PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Feng Lun-i, ndërtuesi që ka konkurrent … Perëndinë
2014-07-08 11:36:07 CRI Komenti juaj Printoni

Feng Lun-i është quajtur "njeri i Rilindjes" dhe "filozof (a mendimtar) i sektorit të pasurive të paluajtshme" dhe është nismëtar i një modeli të ri biznesi në sektorin e pasurive të paluajtshme në Kinë. Ai është autor librash që janë mirëpritur dhe që janë shitur mirë, si edhe është një njeri që i pëlqen aventura: në vitin 2006 udhëtoi duke ngarë një xhip nëpër të gjithë Afganistanin. Kompania e tij "Vantone" është sot një ndër më të fuqishmet në sektorin e pasurive të paluajtshme në Kinë dhe po kërkon të bëhet një aktor edhe në shkallë globale. "Vantone" është kompania e parë që ka marrë me qira mjedise në Qendrën e re Botërore të Tregtisë, të ndërtuar në vendin ku dikur ndodheshin kullat binjake të shkatërruara në sulmet terroriste të 11 shtatorit. Feng Lun-i thotë se, kur vjen fjala te biznesi i pasurive të paluajtshme, i vetmi konkurrent që ka është … vetë Perëndia.

Feng Lun-i ka lindur në kryeqendrën e provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore, qytetin e Xian-it. Të gjithë ciklin e studimeve, deri në ato të larta, e ndoqi në vendlindje, dhe u diplomua për ekonomi në Universitetin Veriperëndimor të Xian-it. Më pas studimet pasuniversitare i ndoqi në Pekin, duke marrë një gradë "master" në shkencat politike në Shkollën Qendrore të Partisë në Pekin, ku më pas edhe punoi, si edhe një doktoraturë në drejtësi në Akademinë e Shkencave Shoqërore të Kinës. Feng Lun-i ishte një mbrojtës dhe promovues i sistemit të reformës në Kinë, duke u zgjedhur numri dy i Zyrës së Kërkimeve të Sistemit Krahasues të Institutit të Studimeve të Ristrukturimit Ekonomik të Kinës pranë Komisionit Shtetëror për Ristrukturimin e Ekonomisë. Më vonë ai u dërgua në Hainan, ishulli më jugor i Kinës, për të ngritur Institutin e Kërkimeve të Reformës dhe Zhvillimit të Hainan-it, ku mbajti postin e zëvendësdrejtorit ekzekutiv.

Në fund të viteve '80 të shekullit të kaluar, kur Hainan-i u bë zona e veçantë ekonomike më e madhe dhe provinca më e re në Kinë, ky ishull ishte një destinacion i parapëlqyer për shumë biznesmenë ambiciozë kinezë. Duke ndjekur atë që mund të quhet prirje kombëtare asokohe në Kinë, pra atë në nisjes së bizneseve private, Feng Lun-i bëri një ndryshim të shpejtë të karrierës së vet në vitin 1991. "Deri atëherë kisha folur për rëndësinë e biznesit privat, por nuk e kisha menduar të hyja vetë në biznes," shprehet ai.

Dhe kështu, duke lënë punë në shtet, ai krijoi kompaninë e vet.

Dy vjet më vonë, teksa ethet e zhvillimit të biznesit në Hainan nisën të kalojnë, Feng Lun-i vendosi të kthehet në Pekin e të krijojë aty kompaninë e pasurive të paluajtshme "Vantone", meqë Pekini, si kryeqyteti i vendit, ishte edhe qendra e zhvillimit të këtij sektori. Ndër bashkëthemeluesit e "Vantone"-s, të cilët më pas u larguan për të krijuar kompanitë e tyre të ndërtimit, duke bërë emër e miliona, janë Pan Shiyi i Grupit "Soho"-s, dhe Yi Xiaodi, kryetari i "Sunshine 100 China Holdings".

Nën drejtimin e Feng Lun-it, "Vantone" është shndërruar tashmë ndër kompanitë kryesore të pasurive të paluajtshme në Kinë, duke u renditur në dhjetë vendet e para në shumë kategori për sa u përket ndërtesave, si atyre të banimit, ashtu edhe komerciale. Lidhur me fitimet kapitale, "Vantone" vlerësohet kompania e tretë më e madhe e ndërtimit në Kinën kontinentale. Vlera e përgjithshme e aseteve të kompanisë arrin në 14 miliardë juanë (mbi 2.27 miliardë dollarë).

Edhe sot e kësaj dite "Vantone" vazhdon të lulëzojë, teksa shumë kompani të tjera pasurish të paluajtshme kanë probleme me financat e tyre. Strategjitë e zgjuara të Feng Lun-it për zhvillimin dhe suksesin e "Vantone"-s e bënë këtë të fundit kompaninë e parë të pasurive të paluajtshme nga Kina kontinentale që ia doli të hyjë në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Feng Lun-i quhet një "mendimtar" a "filozof" i pasurive të paluajtshme dhe vlerësohet si një nga pionierët dhe novatorët e këtij sektori, i cili ka filluar transformimin e sektorit kinez të pasurive të paluajtshme nga stili i biznesit i Hong-Kongut te modeli amerikan.

Pas shumë hulumtimesh dhe shqyrtimesh, Feng Lun-i mori vendimin për ta zhvendosur kompaninë e tij në atë që ai e quan model i Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, për shkak të kanaleve të kufizuara të financimit, ndërtuesit kinezë duhet të ndjekin modelin amerikan të ndërthurjes së pronave me instrumente financiare si fondet e investimeve të pasurive të patundshme. Feng mendon se ky model ka një perspektivë afatgjatë në Kinë. "Ne duhet të presim për konsolidimin e kushteve tona të financimit të drejtpërdrejtë në qoftë se duam të ndjekim këtë model. Kjo është një sfidë ... por kur gjithnjë e më shumë fonde pensionesh dhe sigurimesh të vërshojnë në tregun e pasurive të paluajtshme, ky model mund të vihet në jetë," thekson ai.

"'Vantone' po e ndryshon modelin e biznesit nga ndërtimi te menaxhimi i pasurive të paluajtshme, duke pasur si plan afatgjatë menaxhimin e fondeve të pasurive të paluajtshme," vijon Feng. Ai shton se kompania po lëviz "lart", në financimin dhe menaxhimin e pasurive, duke qenë më pak e përfshirë në ndërtimin dhe shitjen e pronave. "Vantone synon të zhvendoset nga tullat dhe llaçi te menaxhimi i parave dhe pronave për investitorë të tretë," shprehet Feng. "Ne duam të lëvizim nga shërbimet që kërkojnë krahë të shumtë pune te shërbimet që kërkojnë kualifikim."

Feng Lun-i është i njohur për gjuhën e gjallë dhe metaforike. Kështu, ai e krahason rolin e tij si menaxher fondesh me atë të një pastruesi diamantesh: "Duhet të jesh i zoti ta bësh të shkëlqejë diamantin, por edhe ta ruash. Mund ta rrisësh vlerën e pasurive dhjetë herë, por, ashtu si ai që pastron diamantet e njerëzve të tjerë, do të mbash vetëm 5 % të fitimeve që vijnë nga aftësitë e tua si menaxher."

Feng Lun-i shpreson që tregu i banesave në Kinë të stabilizohet dhe çmimet në qytetet e mëdha të kenë ulje të ritmeve të rritjes, ndërsa në qytetet më të vogla të fillojnë "të rregullohen". Sërish duke përdorur një të folur të figurshëm, Feng Lun-i i krahason ndërtuesit me pijedashësit. "Ndërtuesit rendin pas fitimeve kolosale, ashtu si pijanecët ndihen të etur për hir të lumturisë dhe haresë që të jep pija. Por, nëse ata harrojnë se sa raki mund të mbajnë, mund të dehen lehtë. Teksa konkurrenca intensifikohet, firmat e ndërtimit po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshme për dëmin që shkakton 'pija' e tepërt dhe fillojnë të tregojnë kujdes. Nuk është mirë të pish shumë njëherësh. Ajo që është më e rëndësishme është që të kesh zakone të shëndetshme. Duket se shumica e ndërtuesve kineze kanë filluar të mendojnë në këtë mënyrë," thotë Feng-u. Dhe shton: "Pasuritë e paluajtshme janë një biznes që kërkon kohë për të arritur sukses". Megjithatë motoja e tij është: "Guxoni të mendoni dhe të veproni shpejt."

Përveç kryesimit të bordit të drejtorëve të Kompanisë së Pasurive të Paluajtshme "Vantone", Feng Lun-i është gjithashtu kryetar i bordit të drejtorëve në Grupin Industrial "Wantong", anëtar i bordit të Korporatës Bankare "Minsheng" të Kinës, kryetar i Shoqatës Mbarëkineze të Pronave të Banimit, si edhe zëvendëskryetar i Komisionit Profesional të Zhvillimit Qytetës të Shoqatës së Pasurive të Paluajtshme të Kinës, aleanca e parë strategjike në sektorin e pasurive të paluajtshme në Kinë, nismëtar i krijimit të së cilës është pikërisht Feng Lun-i.

Feng Lun-i shprehet gjithmonë për përgjegjësinë shoqërore të korporatave, si dhe për ndershmërinë e vetëdisiplinën në sektorin e pasurive të paluajtshme, por duke qenë njëkohësisht mbrojës i të drejtave të këtij sektori. Feng Lun-i është anëtar themelues i Shoqatës së Sipërmarrësve për Ekologjinë (SEE), dhe aktualisht kryetari i kësaj shoqate. Shoqata e Sipërmarrësve për Ekologjinë, e themeluar në qershor 2004, fokusohet në kontrollin e shkretëtirëzimit dhe çështjet e mjedisit. Feng Lun-i është po ashtu një ndër themeluesit, dhuruesit dhe drejtuesit e Fondacionit Botëror të së Ardhmes me seli në Singapor, i cili synon gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballet njerëzimi, të tilla si ndryshimi i klimës, uria e varfëria. Në prill të vitit 2008 Feng Lun-i ishte nismëtar i krijimit të fondacionit privat "Vantone", duke shërbyer si zëvendëskryetar i tij. Fondacioni "Vantone" fokusohet në zhvillimin e jetesës së gjelbër dhe studimin e zhvillimin e teknologjive të reja. Feng Lun-i është po ashtu një prej protagonistëve të Lëvizjes së Re të Strehimit, një nismë ekologjike, humaniste dhe teknologjike.

Përgjatë viteve "Vantone" u kthye në një grup të përfshirë në ndërtimin e godinave për zyra, qendrave tregtare, ndërtesave të banimit dhe fshatrave turistike.

Megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për Feng Lun-in. Në fillim të këtij shekulli, kur kompanitë kineze në sektorë të tillë si manifaktura dhe teknologjia po shtriheshin jashtë vendit, edhe Feng Lun-i donte të hynte në tregun e huaj të pasurive të paluajtshme, por pa pasur një shembull për të ndjekur.

Në një seminar në Universitetin e Pekinit, Feng Lun-i dëgjoi ekspertët amerikanë të flitnin lidhur me planin e rindërtimit të Qendrës Botërore të Tregtisë të shkatërruar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, dhe vendosi që edhe ai të bëhej pjesë e këtij plani. Në vitin 2003, Feng kaloi disa kohë në Universitetin Kolumbia në Nju-Jork duke u marrë me një projekt për atë që quhet "ground zero", vendi ku ndodheshin kullat binjake të shkatërruara.

Kjo çoi në investimin e parë të "Vantone"-s jashtë vendit, duke u dhënë shtysë edhe kompanive të tjera të mëdha kineze të pasurive të paluajtshme ta bëjnë një gjë të tillë.

Në vitin 2009 Qendra Kineze e Nju-Jorkut, e krijuar në vitin 2004 me investime të përbashkëta nga "Vantone" dhe Fondi për Investime i Qytetit të Nju-Jorkut, nënshkroi një kontratë 20-vjeçare me Autoritetin e Portit të Nju-Jorkut dhe Nju-Xhersit për marrjen me qira me 800 dollarë për metër katror të rreth 191 000 metrave katrorë të hapësirës në gjashtë kate të Kullës së Lirisë ose Qendrës Botërore të Tregtisë Një, siç quhet ndërtesa e ngritur aty ku më parë kulla veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë. Kështu "Vantone" u bë kompania e parë që mori me qira një mjedis në Qendrën e re Botërore të Tregtisë në Nju-Jork.

"Çdo herë që vizitoj Nju-Jorkun, shoh gjëra të reja, shoh mundësi të reja. Ka më shumë vizitorë kinezë dhe madje edhe më shumë imigrantë të rinj kinezë që vijnë këtu," thotë Feng, që e ka vizituar këtë qytet më shumë se 50 herë në dhjetëvjeçarin e fundit.

"Qendra Kineze shërben si një platformë kryesore për kompanitë kineze që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, si dhe për bizneset amerikane dhe ato të huaja në përgjithësi që kërkojnë mundësi të reja tregu në Kinë," thotë Feng Lun-i, i cili është edhe kryetar i kësaj qendre. "Ne përpiqemi ta bëjmë shtrirjen jashtë vendit të bizneseve kineze sa më të lehtë të jetë e mundur."

Feng Lun-i shprehet se Qendra Kineze në Nju-Jork synon të nxitë shkëmbimet kulturore dypalëshe duke organizuar veprimtari ekonomike, politike dhe kulturore për anëtarët dhe klientët e saj. "Qendra Kineze është një simbol i zhvillimit të ardhshëm të Kinës," thotë Feng Lun-i.

"Nëse Qyteti Kinez në Nju-Jork është historia e emigrantëve që shkuan në këtë qytet për të realizuar ëndrrat e tyre, Qendra Botërore e Tregtisë Një është një kapitull i ri për një brez të ri biznesmenësh të suksesshëm kinezë," thotë Feng Lun-i.

"Teksa Kina integrohet gjithnjë e më shumë në tregun global, ka një interes gjithnjë në rritje në botën perëndimore për të kuptuar kulturën e saj, biznesin dhe njerëzit, dhe po ashtu ka një interes po aq të madh në Kinë për të kuptuar më mirë vendet perëndimore," thotë Feng.

Ai shton se "për kinezët që bëjnë biznes në ShBA, gjëja më e rëndësishme është besueshmëria. Përshtatja me konceptet vendore ose lokalizimi janë të rëndësishme". Filozofia e tij e të bërit biznes në ShBA është: "Ha si kinez, bëj biznes si amerikan. "

Qendra Kineze ka zyra për korporatat kineze dhe ekspozita për kulturën kineze. Në këtë qendër madje ka edhe një kopsht vertikal kinez.

"Ne duam që 500 kompanitë kineze të listuara në Bursën e Nju-Jorkut dhe 'Nasdaq' të vijnë në qendrën tonë... Strategjia jonë ka qenë gjithmonë që t'u japim përparësi klientëve nga Kina dhe të plotësojmë kërkesat e tyre për t'u shtrirë jashtë vendit. Nëse ata duan hapësirë ​​për zyre në Vankuver, ne do të shtrihemi edhe atje dhe në qoftë se ata duan të jenë në Hokkaido, ne do të ndërtojmë atje," thotë Feng.

Feng Lun-i e sheh Qendrën Kineze si një eksperiment që mund të kryhet më pas edhe në Paris, Berlin, Romë, Toronto dhe gjetkë. Ai shpjegon se zgjerimi në tregun konkurrues të pasurive të paluajtshme të Nju-Jorkut është në qendër të ambicies së tij për ta bërë "Vantonen" një kompani globale.

Feng Lun-i ka marrë shumë herë çmimin Kontribues Special i Vitit, ndërsa "Vantone" ka fituar tituj të tillë si "10 markat më të vlefshme të pasurive të paluajtshme në Kinë", "10 kompanitë kryesore në aftësinë e krijimit të pasurisë" dhe "100 sipërmarrjet me ndihmesën më të madhe ekonomike". "Vantone" është shfaqur gjithashtu në mënyrë të përsëritur në listat e vlerësimit të përgjegjësisë shoqërore, duke përfshirë ato të "Korporatës së dalluar kineze të përgjegjësisë qytetare", "Sipërmarrjes së pasurive të paluajtshme model për përgjegjësinë shoqërore në Kinë" etj.

Feng Lun-i po ashtu ka botuar "Rritja marramendëse", një libër mjaft i shitur ky, i cili pasqyron historinë "shpirtërore" të sipërmarrjes private kineze duke folur lidhur me fillimet e "Vantone"-s në tregun e pasurive të paluajtshme të Hainan-it. Autobiografia e Feng Lun-it, që edhe ajo pati shitje mjaft të mirë, "Idealet e shpalosura plotësisht", është një thirrje ndaj të rinjve që ata të ecin me këmbëngulje në rrugën e bërjes realitet të ëndrrave të tyre. Feng Lun-i është gjithashtu kryeredaktor i revistës në internet të titulluar "Mollë dhe portokalle".

Në vitin 2003, Feng Lun-i planifikoi dhe nxiti në mënyrë aktive regjistrimin e programit televiziv të titulluar "Banesat që po ndryshojnë Kinën ", që promovonte zhvillimin e biznesit të pasurive të paluajtshme dhe përpiqej të forconte imazhin e këtij sektori në Kinë.

Në prillin e sivjetshëm Kompania e Pasurive të Patundshme "Vantone" nisi një platformë në internet, që do t'u mundësojë përdoruesve të internetit të bëjnë projekte dhe t'i vënë ato në zbatim menjëherë sapo një numër i caktuar prej tyre të kenë rënë në një mendje për një gjë të tillë. "Nëpërmjet kësaj platforme çdokush mund të bëhet ndërtues," shprehet Feng Lun-i.

"Misioni dhe angazhimi i 'Vantone'-s është të zbulojë vlera, të krijojë vlera dhe të realizojë vlera, të cilat janë gjithashtu baza e rritjes dhe e suksesit të kompanisë. Ne nuk mund t'ia lejojmë vetes të shpërqendrohemi dhe duhet të përmirësohemi vazhdimisht. Suksesi është i rëndësishëm; ne nuk duhet të vetëkënaqemi asnjëherë," shprehet Feng Lun-i.

Sipas tij, ku ka ideale, ka edhe këmbëngulje: "Çfarë është ideali? Është drita në fund të tunelit. Për sa kohë që ka dritë, njeriu nuk ka frikë, po ka arsye për të vazhduar e për të këmbëngulur. Su Shi, një poet i madh në Kinën e lashtë, ka thënë se forca e vullnetit i paraprin forcës së veprimit. Në të vërtetë, vullneti dhe forca janë në marrëdhënie shkak-pasojë."

Feng Lun-it shpesh i pëlqen të filozofojë lidhur me jetën. "Jeta është një udhëtim, - thotë ai, - përgjatë të cilit duhen marrë shumë vendime. Vullneti i lirë, në aftësinë e vet për të marrë vendime, do të thotë që ne mund të jetë zot të fatit tonë. Prandaj, në qoftë se arrijmë të marrim vendime të drejta në disa pika kyçe përgjatë udhëtimit të jetës sonë, një jetë e jashtëzakonshme na pret në horizont."

Feng Lun-it i pëlqen të thotë, sigurisht jo me fort modesti, por sidoqoftë me një notë vetëqesëndie, se, kur është fjala për biznesin e pasurive të paluajtshme, ai nuk ka asnjë konkurrent. "I vetmi me të cilin konkurroj unë është Perëndia," thotë ai.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China