por edhe një përpjekje për të frymëzuar sa më shumë njerëz për të kapërcyer ata që i shohin si kufij të tyre.

Ndërsa për Wang Shi-së jeta është një aventurë, ose më saktë një varg i njëpasnjëshëm aventurash, ai thotë se e sheh botën si një foshnjë të sapolindur, dhe ky sipas Wang Shi-së është burimi i suksesit të tij.


1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China