Qeveria sllovene ka njoftuar ngritjen e një barriere në kufirin me Kroacinë, për të kufizuar fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve. Kryeministri Miro Cerar ka shpjeguar se ngritja e kësaj barriere nuk do të thotë se Sllovenia do të mbyllë kufijtë e saj.
"Kufiri do të mbetet i hapur, por i kontrolluar nëpërmjet pikave të kontrollit dhe barrierave që po vendosim atje. Qëllimi i këtyre masave është parandalimi i fluksit të pakontrolluar të emigrantëve dhe refugjatëve dhe drejtimi i tyre në qendrat e pritjes. Synojmë të mbikqyrim fluksin e hyrjeve në Slloveni dhe të ulim numrin e refugjatëve dhe emigrantëve të pranuar nga vendi ynë."
Rreth 30 mijë refugjatë vetë i janë drejtuar Sllovenisë dhe një numër tjetër i madh mund të bllokohen në vendin e vogël mes Alpeve, nëse Austria do të ndalojë fluksin prej 6 mijë refugjatësh në ditë.
Afro 170 mijë emigrantë përshkuan Slloveninë deri në mes të tetorit, kur Hungaria mbylli kufijtë me Kroacinë. Pritet që numri i emigrantëve dhe refugjatëve të shtohet në Ballkan, për shkak të bllokimit të tyre në Greqi, si pasojë e grevës së punonjësve të trageteve, javën e kaluar.(Eda Merepeza)