Biznes (Foto ATSH)
Bankat tregtare rritën kreditimin ndaj biznesit deri në fund të muajit gusht, ku kërkesa më e lartë u ndje në segmentin e ndërmarrjeve të mesme.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se kredia për këto ndërmarrje arriti vlerën 188 miliardë lekë në fund të gushtit, me një rritje prej 1.3% krahasuar me një muaj më parë, ku totali i kredisë preku shifrën e 185 miliardë lekëve, shkruan “ATSH”.
Në totalin e kredisë për bizneset e mesme vend të konsiderueshëm zuri kreditimi i sipërmarrjeve në sektorin e tregtisë dhe shërbimit me mbi 12 miliardë lekë në gusht ose një rritje vjetore prej 14.4%.
Sipas BSH-së, kreditë për biznesin e vogël janë rritur me 2.5%, ndërsa ato për biznesin e mesëm me 0.7%.
Ndërsa kredia drejt sektorit privat gjatë muajit gushtit shënoi 33 miliardë lekë, me rritje 55% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bizneset e vogla dhe të mesme përbëjnë 99.8% të ndërmarrjeve aktive dhe kanë gjithashtu rreth 82.1% të të punësuarve në Shqipëri. (Elona)