VCG
Autoritetet kineze ritheksuan të martën angazhimin e tyre për të tërhequr e stabilizuar investimet e huaja dhe njoftuan hartimin sistematikisht të një vargu politikash për të nxitur, optimizuar dhe ruajtur me vendosmëri rritjen ekonomike.
Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës (NDRC), organi më i lartë i planifikimit ekonomik i vendit, tha se, përveç promovimit të hapjes së tregut, Kina do të vijojë të përmirësojë mjedisin e vet të biznesit nëpërmjet masave të tilla si optimizimi i sistemit ligjor dhe rregullator dhe krijimi i një mjedisi biznesi të orientuar nga tregu, të bazuar në ligj e të ndërkombëtuar për të tërhequr investimet e huaja dhe forcuar besimin e investitorëve.
Për të stabilizuar tregun e pronës, Kina do të zbatojë masa gjithëpërfshirëse për të trajtuar çështje të ndryshme si për sa i përket kërkesës, ashtu edhe ofertës, duke përfshirë përshtatjen e kërkesave për ata që janë të kualifikuar për blerje dhe zgjerimin e mekanizmit financiar të "listës së bardhë" për projektet e pasurive të patundshme, tha Zheng Shanjie, kreu i NDRC-së, në një konferencë shtypi.
VCG
Në lidhje me shtimin e konsumit, të konsideruar si një nxitës kyç i rritjes ekonomike, Zheng tha që, nëpërmjet politikave me objektiv të mirëpërcaktuar, Kina do të zbatojë masa për nxitjen e rritjes së të ardhurave të grupeve me të ardhura të ulta dhe të mesme, për të nxitur konsumin e për të krijuar një treg më të fuqishëm konsumi.
Ndërkohë, Zheng njoftoi se Kina do të vazhdojë emetimin e bonove të posaçme të thesarit afatgjata vitin e ardhshëm. Këto bono kanë si qëllim për të mbështetur infrastrukturën afatgjatë dhe projektet e zhvillimit, si edhe për të siguruar qëndrueshmërinë ekonomike afatgjatë.
Nga janari deri në korrik të këtij viti, fitimet e përgjithshme të ndërmarrjeve të mëdha me investime të huaja u rritën me 9.9 për qind, sipas statistikave zyrtare. Gjatë së njëjtës periudhë, u krijuan pothuajse 32 000 ndërmarrje të reja me investime të huaja, duke regjistruar një shtim 11.4 për qind në krahasim me shtatë muajt e parë të vjetshëm, me një prirje të vazhdueshme rritjeje.