PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Lu Guanqiu, "pemë me gjelbërim të përhershëm" e biznesit të makinave
2015-05-06 09:20:43 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 22-29 prill u zhvillua edicioni i 15-të i Panairit të Automjeteve të Shangait për vitin 2015, panairi më i madh i këtij lloji në Kinë dhe ndër më të mëdhenjtë në botë. Konceptet dhe produktet e reja të paraqitura në këtë panair jo vetëm tregojnë statusin e Kinës si një ndër tregjet më të rëndësishme të automjeteve në botë, për të mos thënë më i rëndësishmi, por janë edhe dëshmi e zhvillimit të sektorit vendës të prodhimit të automjeteve, të cilit i përkisnin disa prej këtyre ideve e koncepteve.

Një ndër kompanitë më të njohura kineze të industrisë së automjeteve është edhe "Wanxiang". Themeluesi dhe drejtuesi i saj Lu Guanqiu e kthehu një ofiçinë të vogëlfshati në kompaninë më të madhe të pjesëve të këmbimit për makina të Kinë, që prodhon amortizatorë, kuzhineta dhe pjesë transmisioni për kompanitë e njohura të automjeteve, duke përfshirë "General Motors", "Ford", "Chrysler" dhe "Toyota". Djaloshi i varfër nga fshati është bërë tashmë një nga njerëzit më të pasur në Kinë. Ai është renditur si një nga 10 biznesmenët më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës për gjashtë vjet rresht që nga viti 2000. Historia e Lu Guanqiu-t është një nga më të spikaturat histori të sipërmarrësve kinezë. Lu, i quajtur shpesh "një pemë me gjelbërim të përjetshëm" i biznesit privat në Kinë, është brezi i parë i sipërmarrësve kinezë që kur vendi nisi politikën e hapjes afro katër dhjetëvjeçarë më parë.

Shumica e njerëzve mendojnë se ofiçina e riparimit të makinerive bujqësore është fillimi i biznesit nga Lu Guanqiu. Por, në të vërtetë eksplorimin e vet në sipërmarrje ai e nisi në vitin 1965, kur hapi një mulli në vendlindjen e vet.

Lu Guanqiu ka lindur në janar të vitit 1945 në një fshat të komunës Ningwei në provincën Zhejiang të Kinës Lindore. Kur ishte 15 vjeç, ai e la shkollën dhe nisi fillimisht të punojë si çirak në një fonderi. Gjatë atyre tre vjetëve ai krijoi një lidhje të veçantë me pajisjet e makineritë. Sidoqoftë, fillimisht Lu nisi të merrej me diçka tjetër. Në atë kohë bashkëfshatarëve të tij u duhej të ecnin 3 - 4 kilometra deri në qendër të qytetit për të bluar orizin dhe grurin e tyre.

"Pse të mos kemi një mulli në fshatin tonë? Mund edhe të fitoj ca para nga kjo," mendoi Lu Guanqiu. Dhe kështu asokohe 20-vjeçari huajti 3 000 juanë (më pak se 600 dollarë amerikanë) nga të afërmit e shokët dhe hapi një mulli.

Bizneset private ishin të ndaluara në ato kohë, por fjala shpejt u përhap në mesin e fshatarëve dhe biznesi i Lu Guanqiu-së filloi të lulëzonte, derisa një ditë u zbulua dhe ai u detyrua ta mbyllë.

Por Lu Guanqiu-së nuk iu thye zemra dhe nuk hoqi dorë nga ëndrra e tij për drejtimin e një biznesi. Më pas ai hapi një dyqan riparimi biçikletash, e pastaj një punishte përpunimi ushqimi, por mundësia më e mirë për Lu Guanqiu-në, e që mbase falë së cilës u bë miliarderi që është sot, erdhi në vitin 1969, kur qeveria lejoi çdo komunë që të kishte një ofiçinë riparimi të makinerive bujqësore. Lu Guanqiu, në atë kohë 24-vjeçar, bashkë me gjashtë veta të tjerë, hapi Ofiçinën e Riparimit të Makinerive Bujqësore të Ningwei-t, që mund të vlerësohet si paraardhësja e "Wanxiang"-ut. Lu Guanqiu shiti gjithçka kishte dhe futi 4000 juanë (diçka më pak se 645 dollarë amerikanë), duke vënë njëfarë basti me fatin e vet. Ishte një ofiçinë e vogël vetëm vetëm 84 metra katrorë, por shpesh, siç mbase Lu Guanqiu e di mirë, nga gjërat e vogla lindin pasuritë e mëdha.

Në të vërtetë, në Ofiçinën e Riparimit të Makinerive Bujqësore të Ningwei-t, përveç rregullimit, nisën të prodhoheshin edhe vegla bujqësore e pjesë të tjera, si plugje, lesa, lidhës etj., e kështu kjo ofiçinë u kthye në një fabrikë.

Në vitin 1978, fabrika punësonte 300 veta dhe prodhonte pjesë për pajisje bujqësore dhe automobila. Por një vit më pas Lu Guanqiu vendosi që fabrika të përqendrohet vetëm në lidhësit universalë (ose lidhësit U) për automobila.

Pika kthesë për Lu Guanqiu-në erdhi në vitin 1980, kur ai i çoi lidhësit e tij universalë për të marrë pjesë në një panair kombëtar të pjesëve të automjeteve në provincën Shandong. Fabrika e panjohur e fshatit nuk u lejua të hyjë në sallë me kompanitë e tjera të mëdha dhe Lu Guanqiu ngriti një kioskë të vogël jashtë.

Ndërsa brenda sallave të panairit blerësit dhe shitësit debatonin për çmimet, Lu mendoi se mund të fitonte diçka në qoftë se i ulte çmimet e produktit të tij me 20 për qind. Ai shpejt tërhoqi shumë klientë, të cilët vërejtën se lidhësit universalë të Lu Guanqiu-së kishin të njëjtën cilësi, ose madje edhe cilësi më të lartë se ato të markave të mëdha, dhe më në fund Lu siguroi porosi me vlerë 2.1 milionë juanë (334 mijë dollarë amerikanë) për fabrikën e vet.

"Konkurrenca e tregut është gjithmonë e lidhur me konkurrencën për çmimin, cilësinë dhe koston," është i mendimit Lu Guangqiu.

Kur sistemi i së ashtuquajturës "kontratë me përgjegjësi familjare në fshat" nisi të zbatohet gjerësisht në të gjithë Kinën në vitin 1983, Lu Guanqiu vuri pemët që kishte në tokën e vet, me vlerë 20 000 juanë (diku te 3200 dollarë amerikanë), si hipotekë dhe nënshkroi një kontratë trevjeçare me komunën për të drejtuar fabrikën e lidhësve universalë.

Sistemi i kontratës me përgjegjësi familjare ka qenë një pjesë e rëndësishme e reformës ekonomike në Kinë. Sipas këtij sistemi, një familje ose një grup familjesh merrte përsipër prodhimin, kundrejt shlyerjes së detyrimit përkatës shtetit për një periudhë kohe të vendosur në kontratë. Pas përmbushjes së kuotës dhe shlyerjes së detyrimeve, fshatarët kishin të drejtë të shitnin tepricën e prodhimit në treg ose ta mbanin atë për përdorim vetjak. Kjo rriste stimujt e fermerëve dhe nxiste rendimentin në prodhim.

Në periudhën e kontratës trevjeçare, Lu Guanqiu e tejkaloi çdo vit vëllimin e shitjeve të parashikuar në kontratë.

Në vitin 1983, për të zbatuar strategjinë e tij të vetëmenaxhimit, Lu Guanqiu i mori vetë të gjitha kontrat e fabrikës Më pas, në vitin 1988, Lu Guanqiu bleu aksionet e fabrikës së lidhësve universalë nga konteja për 15 milionë juanë (afro 243 mijë dollarë amerikanë), duke e kthyer atë në një sipërmarrje private. Dy vjet më pas, në vitin 1990, Lu krijoi Grupin e Makinerive dhe të Pajisjeve Elektronike "Wanxiang" të Zhejiang-ut (wanxiang në gjuhën kineze do të thotë pikërisht "lidhës universal").

Më vonë lidhësit universalë të Grupit të Makinerive dhe të Pajisjeve Elektronike "Wanxiang" do të zinin 65 për qind të tregut kinez e do të tregtoheshin edhe në 18 vende të botës.

"Wanxiang"-u është tashmë prodhuesi më i madh i pjesëve të këmbimit në Kinë. Kompania punëson më shumë se 30 mijë veta dhe ka shitje 40 miliardë juanë (afro 6.5 miliardë dollarë amerikanë) në vit. Lu Guanqiu e ka diversifikuar tashmë kompaninë e vet në shumë fusha të tjera të biznesit, duke përfshirë bujqësinë, financat, minierat, bankat dhe pasuritë e patundshme. "Wanxiang"-u zotëron 10 për qind të Bankës "Zheshang", banka e parë private në provincën Zhejiang, e cila është e specializuar në shërbimet për numrin e madh të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme private të kësaj province, që shpesh nuk mund të marrin fonde nga bankat e mëdha shtetërore.

"Wanxiang"-u ka nisur edhe prodhimin e makinave. Në më shumë se dhjetë vjetët e fundit Lu Guanqiu ka përdorur miliona dollarë për prodhimin e automjeteve me karburant alternativ.

Në vitin 1999 Lu Guanqiu vuri objektivin që, brenda një dhjetëvjeçari, "Wanxiang"-u të bënte 10 milionë juanë (afro 1.7 milionë dollarë amerikanë) fitime në ditë, objektiv që u arrit. Më tej ai vendosi një tjetër "objektiv dhjetëfishimi": deri në vitin 2019 kompania e tij të arrijë fitime ditore prej 10 milionë juanësh (afro 1.7 milionë dollarë amerikanë), ndërsa punonjësi më i mirëpaguar i kompanisë të marrë 100 milionë juanë në vit.

Suksesi i kompanisë së Lu Guanqiu-t ka ardhur kryesisht nga shtimi i përdorimit të makinave në Kinë. Tregu i automjeteve i Kinës, që ka pasur rritjen më të shpejtë në nivel global, ka ruajtur për një kohë të gjatë një rritjedyshifrore.

Por Lu Guanqiu nuk është i kënaqur vetëm me tregun kinez. Ndërsa kompanitë e tjera të pjesës kontinentale të Kinës mjaftohen vetëm me ushtrimin e veprimtarisë së tyre brenda vendit, ose ndoshta duke e bërë biznesin e tyre me anë të eksporteve, "Wanxiang"-u është pionier i asaj së cilës i mëshohet shumë sot në Kinë dhe që quhet "dalje jashtë vendit", dhe është një ndër sipërmarrjet kineze me zgjerimin më të madh ndërkombëtar. "Wanxiang"-u ka 22 kompani në 10 vende, duke përfshirë ShBA-në, Kanadanë, Meksikën, Brazilin, Australinë e Britaninë.

"Hapi i parë ishte shitja e produkteve tona jashtë vendit", thotë Lu. "Më pas, hapi i dytë ishte bashkëpunimi me kompanitë e huaja, ndonjëherë duke u bërë aksioneri kryesor i tyre, për të zgjeruar pjesën tonë në tregun kryesor ndërkombëtar."

Tani "Wanxiang"-u është bërë një shembull suksesi i investimeve kineze jashtë vendit.

Në vitin 1994 "Wenxiang"-u u kuotua në Bursën e Shenzhen-it dhe po atë vit kompania krijoi degën e vet në ShBA, çka shënon nisjen e rrugës së ndërkombëtarizimit të saj. Në vitin 2001 "Wenxiang" bleu kompaninë UAI të listuar në Bursën NASDAQ, duke u bërë e para sipërmarrje private kineze që ka blerë një kompani të huaj të kuotuar në bursë.

Në mars të vitit 2013 "Wenxiang"-u njoftoi blerjen e plotë të BPI-së, një kompani ndërkombëtare e prodhimit të pjesëve për automjete. Po atë vit "Wenxiang" bleu edhe kompaninë A123, që sipas Lu Guanqiu-së është prodhuesja e baterive të litiumit me teknologjinë më moderne sot në botë, e cila megjithatë ndodhej në vështirësi.

"Tani prodhimi është normalizuar, financat e kompanisë janë ribalancuar dhe punëtorët e larguar janë kthyer në punë," thotë Lu Guanqiu lidhur me A123.

Ni Pin është kreu i degës së "Wenxiang"-ut në ShBA. Ai shprehet që, kur "Wanxiang"-u mori vendim për blerjen e kompanisë A123, ekspertët menduan që do t'i duheshin pesë vjet për ta ndryshuar gjendjen e vështirë të A123, që kishte 300 milionë dollarë humbje. Por "Wanxiang"-u e arriti ndryshimin e A123-së brenda vetëm një viti e gjysmë. Madje vëllimi i prodhimit të kësaj kompanie nuk arrinte të plotësonte kërkesat e mëdha të tregut.

Vitin e kaluar "Wanxiang"-u bleu kompaninë amerikane të prodhimit të makinave elektrike luksoze "Fisker".

Lu Guanqiu vëren se biznesi i grupit "Wanxiang"-ut në ShBA, veçanërisht blerjet e kompanive A123 dhe "Fisker", i kanë sjellë këtij grupi një emër shumë të mirë. Një gjë të tillë e shprehu edhe zv.presidenti amerikan Joe Biden gjatë takimit që pati me Lu Guanqiu-në. Biden-i shprehu dëshirën që Grupi "Wanxiang", ashtu si edhe kompani të tjera kineze, të vazhdojë investimet e tij në tregun amerikan.

"Siç u shpreh edhe zv.presidenti Joe Biden, populli amerikan, populli kinez dhe të gjithë popujt e botës kanë nevojë për energji të pastër dhe i parapëlqejnë makinat me energji të pastër. Z. Biden shpreson që të kemi arritje konkrete në këtë drejtim," theksoi Lu Guanqiu.

Kompanitë jashtë vendit të "Wanxiang"-ut kanë funksionuar që nga fillimi në bazën e sistemeve të lokalizuara të menaxhimit. Këto kompani kanë standarde menaxhimi në përputhje me praktikat ndërkombëtare, me funksione kontabiliteti dhe ligjore të kryera nga firmat vendore përkatëse. Kështu, ato kanë fituar besimin e klientëve në vendet ku e ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

Pse "Wanxiang"-U nuk bën thjesht prodhimin në Kinë dhe eksportimin në SHBA?

"E gjitha është e lidhur me ndarjen efikase të burimeve dhe maksimizimin e forcës", thotë Lu Guanqiu. "Çfarë ke ti? Çfarë kam unë? Le t'i bashkojmë ato që kemi dhe mund të krijojë diçka të madhe".

Për shkak të kostove të prodhimit të lartë në ShBA, "Wanxiang"-u e lëviz një pjesë të proceseve të prodhimit në Kinë, ndërsa kompanitë e blera në ShBA përqëndrohen në përpunimin dhe montimin.

"Një strategji e tillë është me përfitime të dyfishta, si për kompanitë amerikane, ashtu edhe për kompanitë kineze", vë në dukje Lu Guanqiu. "Për shkak të ndarjes optimimale të burimeve, blerjet nga 'Wanxiang'-u në ShBA kanë mbajtur një normë mesatare kthimi të investimit mbi 100 për qind. Eksportet e 'Wanxiang'-ut gjithashtu kanë pasur mesatare vjetore rritjeje prej 46 për qind në dhjetë vitet e fundit," shton ai.

Lu thotë se receta e tij e fshehtë është gjetja se çfarë është e dobishme për kompaninë që synohet për t'u blerë.

"Duhet të gjesh se si ato kompani mund të përfitojnë nga partneriteti," thekson Lu Guanqiu. "Ne nuk shkurtojmë vendet e punës, përkundrazi, krijojmë vende të reja pune."

Lu Guanqiu vë në dukje që "Wanxiang"-u tani po përpiqet të prodhojë makinën më të mirë elektrike në tregun amerikan. Fjalët e Lu Guanqiu-t mbështeten në suksesin e grupit të tij.

"Rruga është ende shumë e gjatë," tha Lu. "Ne duam të përqëndrohemi tani për tani në prodhimin në ShBA. Në qoftë se unë nuk do të kem sukses, im bir do të vazhdojë. Nëse as ai nuk arrin, nipi im do ta bëjë një gjë të tillë."

Lu Guanqiu mban një fotografi të nipit të vet në xhepin e tij. Duke shpresuar se një ditë vogëlushi do të drejtojë kompaninë, ai shpesh e mban atë në prehër kur është duke punuar. "Unë do ta mësojë atë të bëjë biznes, ashtu siç kam mësuar babain e tij," shprehet duke buzëqeshur Lu Guanqiu.

Ajo që të bën më shumë përshtypje nga jashtë te Lu Guanqiu, është e qeshura e tij e përzemërt. Por, nëse e njeh edhe kulturën e tij të punës, ajo nuk ka se si mos të lërë mbresë gjithashtu.

Lu Guanqiu zgjohet çdo ditë në orën 5:10 të mëngjesit. Stafi i përgatit një material prej 3000 fjalësh nga mediat kryesore lidhur me çështje të industrisë së automjeteve. Ai ka një zyrë vetëm dhjetë metra katrorë, ndoshta zyra më e vogël ndër kolegët e vet miliarderë.

Lu Guanqiu thotë se hobi i tij i vetëm është puna. "Unë nuk di të këndoj. Unë nuk di të vallëzoj. Çfarë tjetër mund të bëj?" shprehet ai.

Lu Guanqiu rrallë merr ndonjë ditë pushimi. "Unë nuk do të resht së punuari, derisa të jem shumë i vjetër për të lëvizur. Njerëzit si unë, sa kohë që truri u punon ende, gjithmonë mendojnë për biznes," shprehet ai.

Shumë nga anëtarët e familjes së tij kanë qenë ose janë punonjës të "Wanxiang"-ut dhe me ta ai flet më shumë për gjëra që kanë të bëjnë me kompaninë. Gruaja e tij u bë një saldatore eksperte dhe ka punuar edhe gjatë katër shtatzënive të saj. Në vitin 1972 ajo e lindi djalin e tyre të vetëm, tani president i "Wanxiang"-ut, Lu Weiding, në dyshemenë e fabrikës.

Mësimi nga dështimet e të tjerëve e ka bërë perandorinë e biznesit të Lu Guanqiu-së të mbijetojë në botën shumë konkurruese të biznesit. Kur ndonjë sipërmarrje e njohur dështon, Lu Guanqiu i kërkon stafit të vet të mbledhë të tërë informacionin e mundshëm në lidhje me të dhe thërret në zyrë drejtuesit e tjerë të "Wanxiang"-ut për të bërë një "autopsi" të kompanisë.

E ndërsa shumë nga kolegët dhe konkurrentët e tij janë tërhequr, Lu mbetet pra një "pemë me gjelbërim të përhershëm."

"Thuhet se kovaçët, detarët dhe gatuesit e toufu-së kanë punën më të vështirë në botë. Unë i kam bërë këto punë të vështira, me përjashtim të bërësit të toufu-së. Tani vërtet e kuptoj se sipërmarrja të bën të provosh telashe e vështirësi. Sa më shumë të djersitësh, aq më shumë rezultate të mira do të kesh. Pa dhimbje nuk ka fitore. Sigurisht, nëse duam ta zgjerojmë biznesin tonë, duhet të punojmë shumë," shprehet 70-vjeçari.

Dhe pa dyshim puna e palodhur e ka bërë Lu Guanqiu-në të jetë një ndër njerëzit më të pasur në Kinë. Sipas vlerësimit më të fundit të revistës "Forbes", djaloshi i dikurshëm nga fshati Lu Guanqiu ka tani një pasuri prej 6.8 miliardë dollarësh.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China