Guterres: Do të ishte katastrofike nëse Izraeli ndalon OKB-në në Gaza
2024-10-10 11:07:37

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres (Foto RTSH)

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, deklaroi se nëse miratohet draft-legjislacioni izraelit që parashikon ndalimin e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) të punojë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, atëherë kjo, sipas tij, do të ishte një katastrofë, shkruan “RTSH”.

Guterres tha se ai e ngriti shqetësimet e tij te kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kreu i OKB-së bëri të ditur se një masë e tillë do të mbyste përpjekjet për të lehtësuar vuajtjet njerëzore dhe tensionet në Gaza dhe në të gjithë territorin e pushtuar palestinez.

Parlamenti izraelit në korrik dha miratimin paraprak për një projektligj që do ta shpallte UNRWA-në një organizatë terroriste. Udhëheqësit izraelitë kanë akuzuar stafin e UNRWA-s për bashkëpunim me militantët e Hamasit në Gaza.

Në përgjigje të vërejtjeve të Guterres, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi se Izraeli punon me agjenci humanitare që janë në të vërtetë të interesuara për ndihmën humanitare dhe jo aktivizmin ose, në disa raste, terrorizmin.

UNRWA-ja ofron arsim, shëndetësi dhe ndihmë për miliona palestinezë në Gaza, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban dhe Siri. Ajo ka pasur prej kohësh marrëdhënie të tensionuara me Izraelin, por lidhjet janë përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Gaza dhe Izraeli ka kërkuar vazhdimisht që UNRWA-ja të shpërbëhet. (Elona)