Buxheti 2025, objektivat e qeverisë
2024-11-11 14:39:47

buxheti (Rilindja demokratike) 

“Projektbuxheti 2025 përmbush dy objektiva themelorë, atë të sigurimit të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme, duke krijuar punësim, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe objektivin e konsolidimit fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruatjen e të gjitha parametrave makroekonomikë e fiskal në nivele pozitive.”- kështu është shprehur Ministri i Financave Petrit Malaj gjatë prezantimit në komisionet parlamentare.

“Objektivi i parë themelor është të vijojmë rritjen ekonomike të qëndrueshme e cila krijon punësim, zhvillim dhe rritje të mirëqenies për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe objektivi i dytë themelor është konsolidimi fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e të gjitha parametrave makroekonomikë dhe fiskal në nivele pozitive. Sigurisht, krahas këtyre dy objektivave themelorë të politikës makroekonomike dhe fiskale, buxheti i vitit që vjen materializon edhe një sërë politikash buxhetore dhe projekte investimi të rëndësishme të cilat unë do t’i përmend shkurtimisht më poshtë gjatë fjalës dhe të cilat besoj do diskutohen më në detaje në komisionet e ndryshme të Kuvendit. Përpara se të vijoj më tej do doja të komentoja shkurt mbi rëndësinë e objektivave të sipërcituar nga perspektiva e zhvillimeve të fundit ekonomike në vend dhe në rajon si dhe perspektivës që ne kemi për vitin tjetër, mbi të cilat është bazuar ushtrimi i programimit buxhetor për këtë projektbuxhet që po shqyrtohet nga ana juaj.”- tha Malaj.

Malaj thotë se Projekt-buxheti për vitin 2025 materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale. 

Petrit Malaj (Tv Scan)

“Materializohet plotësisht objektivi kryesor operacional i politikës fiskale për një balancë primare jo-negative. Konkretisht ky projekt-buxhet targeton një balancë primare lehtësisht pozitive, pra me një suficit primar prej rreth 0.5 miliard Lekë. Materializohet plotësisht objektivi thelbësor i politikës fiskale, ai i reduktimit të borxhit publik si raport ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, duke targetuar për vitin 2025 një nivel të borxhit prej 55.8% të PBB nga 56.3% i pritshëm për vitin 2024. Në të njëjtën kohë materializon gjithashtu edhe objektivin tjetër mjaft të rëndësishëm të politikës fiskale, atë të një raporti produktiv (të shëndetshëm) midis humarrjes totale neto të buxhetit (ose deficitit të përgjithshëm) dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qëndrore (ose investimeve publike).Për sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë të programimit makro-fiskal për vitin 2025, parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.9%. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak vijueshmërisë së rritjes së eksporteve, me një rol të veçantë të sektorit të turizmit.”

Lidhur me risqet për periudhën afatmesme, Ministri thotë se  mbeten përgjithësisht të balancuara dhe të menaxhueshme. Jepen detaje lidhur me  të ardhurat dhe shpenzimet.

“Në tërësi vlerësojmë se perspektiva afatmesme e ekonomisë sipas skenarit tonë bazë mbetet përgjithësisht inkurajuese dhe se ka një probabilitet të lartë për t’u materializuar përgjithësisht në linjë më këtë skenar bazë.Mbështetur në skenarin e mësipërm makroekonomik po ju paraqes më poshtë parashikimet e të ardhurave dhe shpenzimeve të projektbuxhetit për vitin 2025: Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë ose 0.2% e PBB më shumë. Faktorët që janë marrë në konsideratë, të cilët ndikojnë në rritjen e të ardhurave për vitin 2025 përfshijnë: Kuadrin makroekonomik për vitin 2025 ku është parashikuar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.9%, dhe indeksi i çmimeve me 3%. Të ardhurat që do gjenerohen në formën e të ardhurave nga tatimi mbi pagën dhe kontributet si rezultat i zbatimit nga Qeveria të reformës në fushën e pagave në 1 korrik 2024 dhe që do ketë efekt në muajt e parë të vitit 2025.Të ardhurat e projektuara që do gjenerohen nga përmirësimi në administrimin e tatimeve, taksave dhe detyrimeve të kontributeve, hapa të cilat janë parashikuar edhe në kuadër të zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, 2024-2027.”

Të ardhurat tatimore 2025 në raport me PBB-në krahasuar kjo po me vitin 2024, parashikohen të rriten nga 26.3% e PBB-së në 27.1% e PBB-së ose +0.8% e PBB-së.

“Ky programim i të ardhurave tatimore mbështet objektivat e Ministrisë së Financave për rritjen e të ardhurave me qëllim mbështetjen e shpenzimeve publike për arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, dixhitalizimin e shërbimeve publike, investimeve në infrastrukturë, bujqësi, energji dhe drejtime të tjera të cilat gjenerojnë zhvillim duke rritur konsumin dhe investimet.”

buxhet (Business post)

Në krahun e Shpenzimeve Buxhetore, në projektbuxhetin e vitit 2025 janë parashikuar të shpenzohen 822.7 miliardë lekë me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024. Shpenzimet për vitin e ardhshëm do të përqëndrohen në financimin e sektorëve prioritarë si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet dixhitale, dhe bujqësia. Dëshiroj të nënvizoj, gjithashtu, se shpenzimet buxhetore për këtë vit do të financojnë me prioritet Planin e Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike sociale të vendit tonë me vendet e BE.