PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë, model i ri në prodhimin e lodrave
2015-07-07 14:48:05 CRI Komenti juaj Printoni

Qysh nga viti 2008, kur shpërtheu kriza financiare në Europë dhe ShBA, tregtia e jashtme e Kinës ka pasur vështirësi të panjohura kurrë më parë. Vitin e kaluar, vëllimi i import-eksportit të Kinës shënoi rritje me 3.4 %, shumë larg nga objektivi i përcaktuar prej 7.5 %. Në tremujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave fillestare nga doganat, import-eksportet kineze kapën vlerën 5.54 trilionë juanë, 6 % më pak se në tremujorin e parë të vitit 2014. Megjithëse gjendja e tregtisë së jashtme të Kinës është e vështirë, prodhimi i lodrave në distriktin Chenghai të qytetit Shantou të Kinës Jugore për shumë vjet me radhë ka ruajtur një rritje mbi 10 %. Ajo që është edhe më befasuese është që produktet e këtij distrikti eksportohen kryesisht në Europë dhe SHBA, të cilat janë prekur rëndë nga kriza financiare. Tani le të shohim bashkë cila është e fshehta e arritjes së një mrekullie të tillë nga prodhuesit në Chenghai.

Banorët e Chaozhou-t dhe Shantou-t të Kinës Juglindore kanë talent për biznes dhe vlerësohen si "hebrenjtë e Lindjes". Në distriktin Chenghai të qytetit Shantou të provincës Guangdong, sektori i lodrave është bërë një industri shtyllë. Pas më shumë se 30 vjetësh të reformës dhe hapjes, Chenghai është bërë bazë e njohur në botë për prodhimin dhe eksportimin e lodrave dhe suvenireve. Çdo vit nga Chenghai dërgohen në 140 vende e rajone të botës lojëra elektronike dhe lodra smart. Kryetari i Shoqatës së Lodrave të provincës Guangdong, Li Zhuoming u shpreh që Chenghai ka rrugën e vet të suksesit.

"Lodrat e prodhuara në Chenghai kanë përparësitë e veta. Së pari, kostoja është konkurruese, madje më e ulët se në deltën e lumit Zhujiang. Ndërkohë, të rinjtë në Chenghai janë shumë të shkathët dhe krijues. Mendimet e tyre përmbajnë risi. Mund të shohim në panairin e lodrave të Guangzhout që zhvillohet çdo prill që produktet e tyre ndryshojnë përvit. Krahas kësaj, atmosfera në Chenghai është e mirë, pasi zinxhiri i prodhimit është i plotë. Kjo është një bazë shumë e mirë për menaxhimin e kostos, zhvillimin dhe krijimin e risive," analizon Li Zhuoming, kryetari i Shoqatës së Lodrave të Guangdong-ut.

Sektori i lodrave në Chenghai, në fillim të reformës dhe hapjes në Kinë, ka pasur si bazë përpunimin fillestar dhe ka pasur mbështetje nga qeveria. Duke pasur pesë faza zhvillimi, si nisja e biznesit, nxitja e risive, ristrukturimi dhe përqendrimi i kompanive prodhuesee, si dhe ndryshimi i modelit të biznesit, katër prodhuesit kryesorë të lodrave në Chenghai, "Alpha Toys", "Rastar", "Huawei Toys" dhe "Qunxing Toys", janë regjistruar me sukses në tregun e aksioneve, duke përbërë gjithsej 80 % të kompanive kineze të lodrave që janë futur në bursë. Krahas kësaj, edhe tre kompani të tjera të mëdha në këtë industri - "Jiada Toys", "Loongon Animation & Culture" dhe "Chengxing Hobby" - janë regjistruar në bursën e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, duke krijuar kështu me sukses modelin "Chenghai" në tregun aksionar.


Rastar

 

Zv.drejtori i Drejtorisë së Biznesit në distriktin Chenghai të qytetit Shantou, Li Zhongyi, bën të ditur që sektori i lodrave në Chenghai në janar dhe shkurt ka pasur rritje vërtet të madhe dhe të dhënat janë mjaft inkurajuese. Ai thotë:

"Në janar dhe shkurt, eksporti i lodrave të Chenghai-t kapi vlerën 86. 94 milionë, 17.4 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tani, mund të flas me më shumë besim."

Në fakt, ajo që ka garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të lodrave të Chenghai-t janë përpjekjet e shumta dhe të shkathëta të bëra nga kompanitë. Kompania "Loongon Animation & Culture" është një nga kompanitë e njohura në Chenghai. Drejtori i departamentit të eksportit të kësaj kompanie Zhang Ke u shpreh që, nëse "Loongon Animation & Culture" nuk do të bënte promovimin e vet jashtë vendit para pesë vjetëve, është e vështirë të përfytyrohet se cila do të ishte gjendja e tanishme. Në të kaluarën, 60 % e produkteve të kësaj kompanie ishin të markave të tjera dhe vetëm 40 % të markës së saj. Ndërsa tani gjendja ka ndryshuar, 60 % e prodhimit është e markës së vet dhe 40 % e markave të tjera.

"Në të kaluarën, ishim si një pronar që fokusohet vetëm tek prodhimi. Mendonim se ata që blinin produktet tona do të na ndihmonin në promovim. Por kuptuam gradualisht që, po të dilnim jashtë vendit, do të kontaktonim drejtpërdrejt me klientët. Duket në fillim sikur kemi shpenzuar më shumë, por rezultati ka qenë shumë mirë!"

"Alpha Toys" është kompania e parë e lodrave e regjistruar në bursë. Si udhëheqëse në sektorin e lodrave, ajo ka fituar 100 milionë juanë vetëm me shitjen e xhiroskopit, duke krijuar një sukses të madh në këtë fushë. Sivjet, nëpërmjet bashkëpunimit me kompanitë e njohura të shitjeve në Amerikën Veriore, si "Walmart" dhe "TRU", "Alpha Toys" ka hapur degë dhe dyqane në ShBA. Kjo ka krijuar një gjendje të re në tregun amerikan, por edhe atë europian dhe, si rezultat, niveli i shitjeve ka pasur rritje të mëtejshme. Përveç kësaj, kompania "Alpha Toys" ka edhe disa raste të njohura suksesi. Drejtori i Programeve i departamentit ndërkombëtar pranë "Alpha Toys", Li Jianqun, bëri të ditur që një ndër rastet e suksesshme, të cilin ai e vlerëson si simbolik, ka nxitur nivelin e shitjeve me një videoanimacion të nivelit botëror. Ai u shpreh që për një videoanimacion të tillë, "Alpha Toys" ka ftuar një grup të huaj profesionist.


Alpha Toys

"Tani në Korenë e Jugut, po shfaqet një film serial i animuar, i cili ndryshon shumë nga ata që shfaqim në pjesën kontinentale të Kinës. Ky është një film i animuar i nivelit botëror. Në Kinë, personazhi kryesor njihet si Sky Rover. Fëmijët mund të njohin kulturat dhe karakteristikat e vendeve të ndryshme në këtë film serial. Ky film është transmetuar prej më shumë se gjysmë viti dhe partnerët tanë në Korenë e Jugut kanë porositur mbi 20 seri, me një vlerë të përgjithshme afro 4-5 milionë dollarë. Kemi në plan që ta promovojmë këtë film serial edhe në Lindjen e Mesme, Vietnam dhe vendet e Azisë Juglindore. Unë personalisht mendoj që kjo është rast simbolik," thotë Li Jianqun drejtori i Programit i kompanisë "Alpha Toys".

Chen Hua, drejtues i lartë i kompanisë "Bureau Veritas", bën një analizë mbi prirjen e zhvillimit të sektorit kinez të lodrave në vitin 2015. Ai vlerësoi lart modelin Chenghai.

"Të gjithë e dinë që sektori i prodhimit zë vetëm një të dhjetën ose një të nëntën e fitimeve. Fitimet kryesisht vijnë nga dizenjimi dhe procesi i shpërndarjes. Kështu, kompanitë në Chenghai kanë pasur arritje të dukshme në sektorin e lodrave, sepse ato e kanë kuptuar që duhet të prodhojnë mallra me vlerë të lartë shtesë dhe me marka të tyre, madje të merren me sektorin e risive kulturore, duke prodhuar mallrat përkatëse. Prodhuesit e lodrave në Chenghai kanë koncepte të përparuara, duke udhëhequr zhvillimin e këtij sektori në mbarë Kinën. Kjo është e mrekullueshme! Ai që kap këtë prirje, ka fituar të ardhmen," thotë Chen Hua

(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China