Foto nga CFP
Kina planifikon të zhvillojë një sistem krediti të bazuar në pikë për profesionistët e kujdesit shëndetësor të cilët janë të certifikuar për të përpunuar fondet e sigurimeve mjekësore, me qëllim për të frenuar keqpërdorimin e fondeve dhe për të forcuar ndëshkimin për shkelësit, sipas një udhëzimi të publikuar së fundmi. Ngjashëm me sistemin kombëtar të pikëve për patentat e shoferit, sistemi i ri do të synojë anëtarët e stafit përkatës në institucionet mjekësore të përcaktuara nga sigurimet, si dhe pronarët e farmacive, sipas udhëzimit të lëshuar bashkërisht nga Administrata Kombëtare e Sigurisë së Kujdesit Shëndetësor, Komisioni Kombëtar i Shëndetit dhe Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore, shkruan “China Daily”. Punëtorëve, që konstatohet se janë përfshirë në sjellje të pandershme ose të paligjshme, do t'u zbriten pikët e caktuara në sistem. Ata mund të humbasin një deri në tre pikë për kundërvajtje, ndërsa shkeljet më të rënda do të rezultojnë me humbje nga 10 deri në 12 pikë. Atyre që humbasin 9 deri në 11 pikë në një vit do t’u pezullohen certifikatat e pagesës së sigurimit për një deri në gjashtë muaj, që do të thotë gjithashtu se pacientët që përdorin shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe medikamentet e përshkruara prej tyre - me përjashtim të ndihmës së parë dhe shërbimeve të kujdesit emergjent - nuk do të rimbursohen.
Një grumbullim prej 12 pikësh të zbritura do të çojë në revokimin e të drejtës së tyre për të punuar si agjentë të certifikuar sigurimesh. Gjithashtu, ata nuk do të lejohen të aplikojnë përsëri për kualifikim për një deri në tre vjet rresht, në varësi të kushteve specifike. (Elona)