Punëtor krahu (Foto Panorama)
Rreth 40% e shqiptarëve të punësuar pohuan se kanë ngritur ose mbajtur objekte të rënda, ngarkesa ose njerëz, pa ndihmën e një makinerie, në vitin 2023. Kjo është më shumë se vlerat mesatare në pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe BE, sipas Anketës Europiane për Aftësitë dhe Vendet e Punës që u zhvillua për herë në dytë në Shqipëri në vitin 2023.
Rezultatet treguan se burrat kanë shumë më shumë gjasa të përfshihen në detyra të tilla manuale sesa gratë (47% kundrejt 27%), si dhe punëtorët më të vjetër nëse krahasohen me ata më të rinjtë, shkruan “Panorama”.
Përdorimi i forcës fizike në vendin e punës është më së shumti një tipar i të punësuarve me arsim të nivelit të ulët (54%) dhe të mesëm (46%), ndërkohë që vetëm 15% e atyre me arsim të lartë deklarojnë se e kanë bërë këtë.
Më shumë se gjysma e punëtorëve në profesionet që lidhen me punë manuale dhe elementare (përkatësisht 53% dhe 50%) i përgjigjen në mënyrë pozitive kësaj pyetjeje, krahasuar me 30% të atyre në profesione gjysmë të kualifikuara dhe 18% të atyre në profesione të kualifikuara.
Ngritja e objekteve dhe ngarkesave është gjithashtu më e zakonshme te të anketuarit që punojnë në bujqësi ose industri (50%), 36% të atyre që punojnë në shërbime dhe 22% e të anketuarve nga sektori publik, arsimi apo shëndetësia.
Tre në dhjetë (29%) shqiptarë të anketuar raportojnë se punojnë në një mjedis me nxehtësi ose temperatura shumë të ftohta, kimikate ose pjesë të rrezikshme, afërsisht në linjë me mesataret e BE- së (27%). (Elona)