20160202-hp |
Wang Shi është shndërruar nga një tregtar i vogël misri në drejtuesin e kompanisë më të madhe të ndërtimit të banesave në botë. Ai ka ngjitur të gjitha malet më të larta të planetit, duke përfshirë edhe Everestin, e po ashtu ka ngjitur edhe të gjitha majat e biznesit. Për të sipërmarrja, ashtu si edhe e gjithë jeta, është një aventurë e pafund.
Themeluesi dhe kryetari i bordit i kompanisë "Vanke" Wang Shi ka lindur në vitin 1951 në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës Jugore. Në vitin 1968, në moshën 17-vjeçare, ai hyri në Ushtrinë Çlirimtare Popullore, ku qëndroi për afro 5 vjet. Më pas, në vitin 1973, tashmë 22-vjeçar, Wang Shi nisi punë në degën e furnizimit me ujë dhe energji elektrike të Drejtorisë së Hekurudhave të Zhengzhou-t, kryeqendra e provincës Henan në Kinën Qendrore. Më pas i riu nisi studimet në Fakultetin e Furnizimit me Ujë dhe të Drenazhimit në Universitetin e Lanzhou-t, kryeqendra e provincës Gansu në Kinën Veriperëndimore. Pas diplomimit në vitin 1978, ai nisi punë në Drejtorinë e Hekurudhave të Guangzhou-t, kryeqendra e provincës jugore Guangdong, ndërsa më pas, në fillim të viteve '80 të shekullit të kaluar, kur në Kinë sapo kishte nisur Reforma dhe Hapja, u caktua zyrtar i lidhjeve në Komitetin e Marrëdhënieve Ekonomike e të Tregtisë së Jashtme të Provincës Guangdong. Ishte një punë e mirë dhe e qëndrueshme e shumë veta e lakmonin. Megjithatë për Wang Shi-në ajo nuk ishte e mjaftueshme. Ai thotë: "Kur punoja në zyrë në Guangzhou, kurrë nuk shkova një minutë me vonesë në punë dhe kurrë nuk ika një minutë më shpejt nga puna. Kështu askush nuk kishte çfarë të thoshte për mua. Por në thelb shpenzoja vetëm 10 % të energjive të mia në punë. Ironia ishte se shefi im e pëlqente një gjë të tillë. Atij i pëlqeja, sepse nuk isha ambicioz ose individualist, dhe nuk më pëlqente të dukesha. Por për mua ishte vërtet e frikshme. Po të vazhdoja kështu, e kisha shumë të qartë si do të ishte e gjithë jeta ime në të ardhmen: thjesht një punonjës zyre dhe unë nuk mund të shpalosja të gjitha aftësitë e mia dhe gjithçka që mund të isha në gjendje të bëja."
Më tej Wang Shi shton: "Ndihesha i stresuar. Jeta ime ecte me një ritëm të ngadaltë. Në punë vëreja një hendek të madh mes meje dhe kushteve të jetesës së njerëzve të ndryshëm. Doja edhe unë ta provoja fatin në biznes e ta përmirësoja jetën time."
Dhe kështu në vitin 1983 Wang Shi vendos të japë dorëheqjen nga puna. Ai ende nuk e ka vendosur se çfarë do të bëjë, por e ka vendosur se ku do të shkojë: në Shenzhen, qyteti në kufirin mes pjesës kontinentale të Kinës e Hong-Kongut. Nga një fshat peshkatarësh, Shenzhen-i po merrte një zhvillim të vrullshëm e ishte vënë në pararojë të procesit të Reformës dhe të Hapjes në Kinë.
"Në të vërtetë, në atë kohë studimi jashtë vendit ishte në modë dhe unë kisha vërtet dëshirë të madhe të shkoja të studioja jashtë, por tashmë isha i martuar dhe kisha një fëmijë, kështu që vendosa të qëndroja në Kinë dhe të bëja ca para përpara se të shkoja jashtë," tregon Wang Shi.
Në atë kohë sapo ishte krijuar Zona e Veçantë Ekonomike e Shenzhen-it dhe Wang Shi vendosi ta niste këtu aventurën e tij në fushën e sipërmarrjes.
"Shenzhen-i për mua ishte si një kantier i madh ndërtimi. E dija se ai ishte vendi ku mund të përdorja në masën më të madhe aftësitë e mia dhe të nisja biznesin tim," shprehet Wang lidhur me zgjedhjen e Shenzhen-it.
Wang Shi vendosi më në fund që të merrej me biznesin e tregtimit të misrit. Hong-Kongu, fqinj me Shenzhen-in, kishte shumë pulari, por meqë e kishte tokën të kufizuar, problem ishte sigurimi i ushqimit për pulat. Wang Shi nisi të blejë misër në pjesën kontinentale të Kinës dhe e shiste atë në Hong-Kong. Biznesi shkon mbarë dhe Wang Shi bëhet një ndër eksportuesit më të mëdhenj të misrit në Shenzhen. Dhe pa dyshim, Wang Shi nis të pasurohet nga kjo tregti, duke fituar vetëm në tre muaj 400 mijë juanë. Por ai nuk e dinte se sfida e parë ndaj aventurës së tij do të ishte tashmë në prag.
Mediat njoftojnë se autoritetet e Hong-Kongut kanë gjetur elemente kancerogjene në ushqimin e pulave, dhe kështu pothuajse brenda natës tregtimi i mishit të pulave ndalon e, në vend të tyre, banorët e Hong-Kongut i kthejnë sytë nga pëllumbat.