Foto nga CFP
Këshilli i Shtetit i Kinës ka zbuluar një sërë udhëzimesh mbi përshpejtimin e zhvillimit dhe përdorimit të burimeve publike të të dhënave, për të siguruar mbështetje të fuqishme për forcimin e ekonomisë digjitale dhe për të përftuar epërsi të reja konkurruese për vendin.
Deri në vitin 2025 do të krijohen paraprakisht sistemi dhe rregullat për zhvillimin dhe përdorimin e burimeve të të dhënave publike. Produktet dhe shërbimet e të dhënave do të vazhdojnë të pasurohen dhe duhet bërë përparim i rëndësishëm në zhvillimin dhe përdorimin e burimeve të të dhënave publike në industritë dhe rajonet kryesore, sipas këtyre udhëzimeve.
Deri më 2030 do të krijohet një sistem gjithëpërfshirës për zhvillimin dhe përdorimin e burimeve të të dhënave publike, me një qarkullim dhe përdorim të përshtatshëm e të efektshëm të të dhënave. Ndërkohë, të dhënat publike do të luajnë plotësisht rolin e tyre si një faktor thelbësor për forcimin e ekonomisë reale, zgjerimin e kërkesës së konsumatorëve e të hapësirës së investimeve, si edhe përmirësimin e kapaciteteve të qeverisjes.
Duhet të ndërtohet një sistem politikash të shëndetshme për hapjen e të dhënave, thuhet në këto udhëzime, duke theksuar po ashtu se duhet të merren masa për të siguruar që të dhënat të hapen në mënyrë të rregullt në përputhje me ligjin e rregullat, në bazë të mbrojtjes së sigurisë të të dhënave kombëtare dhe ruajtjes së informacionit personal dhe sekreteve të biznesit.
Udhëzimet inkurajojnë gjithashtu aplikimin inovator për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm të industrisë së të dhënave, si edhe koordinimin e zhvillimit e sigurisë, për të krijuar një mjedis të mirë për zhvillimin e përdorimin e burimeve të të dhënave publike.