Erion Veliaj (Foto ATSH)
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi kriteret e reja për përfituesit e programeve të strehimit social. Familjet e pastreha në kryeqytet do të kenë mundësi që të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se shumë shpejt do të hapen aplikimet për 1200 familje në nevojë, që do të përfitojnë interesa të buta për blerjen e banesës së tyre, bën të ditur “RTSH”.
“Kemi pasur prej vitesh në Bashkinë e Tiranës një program që ndihmonte familjet e reja që donin të blinin shtëpinë e tyre të parë. Vitin e fundit, me rritjen e turistëve e të huajve që kanë blerë shtëpi në Tiranë, sigurisht edhe tregu ka pasur ngritjen e vet. Kemi rillogaritur përfitimin, që norma e kredisë së butë të jetë më e madhe.
Sepse ajo që kemi kuptuar është se duam të ruajmë hapin e tregut. Kemi dakordësuar për 1200 familje, pra do të hapim shumë shpejt aplikimet për 1200 familje. Për të gjithë ata që thonë se vlera e pronës në Tiranë është rritur, kjo është gjë e mirë për ata që kanë pronë. Për ata që nuk kanë pronë ne kemi tashmë këtë paketë”,- tha Veliaj.
Programi i subvencionimit të interesave të kredisë ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve dhe çifteve të reja, të cilat nuk kanë aftësi ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore në treg. (Elona)